E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përnaska, kandidatura e katërt për PD-në e Tiranës

Pasurohet me kandidatë të rinj gara për kreun e Partisë Demokratike të Tiranës. Në zgjedhjet e ardhshme, për degën më të rëndësishme të PD-së, atë të Tiranës, do të kandidojë edhe një kandidate femër. Bëhet fjalë për deputeten Lajla Përnaska, e cila ka shpallur dje për mediat vetëkandidimin për kreun e kësaj dege. Kështu, Përnaska bëhet kandidatura e katërt zyrtare që pretendon të marrë drejtimin e degës më të madhe të PD-së. Më parë janë vetëshpallur si kandidatë edhe tre emra të tjerë të njohur të kësaj force, me një bagazh të njohur, si politik ashtu edhe menaxherial. I pari që shpalli ambicien e tij për këtë post, ishte ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj. I ndarë jo mirë gati dy vjet më parë me Kryeministrin, Mustafaj ka qenë në vazhdimësi zë kritik në mbledhjet e grupit demokrat, dhe në mënyrë të veçantë në media, për kabinetin “Berisha”. Pas largimit nga kabineti, Mustafaj njoftoi se raportet e tij me Berishën ishin ftohur, ndërsa nuk dihet qëndrimi i Berishës (të paktën publikisht) me rikthimin e tij për një jetë aktive në degën e Tiranës. Pas tij u vetëshpall si kandidat edhe kreu i KESH-it, Gjergji Bojaxhi, i cili njihet për aftësitë e tij menaxhuese, por pa një përvojë të duhur politike. Ndërkohë që, vetëm dy javë më parë, edhe deputeti tjetër demokrat, Edi Paloka, deklaroi se kishte pranuar propozimin e bazës për të konkurruar për kreun e PD-së së Tiranës. Megjithatë, në bazë të statutit të Partisë Demokratike kandidatura duhet të propozohet nga baza e të miratohet më pas nga kryesia qendrore. Që prej 1 shtatorit, në çdo qark të vendit ka filluar puna nga 12 grupet e punës të miratuara nga kryesia e Partisë Demokratike, për riorganizimin e strukturave të partisë. E njëjta situatë po ndodh edhe në Tiranë me mbledhjen e seksioneve për çdo nëndegë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›