E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përpjekjet e Rusisë për t`u anëtarësuar në OBT

Rusia është përpjekur të hyjë në Organizatën Botërore të Tregëtisë që nga viti 1993 ndërsa tani zyrtarët rusë thonë se shpresojnë të bëhen anëtarë deri nga fundi i vitit.

Organizata Botërore e Tregëtisë me 153 anëtarë, apo siç njihet ndryshe OBT, është një agjenci që vëzhgon rregullat e tregëtisë ndërkombëtare. Ajo u krijua në vitin 1995, duke zëvendësuar organizatën e njohur si Marrëveshja e Përgjithshme mbi Tregëtinë dhe Tarifat, apo GATT-i.

Ekspertët thonë se procedura për t`u bërë anëtar i OBT-së është komplekse. Së pari, një vend duhet të pranojë një seri marrëveshjesh. Ato përfshijnë një tavan të nivelit të tarifave që qeveritë mund të vendosin mbi mallra të ndryshme që importojnë dhe marrëveshje të tjera që kanë të bëjnë me mbrojtjen e pasurisë intelektuale. Përveç pranimit të të gjitha rregullave të OBT-së, vendi duhet të bjerë dakort të vendosë marrëveshje dypalëshë tregëtare me të gjitha vendet që dëshirojnë një gjë të tillë. Dhe së fundmi, një vend mund të ndryshojë shumë nga ligjet e tij ekonomike dhe tregëtare për t’i bërë ato në përputhje me standartet ndërkombëtare.

Vendi i fundit që iu bashkua OBT-së ishte Ukraina në 2008. Rusia ka negociuar për 18 vjet. David Christy, avokat dhe ekspert i tregëtisë i cili ka ndihmuar qeveritë për t`u anëtarësuar në OBT thekson se një vend që kërkon të anëtarësohet dhe është serioz në përmbushjen e kërkesave të OBT-së, mund të bëhet anëtar brenda 3 apo 4 vjetësh.

“Kur një vend si Rusia apo Kina bëhet anëtare, zakonisht duhet një kohë më e gjatë, pasi ekonomia është më komplekse, por gjithashtu ata negociojnë shumë për të minimizuar detyrimet që duhet të marrin mbi vete. Rusia ishte e gatshme ta shtynte anëtarësimin në mënyrë që të siguronte që detyrimet të ishin sa më të pakta. Dhe në këtë pikë, falë negociatorëve ata kanë bërë një punë të shkëlqyer” ka shtua ai.

Ekspertët thonë se për anëtarësimin e Rusisë në OBT mbetet një pengesë madhore dhe kjo është kundërshtimi i Gjergjisë. Sipas rregullave të OBT-së çdo anëtar mund të bllokojë një vend të ri të anëtarësohet duke i vënë thjesht veton, pasi organizata operon me konsensus.

Gjeorgjia kundërshton me forcë mbështetjen që u jep Rusia rajoneve separatiste të Abkazisë dhe Osetisë Jugore. Moska dhe Tbilisi luftuan për disa javë në vitin 2008. Rusia i konsideron ato tani dy shtete të pavarura, status i papranuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur hyrjen e Rusisë në OBT por në të njëjtën kohë thonë se nuk do t`i bëjnë presion Gjeorgjisë të ndryshojë pikëpamjen e saj.

Të enjten Gjeorgjia pranoi një propozim të Zvicrës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregëtare me Rusinë dhe tha se nuk do të bllokojë hyrjen e Rusisë në OBT. Qeveria gjeorgjiane thotë se propozimi jep garanci për mbikëqyrje ndërkombëtare të të gjitha mallrave që kalojnë mes Rusisë dhe rajoneve separatiste të Abkazisë dhe Osetisë Jugore. Rusia, ende nuk ka kthyer përgjigje, por shton se do t`i duhen disa ditë për ta studiuar propozimin.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›