Pronarët do ndëshkojnë me votë
Pronarët e ligjshëm që prej 18 vjetësh po presin kthimin me ligj të pronave të trashëguara, që iu janë grabitur nga regjimi i diktaturës, janë informuar nga mediet se më datën 12 janar 2009, zoti Bamir Topi priti në një takim të gjatë pune kryesinë e shoqatës tonë.
Së pari, dëshiroj në emër të gjithë pronarëve, të falënderoj zotin Bamir Topi, që iu përgjigj shpejt kërkesës sonë për këtë takim. Ai dëgjoi edhe një herë kërkesat dhe argumentet tona se futja e Shqipërisë në rrugën e demokracisë dhe shkëputja nga anarkia institucionale 18-vjeçare duhet të fillojë me respektimin e titujve të mirëfilltë të pronësisë, në përputhje me detyrimet kushtetuese. Ne i kërkuam z. president, që ligjet për pronat të jenë në përputhje me nenin 181 dhe 41 të Kushtetutës në fuqi dhe theksuam se kërkojmë frenimin e procesit të kompensimit dhe të legalizimeve absurde, vendosjen në plan të parë të përfundimit të procesit të kthimit dhe shpalljen e pavlefshmërisë për aktet ekstraligjore, të kryera në shkelje të ligjit dhe në shkelje të kompetencave. Shpjeguam edhe një herë, përse kompensimi, kështu siç ka filluar, është një farsë që nuk mund të mashtrojë askënd dhe, sa më gjatë të vazhdojë kjo gënjeshtër, shtohet edhe një faturë financiare për të gjithë popullin dhe për shumë breza. Nuk jemi kundër kompensimit ose legalizimit, por kompensimi aktual është në kundërshtim me parimet kushtetuese, nga ana tjetër kompensimi vetëm për 200 metra katrorë dhe me çmimet qesharake, dhe atëherë kur pronarit t’i të vijë radha, është mashtrim për Bashkimin Evropian dhe akte që përbëjnë tallje me të drejtën e ligjshme të popullit. Siç e kam thënë në një intervistë edhe kohë më parë, këto shuma, që mund të mos mjaftojnë as për të shlyer shpenzimet e varrimit për pronarin e grabitur nga pushtetarët, janë një veprim antikushtetues dhe antiekonomik, që i shkon për shtat vetëm peshkaqenëve të mafies së tokave.
Pasi dëgjoi me vëmendje të pranishmit, që pa përjashtim kërkuan kthimin dhe kundërshtuan këtë farsë kompensimi si zëvendësues të kthimit fizik që po shërben për pasurimin e politikanëve të papërgjegjshëm dhe të korruptuar, Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, i pranoi si të drejta ankesat tona, e quajti të papranueshëm faktin se kanë kaluar 18 vjet dhe çështja e pronës mbahet e pazgjidhur. Presidenti sqaroi se miratimi i një ligji të ri që të kthejë pronat në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe kërkesat e BE, i përket forcave politike që përfaqësohen në parlament, por AI u angazhua se do të mbështesë institucionet kushtetuese, që të zbatojnë detyrimin për pronat që i vjen nga Kushtetuta, Për sa më sipër, shoqata i kërkon pronarëve të ligjshëm të dëgjojnë dhe të mbështesin kërkesat e shoqatës, të mos mashtrohen nga demagogjia se zgjidhja do të vijë nga kompensimi dhe pronën e tyre ta gëzojnë politikanët. Pronarët e pranojnë kompensimin vetëm për ato prona që shfrytëzohen për nevoja publike dhe për ato prona që para vitit 1991, kohë kur në fuqi ishte Kushtetuta komuniste e vitit 1976, janë tjetërsuar dhe janë zënë me ndërtime banimi. Kompensimi duhet të bëhet, pasi të përfundojë procesi i kthimit.
Iu kërkojmë pronarëve që të ndëshkojnë me votën, dhe me fjalën e tyre të lirë, të gjithë ata politikanë që do ta vonojnë më tej ose do ta kundërshtojnë kthimin fizik të pronës tek i zoti duke servirur demagogjinë e kompensimit.
