Për miqtë e mi opozitarë dhe biografët pushtetarë
Dje ka qenë vërtet një ditë e sikletshme për mua. Përpos halleve të tjera që kam, m’u desh të dëgjoja dhe biografinë time të djeshme dhe të sotme bërë nga pushtetarët, dhe biografinë e djeshme dhe të sotme bërë nga opozitarët. Pushtetarët e djeshëm dhe pushtetarët e sotëm bashkohen në idenë se unë e teproj, kur shkruaj për ta. Kjo ka një të vërtetë. Unë jam gazetar i ashpër dhe, megjithëse s’kam ndërmend të bëj aspak autokritikë, mund të them se teprimi me ashpërsinë në gazetari nuk është ndonjë vlerë. Teprimi në gazetari vjen shpesh nga pafuqia për të ndikuar, nga prishja e sistemit të së vërtetës dhe përpjekja për t’i relativizuar ato. I ngjan pak a shumë një salle ku dikush flet, e të tjerët pëshpëritin për të prishur bisedën dhe detyrohesh të ngresh zërin. Deri këtu shkon teprimi në gazetari. Por në Shqipëri ka teprime të tjera më të mëdha dhe më të rrezikshme se tepria me ashpërsinë në gazetari. Dhe përballja ime si gazetar ka qenë me pushtetarët që e kanë tepruar me korrupsionin, me arrogancën, me monopolet dhe përpjekjen për kontroll dhe pse jo me abuzimet me vendin e tyre të punës. Këto teprime janë shumë herë më të dëmshme për shoqërinë shqiptare sesa një teprimi im në një shkrim që mund të ketë shqetësuar nënën apo babanë e dikujt që ka qenë, është dhe do të jetë nesër në pushtet.
E dëgjova me vëmendje mbrojtjen publike të zotit Rama dhe ndjehem mirë që kam sot mbështetjen e tij. Nuk kam asnjë kompleks nga të qenit një njeri në distancë me të, një lider, me të cilin s’kam pirë kurrë kafe apo s’jam ulur kurrë në ndonjë tavolinë. Ndjehem mirë që kam mbështetjen e tij, pasi ai është kandidati për kryeministër i Shqipërisë dhe mbështetja që ai më jep mua sot, është një dëshmi publike e tij se ai s’do të sillet nesër kështu siç sillet Sali Berisha me medien kritike. Duke më mbrojtur mua sot, ai është duke bërë një premtim të madh për nesër. Dhe, nëse gënjen, ne kemi dëshminë e tij dhe do ta bëjmë së paku të skuqet.
Jam dakord me atë që unë nuk kam qenë kurrë në anën e tyre, por natyrisht nuk jam dakord që kam qenë një pushkë e mbushur e Sali Berishës. Unë kam besuar tek ato që kam shkruar për socialistët në pushtet. Unë kam besuar te fenomenet negative që shoqëruan qeverisjen e Ilir Metës, kontrollin e butë përmes parave mbi medien, problemet që kanë shoqëruar lejet e ndërtimit në Tiranë, problemet që kanë shoqëruar shkatërrimin e Golemit nga projektet që vinin nga zyra e Ministrisë së Turizmit etj. Sali Berisha ka qenë kryetar i opozitës dhe atij natyrisht i kanë interesuar këto denoncime, i ka interesuar kjo frymë kritike, i ka interesuar dhe ndoshta ka mbijetuar nga besimi jonë se gjërat do të ndryshonin. Unë s’mund t’i kërkoj falje askujt pse kam besuar te ndryshimi, unë thjesht ndjej keqardhje për veten dhe besimin tim të humbur te njeriu që do ta ndryshonte qeverisjen. Fakti që unë tashmë jam në konflikt me qeverisjen e Sali Berishës nuk do të thotë se automatikisht ata që kam kritikuar më parë, kanë qenë engjëj dhe ky është djalli i vetëm në këtë tokë. Ky është djalli i fundit dhe unë ndjehem dyfish përgjegjës, se është një djall që mund ta kisha lënë të ngordhte, por e kam ringjallur. Ndjehem përgjegjës, pasi në një shoqëri pa shumë vlera institucionale si kjo e jona, shpeshherë kthejmë sytë te njerëzit që mund ta ndryshojnë, në vend të luftojmë që ta ndryshojnë institucionet. Dhe ky është një pësim i madh.
