E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmet, meshë në rrugë, prifti: Nuk heqim dorë nga Kisha

PERMET- Mbajtja e Liturgjisë së Shenjtë, si çdo të dielë, në kishën e Shën Marisë së Pazarit, në qytetin e Përmetit, nisi dje rreth orën 08:00 nën drejtimin e ikonomëve Athanas Qerimi e Vasil Thomollari. Por këtë radhë, mesha e shenjtë u mbajt në shëtitoren përballë Shtëpisë së Kulturës, e cila ishte rrethuar me forca të shumta policie private dhe nga komisariatet Përmet e Gjirokastër. Referuar pamjeve filmike të siguruar nga “Top Channel”, në meshë merrnin pjesë pak besimtarë, ndryshe nga të dielat e zakonshme, kur pjesëmarrja ka qenë më e lartë dhe mesha zhvillohej në ambientet e brendshme të ndërtesës. Pas riteve fetare dhe ndarjes se bukës së bekuar, ikonom Athanas Qerimi mbajti një deklaratë në fund të meshës, ku bëri me dije se kisha s’do heqë dorë nga prona e saj në asnjë mënyrë. Në emër të kishës, ai u kërkoi besimtarëve të mblidhen çdo ditë në shëtitore, për të kryer ritet fetare, duke filluar nga dita e sotme. “Është kishë, do ngelet kishë dhe ka për të ngelur brez pas brezi kishë. Kisha nuk lëviz, nuk është as me rrota e me vida që të lëvizë. Aty janë eshtrat e njerëzve tanë, aty janë eshtrat e shenjtorëve, aty në atë kishë janë eshtrat e të gjithë përmetarëve”, - u shpreh ikonom Athanas Qerimi. 

MITROPOLIA E KORÇËS 
Prishja e Kishës së Shën Marisë, në qytetin e Përmetit, ka sjellë dje edhe reagimin e Mitropolisë së Korçës dhe komunitetit ortodoks të këtij qyteti. Përmes një deklarate, Mitropolia ka shprehur indinjatën, për atë që e ka cilësuar si të barabartë me sulmet e qeverisë komuniste mbi besimet fetare dhe vendet e shenjta, dhe apeloi që organet shtetërore të jenë të ndjeshme dhe të drejta ndaj komunitetit ortodoks. “Prandaj ne klerikët ortodoksë të Dioqezës së Korçës, në emër të të gjithë komunitetit ortodoks të komunitetit të Dioqezës sonë, shprehim indinjatën tonë të thellë ndaj këtij agresioni kundër kishës ortodokse, që në ngjarjen e kishës në Përmet mori një përshkallëzim të rrezikshëm, duke lënduar ortodoksët e Shqipërisë dhe duke dëmtuar imazhin e vendit tonë. Këto veprime, nëse nuk ndalen, mund të kenë pasoja të rënda për harmoninë dhe kohezionin e shoqërisë sonë. Nuk mund të tjetërsohen vendet e shenjta me makinacione ligjore, duke krijuar ligje që janë në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare. Ne nuk do heshtim dhe as do rreshtim së kërkuari të drejtat tona derisa të realizohet përmbushja e tyre”, - u shpreh Ksenofor At Ilia Kotnani.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›