Ruçi dhe Patozi, përplasje për krizën në Parlament
Demokratët dhe socialistët përdorin futbollin për të dhënë leksione politike. Kampionati Botëror i Futbollit ka shërbyer si sintezë në sallën e Parlamentit për të paralelizuar krizën politike në Shqipëri për demokratët dhe socialistët. Kreu i grupit demokrat parlamentar, Astrit Patozi, kërkoi dje nga socialistët “të mos i bezdisin shqiptarët në këto ditë kampionati me legjendat dhe përrallat e kutive dhe me historinë e krizës, se nuk kam hallin e tyre, se ata ju kanë braktisur me kohë, por kam hallin tuaj se bëheni qesharakë”. Ndërkohë ka qenë e menjëhershme replika e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçit, i cili theksoi: “U bëj apelin të gjithëve të ndjekin futbollin se është eveniment, por Partia Demokratike duhet të dijë që dje është dhënë njoftim publik që nga ora 08.00 e mëngjesit deri në 18.00 pasdite se shqiptarët nuk do të kenë drita për dhjetë ditë”. Por debati për krizën PD-PS ka vijuar sërish, duke përdorur evenimentin e Kampionatit Botëror të Futbollit. Patozi u kërkon socialistëve të mësojnë nga kampionati dhe shpirti i garës, ku një ekip humbet dhe humbësi i jep dorën fituesit. “Mund të mësoni se për të fituar një kompeticion tjetër duhet që përgatitja të fillojë që ditën kur kundërshtari ngre kupën. Mund të mësoni që kur gjyqtari fërshëllen duhet të respektoni vendimin e tyre, që kompeticioni tjetër vjen shumë shpejt dhe nëse nuk përgatiteni do e humbisni dhe atë. Pas Kampionatit Botëror vjen Kampionati Europian dhe ato janë zgjedhjet lokale”, tha Patozi. Kryetari i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, u shpreh se Patozi nuk e përmendi faktin e trukimit të ndeshjes. “Ne kemi 10 muaj që flasim për manipulimin e ndeshjes. Goli me dorë pranohet, por trukimi hetohet dhe ndëshkohet”, theksoi Ruçi. “Ti bëre mirë që e kujtove topin e botërorit, se ai topi i politikës është tashmë në fushën tuaj, se po mundoheni ta kaloni në rrjetën e europianëve, por ose u del jashtë, ose bëni shtyllë. Por pse si përmende trukimet e ndeshjeve, apo nuk e di që ato hetohen. Ju po trukoni ndeshjen dhe ne nuk po flasim për gol me dorë, por për trukim. Ju në fakt po i bini shtyllës me kokë. Në vend t’i bëni reklamë botërorit, merrni masat se për 10 ditë do ndërprisni energjinë ngado në vend dhe shumë nuk do të kenë mundësi ta shohin kampionatin”, tha Ruçi.
#