Përmirësohet situata me kreditë e këqija
Kreditë e klasifikuara si “të këqija” në sistemin bankar shqiptar nuk janë shtuar më në raport me totalin e kredive që prej dy muajsh, gjë që i ka shtyrë disa bankierë të mendojnë se situata është drejt përmirësimit. Sipas të dhënave të bëra publike nga Shoqata e Bankave, në prill kreditë e këqija ishin 11.7 për qind e totalit të portofolit, në të njëjtin nivel me marsin. “Unë mendoj se kreditë e këqija kanë arritur tashmë maksimumin. Ne presim që ato të pakësohen”, deklaroi kreu i njërës prej bankave që veprojnë në Shqipëri për agjencinë “Reuters”. Të dhënat e detajuara të Shoqatës së Bankave tregojnë se sasia e kredive brenda standardit u rrit me 0.85 për qind gjatë prillit në krahasim me marsin, ndërkohë që kreditë e nënvijëzuara për shkak të vonesave të herëpashershme në shlyerjen e kësteve u ulën me 6 për qind. Kreditë e klasifikuara si të dyshimta u rritën me 4.8 për qind, ndërsa kreditë e klasifikuara si të humbura u rritën me 6.9 për qind.
Bankat u përballën me vonesa masive në shlyerjen e kredive gjatë vitit të kaluar, si pasojë e krizës financiare ndërkombëtare dhe impaktit të saj në Shqipëri. Kreditë nënstandarde që njihen gjerësisht si “kredi të këqija”, u rritën nga 6.82 për qind e totalit të kredive në janar 2009, në 11.8 për qind në shkurt të këtij viti. Për pasojë, bankat filluan të rrisin interesat për kreditorët e rregullt për të kompensuar humbjet. Për shkak të interesave të larta të kredive në vendin tonë, rritja e kredive nënstandarde shkaktoi rënie të fitimeve të bankave, por jo humbje për to.
Kreditë e këqija i përkasin veçanërisht klientëve të kategorisë së biznesit. Ato janë pjesërisht rezultat i garës së fortë mes bankave për të kapur tregun e kreditimit gjatë viteve 2004-2008, kur portofolat e tyre të kredive u rritën me 50-70 për qind në vit. Rritja e shpejtë e kredive, si dhe presioni mbi oficerët e kredive për të firmosur sa më shumë kontrata, duket se solli edhe gabime në këtë proces.
#