Ky i ashtuquajtur kompensim që propagandohet synon të maskojë problemet ekzistuese dhe është farsë që bëhet për të mashtruar institucionet ndërkombëtare, por jo pronarët. Zgjatja e kësaj anarkie institucionale, kur vetë shteti shkel Kushtetutën, e shton rrezikun për çekuilibrime sociale dhe shtjellime negative. Edhe në pikëpamjen tonë kompensimi është i domosdoshëm, por pas përfundimit të procesit të kthimit dhe duhet bërë në përputhje me nenin 41 dhe 181 të Kushtetutës. Procesi i kthimit që akoma nuk ka përfunduar dhe ai i kompensimit janë detyrime për shtetin dhe të tilla i përcakton dokumenti i dt. 20 dhjetor 2006 i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që në pikën nr. 191 thotë: “Autoritetet shqiptare duhet të shpejtojnë procesin, në mënyrë që të përfundojnë regjistrimin dhe kthimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist dhe po ashtu dhënien e kompensimeve në përputhje me të drejtat kushtetuese për pronën si dhe Nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.”
Kërkesat e pronarëve për kryeministrin, qeverinë dhe deputetët
Kthimi i pronës tek i zoti është sot sfida më e madhe para kryeministrit, z. Sali Berisha, si përfaqësues i mazhorancës dhe gjithë deputetëve dhe forcave parlamentare, nëse sinqerisht e duan Shqipërinë si gjithë Evropa. Kthimi i pronës është i thjeshtë, nëse qeveria dhe Kuvendi do të dëgjojnë zërin e arsyes, do të respektojnë betimin se “Do respektojnë Liritë dhe të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën” dhe se nuk do të mbrojë më tej përfitimet e paligjshme të oligarkisë postkomuniste duke propaganduar kompensimin në vend të kthimit.
Korrigjimi i politikës së papërgjegjshme dhe dëmprurëse të derisotme me pronën, kërkon konsensusin politik Sali Berisha-Edi Rama (mazhorancë-opozitë), që pronarëve t’iu kthehet fizikisht prona e tyre e poseduar padrejtësisht nga shteti i diktaturës, duke respektuar titujt e mirëfilltë të pronësisë. Platforma e deritanishme është dështim dhe falimentin i llogaritur. Situata kërkon seriozitet nga qeveria dhe Kuvendi dhe mund të zgjidhet me amendimin e ligjit 9235, ku të specifikohet që kthimi dhe kompensimi i pronës të jenë detyrim i shtetit.
Ja sugjerimet e shoqatës për zgjidhjen e drejtë të problemit të pronës.
1. Zgjidhja e problemit të pronës dhe reforma e pronës në përputhje me kërkesat e Këshillit të Evropës, (dokumenti nr. 11115 datë 20.12.2006, neni 191) dhe me detyrimet kushtetuese, duke respektuar titujt e pronësisë, të pranohet me ligj si detyrim i shtetit.
2. Ky proces të ndahet në dy faza të veçanta: kthimi dhe pas përfundimit të kthimit të fillojë kompensimi.
3. Qeveria me instrumentet e saj, duhet të ndajë dhe dallojë se cilat janë prona ku shteti gëzon ligjërisht titujt e mirëfilltë të pronësisë (konform me nenin 41/2 të Kushtetutës) dhe cilat janë prona që shteti i diktaturës iu grabiti pronarëve të ligjshëm dhe që duhet t’u kthehen fizikisht të zotëve. Pas vitit 1991, prona e grabitur ligjërisht nuk është pronë e shtetit. Shteti nuk ka titull pronësie mbi këto prona, dhe të shpronësuarit asnjëherë edhe në kohën e diktaturës, nuk i kanë humbur titujt e pronësisë. Pra, shteti demokratik i pas vitit 1991, nuk ka punë me pronat tona, por ka detyrim kushtetues t’i kthejë sa më parë pasuritë e grabitura padrejtësisht te pronarët e ligjshëm, përndryshe ecet drejt shitblerjes dhe tjetërsimit të Shqipërisë sipas interesave klanore dhe krijimit të një sistemi ekonomiko-shoqëror hibrid dhe të paqëndrueshëm nga çdo pikëpamje.
