E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmirësohet situata në akset kryesore rrugore

Në Rrethin e Kukësit, hapja e aksit rrugor Kukës – Qafë Shllak, ku po punojnë 3 fadroma dhe një borëpastruese, është drejt përfundimit dhe ka arritur deri në fshatin Vrish. Aksi rrugor Kukës – Shishtavec  është i kalueshëm deri në  Shtreze, ndërsa  po punohet për rihapjen e plotë të segmentit rrugor të mbetur nga fshati Shtreze deri në Shishtavec. 

Drejtori i ndërmarrjes së mirëmbajtjes së rrugëve,  Arben Basha, tha se “situata është drejt përmirësimit, ndërsa në segmentin e autostradës  Morin – Kukës – tunel, edhe pse trashësia e dëborës në hyrje të tunelit arrin në 0,7 metra,  lëvizja e mjeteve në të katër korsitë kryhet pa zinxhirë”.

Ndërsa në rrethin e Hasit janë bërë të kalueshme të gjitha akset nacionale rrugore. Kështu, është normalizuar lëvizja e mjeteve në aksin rrugor Krumë – Kukës  dhe Krumë – Qafë Prush. Po ashtu, tashmë është i hapur edhe aksi rrugor Krumë -  Kam Tropojë.

Pavarësisht përmirësimit të situatës, në qarkun e Kukësit janë ende të izoluara komunat  Shishtavec, Kalis, Arrën, Grykë Cajë, Bushtricë dhe Surroj në rrethin e Kukësit dhe Lekbibaj, Llugaj dhe Bytyc të rrethit të Tropojës.

Në rrethin e Korçës raportohet se janë të kalueshme të gjitha akset nacionale porse mbeten të bllokuar 7 fshatra në komunën Lekas, 7 fshatra në Komunën Çlirim, 4 fshatra në Komunën Novoselë, 2 fshatra në Komunën Miras dhe 5 fshatra në Komunën Dardhas./Start/

                                                                                             2012-02-18 10:28
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›