Falë jush, Shqipëria ka kapërcyer procese të rëndësishme historike

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu uron Sali Berishën për rizgjedhjen si Kryeministër i Shqipërisë TIRANE – Kryeministri i vendit Sali Berisha, ka marrë dje një telegram urimi nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e rizgjedhjes në postin e kryeministri. Sejdiu vlerëson kontributin e kryeministrit Berisha në kapërcimin e sfidave të rëndësishme historike të Shqipërisë. “Dua t’ju shpreh urimet e mia më të përzemërta dhe të popullit të Republikës së Kosovës me rastin e rizgjedhjes suaj Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Republika e Shqipërisë tashmë ka kapërcyer procese të rëndësishme e historike dhe kontributi Juaj për këto të arritura të mëdha ka qenë tepër i veçantë. Duke qenë se sfidat dhe synimet tona janë të përbashkëta, ne jemi të përkushtuar që të punojmë së bashku për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të dy vendeve tona dhe të të gjithë rajonit”, shpreh Sejdiu në telegramin e tij të urimit. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thekson se Shqipëria dhe Kosova kanë mundësi të çmuara për thellimin e bashkëpunimit dypalësh. “Proceset demokratike nëpër të cilat po kalojnë Shqipëria dhe Kosova kanë hapur mundësi të panjohura më parë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha nivelet. Le të shpresojmë se këto zhvillime do të rriten me ritme të vrullshme! Me dëshirat e mia më të sinqerta për suksese të mëtejshme, ju lus, i nderuar Kryeministër, të pranoni ndjenjën e konsideratës sime më të lartë!”, përfundon telegramin e tij, presidenti Sejdiu, drejtuar kryeministrit Sali Berisha. Dy ditë më parë kryeministri Berisha shpalli qeverinë e re, përbërja e së cilës është rezultat i një konsultimi dy mujor. Përbërja e re e qeverisë do të duhet të marrë tashmë bekimin e Presidentit. Ky i fundit ka një afat kushtetues 7 ditor për të vendosur mbi këtë çështje. Pas kësaj, kryeministri së bashku me kabinetin dhe programin qeverisës do të votohen në kuvend.
...