4. Në pronat që duhen kompensuar qeveria duhet të përcaktojë vetëm ato prona që janë tjetërsuar për ndërtime banimi para vitit 1991 ose edhe sot vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike konform ligjit, por jo pronat e përfituara padrejtësisht pas vitit 1991 nga politikanët dhe klanet e tyre.
5. Qeverisë t’i përcaktohet një afat kohor për kthimin fizik sipas dokumenteve para vitit 1945. Kthimi t’i bëhet trungut familjar të trashëgimlënësit, pronar i ligjshëm (kthim fizik, pavarësisht nga zëri kadastral dhe jo kthim të pjesshëm vetëm trashëgimtarit që jeton në fshat, se kjo ka futur konfliktin deri brenda familjes). Faza e kthimit me ndihmën e shoqatës sonë, të shoqatës “AK Bregdeti” dhe të komunitetit të pronarëve të çdo fshati, nëse do të ketë vullnet politik, mund të realizohet brenda pak javëve, duke mbyllur këtë burim kryesor të korrupsionit pushtetar dhe burim të konflikteve midis pronarëve të ligjshëm dhe pronarëve falsë e të përkohshëm, që ka krijuar politika e pas vitit 1991. Ne kërkojmë që pronarët të ndëshkojnë me votë ato forca politike që fushatën për kthimin e pronës do ta fillojnë pak para fushatës elektorale, sepse rezultati do të jetë edhe një ligj ose amendim tjetër për të fituar votat, ashtu siç është bërë për 18 vjet.
6. Të shpallen të pavlefshme të gjitha aktet, me të cilat drejtuesit e institucioneve shtetërore, pas vitit 1991, e kanë transferuar pronën e subjekteve të shpronësuar në persona të tretë.
7. Pronarëve të ligjshëm t’u kthehet plotësisht prona dhe e drejta e parablerjes së objekteve të ngritura mbi tokat e tyre dhe të privatizuara nga pushtetarët sipas interesave klanore.
8. Zhdëmtim ose sipas rastit vlerësim dhe detyrim financiar, personave të tretë, që këto vjet i kanë përfituar padrejtësisht dhe po i shfrytëzojnë pronat e pronarëve të ligjshëm.
9. Pas përfundimit të kthimit të fillojë faza e kompensimit.
10. Kompensimi të bëhet me prona të mirëfillta të shtetit, që përbëjnë mbi 52% të pronës.
11. Hartat e tokave të lira dhe hartat e çmimeve, fondi për kompensim etj., janë të nevojshme vetëm për fazën e kompensimit dhe mund të bëhen vetëm pas përfundimit të kthimit.
12. Kompensimi të parashikohet vetëm për pronat që vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike, si dhe ato prona, të cilat që nga viti 1944 deri 1991 janë tjetërsuar për godina banimi. Këto nuk përbëjnë asnjë problem, sepse janë pak. Shteti është pronar i ligjshëm për 52% të pronave dhe nëse kjo pasuri do të çlirohet nga grabitja, e organizuar nga politikanët, qeverisë aktuale i del dhe i tepron të kompensojë shumë herë më tepër nga sa janë nevojat reale për kompensim, pa krijuar deficite financiare, për të cilat i gjithë buxheti i shtetit nuk mjafton për disa qindra breza.
Kjo është e vetmja alternativë që mundëson anëtarësimin në NATO dhe plotëson një nga parakushtet që ka vendosur Këshilli i Evropës për qeverinë shqiptare dhe shmang jo vetëm krizën financiare, por dhe atë sociale që i kanoset vendit nga kjo politikë e verbër antipronar.
Shpresojmë se kjo kërkesë do të dëgjohet nga politikanët shqiptarë, por dhe nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, të BE, FMN, Bankës Botërore dhe USAID, në mënyrë që mbështetja e tyre për politikën shqiptare të kushtëzohet dhe të jetë në dobi të demokracisë dhe të shtetit ligjor.