Avokatët e Shkodrës, në grevë për taksat
Dhoma e Avokatisë në Shkodër ka ndërprerë dje punën në shenjë proteste ndaj urdhrit më të ri të zyrës së tatim-taksave, që i përkufizon zyrat e avokatisë si biznes i madh. Avokatët e Shkodrës kanë kërcënuar se protesta e tyre do të përshkallëzohet dhe se kanë ngritur një padi ndaj zyrës së tatim-taksave. Në një komunikim me mediat, sekretarja e Dhomës së Avokatisë Shkodër, Laureta Preka, u shpreh: “Kemi ndaluar punën sot për të paralajmëruar se do ta përshkallëzojmë protestën deri në ndërprerjen pa afat të punës, duke bërë që të bllokohen të gjitha proceset gjyqësore penale dhe civile. Ky veprim merret si formë proteste ndaj Drejtorisë së Tatim-Taksave në Shkodër, që e ka keqinterpretuar vendimin e Këshillit të Ministrave në lidhje me mënyrën e tatimit ndaj avokatëve. Konkretisht, Drejtoria e Tatim- Taksave presupozon se xhiroja vjetore e një avokati është 2.1 milionë lekë. Me këtë veprim arbitrar, tatim-taksat e kalojnë automatikisht çdo avokat në biznes të madh. Por për ne kjo është e papranueshme, pasi mbi të gjitha është një keqinterpretim i vendimit të qeverisë”. Më tej Preka ka theksuar se për protestën e djeshme janë vënë në dijeni të gjitha strukturat shtetërore. “Ndërkohë kemi zhvilluar një takim me drejtues të Drejtorisë së Tatimeve në Tiranë dhe në Ministrinë e Drejtësisë”, ka thënë sekretarja e Dhomës së Avokatisë në Shkodër. Ndërkohë, avokati Gjon Lepuri, duke folur për gazetën “Shqip”, thotë se “me këtë veprim arbitrar shteti më detyron të marr në punë edhe dy persona të tjerë, pasi më klasifikon si biznes i madh. Ky veprim nuk ka sens, ndaj kemi bërë një padi penale ndaj Drejtorisë së Tatim-Taksave të Shkodrës”. Ndërkaq, si pasojë grevës njëditore të avokatëve, dje nuk është zhvilluar asnjë gjyq civil apo penal në Gjykatën e Shkodrës.
#