E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmirësohet Agron Aliaj, koreografi del nga reanimacioni

TIRANE- Gjendja shëndetësore e profesor Agron Aliajt është përmirësuar dhe koreografi i mirënjohur ka dalë nga salla e reanimacionit. Dy ditë pas aksidentit para Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, mjeku që po kujdeset për të, neurokirurgu Fatos Olldashi konfirmon për "Gazeta Shqiptare" përmirësimin e shëndetit të prof. Aliajt. "Ne e vizitojmë çdo ditë dhe mund të them se që nga dita kur erdhi, gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm. Sot (dje) e kemi nxjerrë nga salla e reanimacionit dhe e kemi akomoduar në një dhomë të veçantë nën kujdesin tonë të vazhdueshëm", - tha dr. Olldashi. Ndërkohë, shëndeti i Aliajt ka pasur vëmendjen e veçantë edhe të drejtorit të Spitalit Ushtarak Bedri Mihaj, i cili u tregua po ashtu i gatshëm të na informonte mbi profesorin. Pas aksidentit të datës 7 mars, koreografi Agron Aliaj gjendet në Spitalin Ushtarak nën kujdesin e stafit mjekësor. Për ta vizituar dhe për t'u interesuar për shëndetin e tij, atje kanë shkuar edhe ministri i Kulturës, Z. Aldo Bumçi dhe drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, prof. Zhani Ciko. Ky i fundit tha dje për gazetën se prof. Aliaj është sigurisht jashtë rrezikut për jetën ndërsa po priten përmirësimet e mëtejshme të shëndetit dhe rezultatet e konsultave. I pyetur nëse prof. Aliaj ka nevojë për kurim jashtë vendit, Ciko tha se deri tani Spitali Ushtarak ka marrë përsipër trajtimin e tij, por shtoi se nëse do të shihet e nevojshme, Aliaj do të dërgohet patjetër jashtë vendit për kurim më të specializuar. "Ai po mbahet nën vëzhgim 24 orë dhe mjekët e shohin më mirë. Ne jemi interesuar vazhdimisht për prof. Aliajn e ndërkohë e ka vizituar edhe ministri i Kulturës. Ai komunikon lirshëm me ne, madje me humor të mirë", - tha dje prof. Ciko. Edhe koreografi tjetër Arian Sukniqi na konfirmoi të njëjtat informacione për prof. Aliajn duke shtuar se nëse do të jetë i nevojshëm kurimi jashtë, do të dërgohet pa tjetër. Nga ana tjetër, neurokirurgu Fatos Olldashi tha se paçka idesë për ta dërguar jashtë vendit për kurim, Spitali Ushtarak i është përgjigjur të gjitha nevojave të profesorit dhe e ka trajtuar me shumë kujdes. Ndërkaq, familjarët e Aliajt janë shprehur se paçka kujdesit, dy duart i kanë mbetur të paralizuara. Sa i takon kësaj pjese, Olldashi i pyetur nga "Gazeta" për pasojat e aksidentit, u shpreh se rreziku i pasojave ekziston edhe sikur profesori të kurohet jashtë Shqipërisë.

AKSIDENTI
Ka qenë data 7 mars kur profesor Agron Aliaj është përplasur nga një makinë kur sapo kishte lënë provat në Teatrin e Operës dhe Baletit. Aksidenti, fatmirësisht pa pasoja për jetën, ka ndodhur kur koreografi në moshën 79-vjeçare ishte duke kapërcyer rrugën pranë Teatrit. Ka qenë vetë drejtuesi i mjetit Audi A6 që e ka dërguar artistin në urgjencën e Spitalit Ushtarak në kryeqytet. Ai i ka mbaruar studimet për balet klasik në shkollën më të mirë të botës, në Moskë, dhe krahas veprave klasike që iu është kushtuar njëkohësisht si kërcimtar dhe pastaj si koreograf, ka punuar shumë për krijimtarinë kombëtare, veprat kombëtare. Ai ka marrë pjesë në vënien në skenë të baleteve "Delina", "Hajria", më vonë "Cuca e maleve" që u bënë një repertor i gjerë i baletit kombëtar. Më tej, ai ka vënë në skenë kryeveprat e baletit botëror si "Liqenin e mjelmave", "Don Kishotin", "Arrëthyesin", po edhe atë me tematikë shqiptare "Gjenerali i ushtrisë së vdekur". Gjatë karrierës së tij ai ka punuar me kompozitorë që ngritën lart anën muzikore të kombit tonë duke filluar nga Çesk Zadeja, Nikolla Zoraqi, Limoz Dizdari, Tonin Arapi dhe shumë artistë të njohur, për të cilët ka një adhurim të jashtëzakonshëm. Gjatë këtyre viteve të fundit prof. Aliaj i qe përkushtuar vënies në skenë të veprave kombëtare.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›