Përplas në gjendje të dehur eskortën e kryeministrit, largohet nga deetyra shefi i policisë rrugore
Shefi i Policisë Rrugore Krenar Ahmeti që sonte u shkarkua nga detyra, ka përplasur me makinë në gjendje të dehur, eskortën e kryeministrit të vendit, Sali Berisha.
Lajmi konfirmohet për agjencinë e lajmeve NOA, nga burime qeveritare. Sipas tyre, Ahmeti, në gjendje të dehur, ka aksidentuar automjetin e shoqëruesve të parë të kryeministrit.
Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në kryeqytet, kur shefi i policisë rrugore të Tiranës, i njohur si një njeri prepotent dhe arrogant me qytetarët, një pjesë e të cilëve kanë bërë dhe denoncime penale ndaj tij, ka qenë me automjetin e detyrës që mbante deri pasditen e djeshme, kur është përplasur me makinën zyrtare të kryeministrit.
Policia u rezervua të konfirmojë nëse ka pasur të lënduar në këtë ngjarje.
Menjëherë pas ngjarjes, Ahmeti e ka braktisur zonën e aksidentit dhe u largua, kurse atje ka mbërritur Drejtori i Policisë së Tiranës, Drejtues i Parë, Tonin Vocaj, i cili ka konstatuar ngjarjen.
Ndërkaq kryepolici i sapoemëruar Vocaj, ka thirrur dhe Ahmetin dhe sapo ka parë që ai ishte në gjendje të dehur, ka vendosur menjëherë pezullimin dhe pastaj shkarkimin e tij nga detyra.
Në vend të Krenar Ahmetit, Vocaj ka emëruar Nazmi Shulin.
Agjencia e lajmeve NOA, ka bërë të ditur pak kohë më parë denoncimet e qytetarëve në lidhje me veprimet abuzive të kryera nga Ahmeti.
NOA