Përparim- Qytetërim…dhe një si prallë
Aty përpara pata rast të vizitoj, me një pare të zgjedhurë, katundin Metohi, n’ja dy km. jashtë Sarandës. Metohi është çiflik i Manastirit të Kamenës, që ndodhet jashtë Delvinës afër fshatit Kakodhiq, dhe përbëhet nga fshatarë që janë mbledhur nga fshatërat rreth e rrotull. Gjëja që ve re njeriu me një herë në Metohi janë shtëpitë: kasolle të dhogëta, të shkatërruara, pa dysheme e tavan, në të cilat shkon një jetë tepër mizore njerëzia e gjorë që përbën popullsinë e këtij fshati.
Dita me ditë bëhet fjalë për përparim, për qytetërim të Shqipërisë. Po që të merret vesh në se këto të dy fjalë kanë nonjë kuptim ose janë të sbrazëta, njeriu duhet të vizitojë fshatëra si Metohi. Dhe këto fshatëra përbëjnë barometrin e vërtetë të përparimit dhe qytetërimit shqiptar! Për fat të keq, s’më është dhënë rasti të njoh shumë fshatëra, gjëndjen dhe jetën e tyre. Po më thonë se ka edhe fshatëra më të këqia nga Metohi. Bie fjala, Xara, një fshat pak km me tej dhe i future në vurkun e Delvinës. Është e vërtetë se Metohi s’ka kasolle me dysheme e tavan, po njerëzia e tij në dimër nuk flë, të pakën, përmbi ujë. Këtë fat të mirë (lutem që, në këtë rast, fjala “fat” të merret me ralativitetin e Einstein-it) s’e ka edhe Xara. Kjo jo vetëm që s’ka kasolle me dysheme e tavan, po njerëzija e saj në dimër është e shtrënguarë të jetojë edhe mbi gjysmë metro ujë! Më duket se brënda në këta ujë të Xarës dhe kush e di se sa e sa fshatëra si Xara e si Metohi ka në tërë Shqipëri! Po mbytet edhe përparimi edhe qytetërimi shqiptar!
Arrin vetëm realism e gjallë e një tablloje tragjike që të japij kuptimin e disa fjalëve të bukura, po të sbrazëta: Përparim Qytetërim! Si shumë të tjerë, edhe në shqipëtarët këto të dy fjalë i kemi marë sipër e sipër, pa hyrë Brenda, thellë, në kuptiminm e tyre të vërtetë. Përparim e Qytetërim për neve janë vetëm udhërat, bulevradet, pallatet, drita elektrike, sullatneti i qytetevet! Shqipëria ka kaq automobile, kaq ura, kaq udhëra, kaq … kaq…!
Aa! Shqipëria pra u bë një vënd i përparuar dhe i qytetëruar! Po sikur ata njerës, që elektrizohen nga fjalët e bukura, të marrin vesh se automobile, udha, ura, shkojnë prap e pranë një mizerjeje njerëzore pa emër e që rukulliset sipër në faqen e ujravet si të Xarës, brënda në mbretërinë e malaries si të vurkut të Delvinës etj. etj., oh! Ahere ata njerës do të ndjejnë ironinë tragjike dhe sbrazësirën e tmerrëshme të fjalëve të bukura që i elektrizojnë!
Para se të bëjmë fjalë për përparim dhe qytetërim në Shqipëri, le të vizitojmë fshatërat t’ona dhe le të shohim se si jeton njerëzia atje. Dhe në qoftë se do të marrim vetë njerinë, vetë jetën e tij si kriter të përparimit e qytetërimit, ahere do të kuptojmë se ç’do të thotë me të vërtetë përparim e qytetërim dhe nga duhet të nisin këto. S’ka fjalë se s’duhet të jemi kundër përparimit e qytetërimit mekanik të sotmë. Po le të mos harojmë se një përparim e qytetërim i tillë mbytet në ujrat e Xarës, ç’duket në vurkun e Delvinës, perëndon me pikëllim në qindra e qidnra fshatëra shiqptar që i gjajnë Xarës dhe vurkut të Delvinës!
Më vjen ndërmen një prallë, që s’është prallë po e vërtetë si prallë. Një her e një koh ishin një tok të varfër, po kaq të varfër sa që s’kishin ku të futnin kokën. Grumbulloheshin bashkë me familjet e tyre nëpër kalive e nëpër kasolle, duke menduar se sa të lumtur duhesh të ishin ata që kishin nga një shtëpi, nga një vatrë. Atje pranë po ngrihesh me madhështi nja kala e bukurë zotërinjsh. Një ditë të varfërit vanë tek e zonja e kalasë që t’a pyetnin se ç’duhesh të bënin për të patur edhe ata nga një vatrë. E zonja e kalasë i dëgjoi me vërejtje dhe pastaj u tha:
-Dëgjoni, njerës të mirë, unë vetëm s’mund t’ju ndih të gjithë. Mirë po njoh shumë njerës me zemër, kam kushurinj këtu në atdhe e jashtë. Do të lut ata që t’ju falin nga një shtëpi të vogëlë.
Të varfërit u çuditën me këtë gjë, po shpresonin. Një ditë shkoi andej ai që ka qyçet e hazinesë së atdheut. Të varfërit e ndaluan dhe i kërkuan nga një shtëpi për të future kokën. Ai që ka kyçet e hazinesë së atdheut vuri dorën në xhep dhe nxori një shtëpi të vogëlë, të bukurë dhe me qeramidha të kuqa. Pastaj nisën të venë në atë vend kushurinj dhe miq të zonjës së kalasë, nga Brenda e nga jashtë, akoma që nga Amerika. Të varfërit i ndalonin të gjithë dhe u kërkonin nga një shtëpi. Mysafirët e zgjedhur shkuleshin gazit dhe thoshin:
Po një gjë e tillë s’na shkonte kurrë nga mëndja! S’na kërkojnë as bukë, as sadaka, po vetëm një shtëpi!
Me qenë se idea ishte e re dhe gjeniale, jepnin me zëmër. Një herë shkoi andej dhe kryetari i mësonjësvet të së gjitha shkollavet të atdheut. Të varfërit e ndaluna dhe i bënë kërkimin e zakonshëmë. Ahere kryetari i mësuesvet të së gjitha shkollavet të atdheut u tha:
Tani që kini nga një shtëpi, ju duhet edhe një shkollë. Pritni të nxjerr nga xhepi edhe një shkollë!
Këto gjëra i mësoi në Romë edhe Papa dhe u dërgoi edhe ai shtëpinë e tij. Kështu, brënda në pak kohë shtëpitë u shumaun dhe u bënë një fshat i bukur e i paqmë.