E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja nuk tërhiqet nga projektligji për dosjet

Partia Socialiste ka deklaruar se drafti është antikushtetues, pasi shkel të drejtat dhe liritë e njeriut

Dy forcat e mëdha nuk lëvizin nga pozicionet e tyre lidhur me projektligjin shumë të debatuar, “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve”. Kështu, duket se presioni i ndërkombëtarëve nuk ka mundur që të ketë efekt mbi demokratët, të cilët dje, megjithëse jo aq optimistë sa më parë, nuk kanë pranuar të përcaktojnë pozicionin e tyre, nëse do të tërhiqen apo jo nga nisma për ta miratuar këtë draft ditën e nesërme, pa pëlqimin e opozitës. Por, nisur nga fakti se dje, përfaqësues të kësaj force, në mënyrë zyrtare kanë dalë për të mbrojtur projektligjin në fjalë, vërtetojnë edhe një herë dështimin e përpjekjeve të ndërkombëtarëve dhe vendosmërinë e demokratëve për të mos ndryshuar kurs. I pari që ka mbrojtur projektin ka qenë zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, i cili nga foltorja e kësaj force ka prurë në vëmendje të publikut edhe një herë avantazhet e tij, duke theksuar se ai nuk është gjë tjetër, veçse varianti i zbutur çek. “Ligji që ndodhet në Parlament është kopje e zbutur e ligjit të vitit 1995, i cili ka qenë varianti identik i Ligjit Çek të vitit 1991. Ligji çek i vitit 1991 është vlerësuar kushtetues nga gjykata e Çekosllovakisë dhe, pas shpërbërjes Çeki dhe Sllovaki, është gjykuar përsëri nga gjykata çeke dhe është gjetur kushtetues”, - tha Bogdani. Ndërkohë që, pas tij, në mbrojtje të këtij drafti ka dalë edhe relatori i këtij projektligji, Aldo Bumçi, i cili ka ftuar opozitën që ta mbështesë atë si një hap në drejtim të dënimit të krimeve të komunizmit. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i socialistëve, të cilët nëpërmjet sekretares për marrëdhëniet me jashtë, kanë deklaruar edhe një herë pozicionin e qëndrueshëm të PS-së për të mos e pranuar këtë draft, sa kohë ai bie në kundërshtim me Kushtetutën. “Për sa i përket draftit për dosjet, ne nuk kemi të bëjmë fare me këtë draft të paraqitur në mënyrë të njëanshme nga ana e mazhorancës. Qëndrimi ynë është konsistent dhe nuk ka asnjë arsye që ne ta ndryshojmë atë qëndrim”, - tha Dade. Ajo i ka bërë thirrje Kryeministrit dhe mazhorancës që të heqin dorë nga një nismë e tillë dhe të marrin parasysh vërejtjet e ndërkombëtarëve. Ndërkohë që ajo është ndalur edhe tek çështja e Kodit Zgjedhor, duke i kërkuar mazhorancës që ta sjellë sa më parë dekretin e kreut të shtetit për miratim në Kuvend. Në të kundërt, edhe një herë, ajo, në emër të PS-së ka bërë të qartë vendimin për të mos marrë pjesë në asnjë seancë ku do të votohen ligjet në Kuvend. “Ne, sikurse jemi deklaruar, nuk do të marrim pjesë në asnjë votim ligji, pa ardhur në seancë Kodi Zgjedhor dhe sigurisht do të mbajmë të njëjtin qëndrim që mbajtëm, kur projektligji u diskutua”, - u shpreh Dade.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›