E Shtunë, 31 Tetor 2026

Video Meta-Prifti, zbardhet raporti i tre ekspertëve vendës

SHKRUAN: Leonard Bakillari 25-10-2011 15:24

Tiranë Tre ekspertët shqiptarë, të caktuar nga Gjykata e Lartë për ekspertimin e videos Meta-Prifti gati kanë përfunduar analizën e plotë të materialit, duke u dhënë përgjigje 17 nga 18 detyrave të caktuara nga gjykata. Ky fakt u konfirmua në seancën e djeshme nga eksperti Artur Rahmani, i cili tha se akt-ekspertimi është gati i përfunduar, por pa bërë publike përmbajtjen e tij, për shkak të plotësimit të një tjetër detyre. Por, sipas burimeve të MAPO-s, është bërë e mundur zbardhja e një pjese të ekspertimit, i cili hedh dyshime për burimin origjinal të provës: orën me të cilën pretendohet se është kryer regjistrimi, e ku ka patur ndërhyrje të shumta. Në akt-ekspertim paraqiten të paktën tre probleme, të cilat do t’i nënshtrohen debatit gjyqësor që po të zhvillohet për këtë çështje. Në përgjigje të pyetjeve të gjykatës, ekspertët fillimisht kanë analizuar orën e tavolinës, e paraqitur si provë në Gjykatën e Lartë nga organi i akuzës. Sipas ekspertëve, rezulton se në këtë orë hapësira e regjistrimit është 8 KG byte, por pa mundur të gjejnë gjurmë të video-përgjimit mes ish-zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Pavarësisht analizës së detajuar të orës së tavolinës, ekspertët nuk kanë konstatuar asnjë të dhënë për videon, e cila gjendet e plotë në Lap Topin që ish-ministri Prifti dorëzoi në prokurori. Pavarësisht mungesës së elementeve mbi gjurmë të video-përgjimit në këtë orë, ekspertët kanë zbuluar një tjetër detaj. Sipas burimeve, mësohet se ora në fjalë është përdorur si mjet regjistrimi për të tjera video, pasi në të vërehen ndërhyrje të shumta. Tre ekspertët kanë përcaktuar saktësisht numrin e ndërhyrjeve në orë, përfshirë datën dhe orën e saktë. Ndërhyrjet kryesisht kanë qenë me shkarkim materialesh prej saj, çka tregon se videot e regjistruara prej saj janë marrë nëpërmjet një fishi USB për t’u transferuar diku tjetër. Ndryshe nga eksperti amerikan Glen Bard, i cili arriti të sigurojë se regjistrimi nuk është kryer nga ora që u paraqit si provë, ekspertët shqiptarë kanë përparuar analizimin e të dhënave, duke konfirmuar se ora ka pasur ndërhyrje të shumta. Mungesa e gjurmëve të videos Meta-Prifti në orë dhe ndërhyrjet e evidentuara, tregojnë se mungon burimi origjinal i provës, që është video-përgjimi, i cili gjithashtu i është nënshtruar ekspertimit. Lidhur me këtë pjesë të ekspertimit, burimet thanë se në momente të caktuara biseda mes dy protagonistëve në video është e patranskriptueshme. Duke mos dhënë detaje për origjinalitetin e videos, e cila nuk është mohuar as nga ish-zv.kryeministri Ilir Meta, tre ekspertët thonë që në disa pjesë nuk mund të dëgjohen fjalët e bashkëbiseduesve. Në këtë konkluzion ekspertët kanë arritur edhe pas pastrimit që u kanë bërë zhurmave në sfond, siç është edhe tik-taku i orës me të cilën është kryer regjistrimi.

1 Ora

Sipas ekspertëve, rezulton se në këtë orë hapësira e regjistrimit është 8 KG byte, por pa mundur të gjejnë gjurmë të video-përgjimit mes ish-zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti.

2 Ndërhyrjet

Tre ekspertët kanë përcaktuar saktësisht numrin e ndërhyrjeve në orë, përfshirë datën dhe orën e saktë. Ndërhyrjet kryesisht kanë qenë me shkarkim materialesh prej saj, çka tregon se videot e regjistruara janë transferuar diku tjetër.

3 Zëri

Në momente të caktuara, biseda mes dy protagonistëve në video është e patranskriptueshme. Tre ekspertët thonë që në disa pjesë nuk mund të dëgjohen fjalët e bashkëbiseduesve, edhe pas pastrimit të tik-takut të orës.

Ekspertiza: Asnjë gjurmë në orën e Priftit

Ekspertimi i kryer nga ekspertët shqiptarë rikonfirmon dy ekspertizat e mëparshme, të kryera nga eksperti amerikan Glen Bard dhe ai britanik Ardian Philips, të cilët arritën në konkluzionin se ora e paraqitur si provë nuk ka kryer filmimin, si dhe episode të caktuara të bisedës nuk mund të transkriptohen, pavarësisht pastrimit të zhurmave. Përfundimi i ekspertimit u konfirmua dje në sallën e gjyqit edhe nga eksperti Artur Rahmani, i cili tha se grupi i ekspertëve nuk i kishte dhënë ende përgjigje pyetjes së parë të gjykatës. Kjo detyrë kishte të bënte me krahasimin e materialit që ndodhet në DV-në e sekuestruar në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” me atë që gjendet në Lap Topin e dorëzuar në prokurori nga Dritan Prifti. Për realizimin e kësaj detyre gjykata u la një javë kohë ekspertëve, duke caktuar datën 31 për zhvillimin e seancës së ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›