E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi apel politikës për miratimin e ligjit të Gjykatës së Lartë

18-11-2012 / Gazeta 55

Dhoma Amerikane e Tregtisë: Aprovoni ligjin pa vonesa

Dhoma Amerikane e Tregtisë shprehu dje shqetësimin e saj për vonesat e gjata në aprovimin e Ligjit të Gjykatës së Lartë, si një detyrim që mundëson zbatimin e ligjit në Gjykatën Administrative, dhe siguron një hap të rëndësishëm përpara në zbatimin e ligjit në Shqipëri. Përmes një njoftimi për shtyp, Kjo organizatë e rëndësishme në mbështetje të interesave të biznesit, që përfaqëson një larmi biznesesh, të mëdha apo të vogla, të industrive nga më të ndryshmet, kërkon me insistim nga të gjithë anëtarët e Kuvendit pavarësisht se cilës parti i përkasin, ta marrin urgjentisht në konsideratë diskutimin dhe aprovimin e këtij ligji, pa shkaktuar vonesa te tjera. “Ne dëshirojmë të theksojmë se ligji për Gjykatën Administrative jep zgjidhje ligjore te qarta në zbatimin e ligjeve dhe të akteve nënligjore dhe është një hap përpara në përmirësimin e kushteve të të bërit biznes dhe për të stimuluar më tej vendimet e investimeve të huaja direkte në favor të këtij vendi", vëren Dhoma Amerikane e Tregtisë. Kjo organizatë ka pasur angazhim shumë serioz në bashkëpunim me organizata të tjera të biznesit në lobimin për miratimin e Gjykatës Administrative, ndaj thekson se “besojmë se tani, pa vonesa të mëtejshme, është momenti i duhur për biznesin, për të pasur mundësinë e adresimit të çështjeve të veta në një gjykatë të specializuar”. Krijimi i Gjykatës Administrative pritet të mundësojë trajtimin në kohë dhe me efiçience të çështjeve administrative, duke lënë pas afatet e gjata dhe mungesën e specializimit në trajtimin e rasteve, me të cilat bizneset përballen shpesh. Mungesa e Gjykatës Administrative i shkakton biznesit afro 400 milionë euro në vit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›