Por ka dhe ndryshime të tjera mes pushtetarëve të djeshëm dhe atyre të sotëm. Është e vërtetë se unë s’kam qenë kurrë në anën e tyre, por as ata s’kanë qenë kurrë në pozita kaq agresive dhe antiligjore sa pushtetarët e sotëm kundër medies. Unë i kam provuar të gjithë ata. Maksimumi shkonin te pakësimi i reklamave, te ndonjë proces gjyqësor apo izolim mediatik.
Sali Berisha është i pashembullt. Ky është përfshirë në një betejë urrejtjeje me medien kritike. Ky rrëmben ekskavatorë për të prishur shtëpi, për të prishur redaksi, për të mos përfillur gjykatat, për të të linçuar fizikisht para shtëpisë. Ky nuk di të ketë kundërshtarë. Ky di të të ketë armik dhe të të urrejë. Për këtë, ky natyrisht është shumë më i keq se ata që kanë qenë në pushtet.
Ky po ashtu nuk di të vjedhë apo të abuzojë si socialistët. Ata kishin më shumë klas në abuzime, më shumë demokraci në shpërndarjen e saj. Kishte monopole krahinore, monopole klientësh, monopole politike etj. Kurrë s’ka pasur monopole vetëm familjare. Çdo koncesion i dhënë në këtë vend kalon nga vajza e tij, çdo privatizim strategjik, si puna e ARMO-s, kalon nga vajza e tij, çdo biznes i nëndheshëm apo gjobëvënie kalon nga djali i tij, çdo parà në banka që i komandon ai, kalon nga banka e mbesës së gruas tij, për të vazhduar më tej me tenderë dhe licenca për njerëzit e familjes së tij. Ky është një regjim i pashembullt familjar që do ta kishin zili oborret feudale të shekullit të 19 në Shqipëri.
Gazeta ime dhe unë sot gjendemi në rrugë nga arroganca e një njeriu që ka humbur logjikën dhe i janë errësuar sytë, pasi dikush tregon me gisht nga makutëria e familjes së tij në pushtet. Një kryeministër i një vendi që do të hyjë në prill në NATO, është thjesht një i sëmurë psikik që flet përçart për shifra për shitje-blerje, rishitje, riblerje, tenderë, ankande dhe një sërë togfjalëshash pa kuptim që burojnë nga ndërgjegjja e njeriut të kapur në krim. Më shumë fajtor ndjehem unë që rasti im po i prish punë Shqipërisë dhe imazhit të saj në botë sesa kryeministri që e prodhon këtë imazh. Më shumë më vjen turp mua, kur dëgjoj broçkullat e tij haluçinante, sesa ai që i shqipton dhe ia dëgjojnë diplomatët perëndimorë në Tiranë. Por halli i gazetës sime dhe imi është shumë i vogël. Ne na kanë nxjerrë në rrugë dhe nuk na lënë të marrim as xhaketat që kemi lënë në zyrë, por një ditë do t’i marrim. Ne na kanë rrethuar me policë dhe nuk na lënë të prekim tastierat tona të kompjuterëve, por një ditë do t’i prekim. Ne na kanë bllokuar biznesin dhe na kanë detyruar dje të deklarojmë në tatime ngrirjen e veprimtarisë së kompanisë, por një ditë do ta rifillojmë. Halli që ka Shqipëria me këtë kryeministër dhe problemi që ka media shqiptare me këtë standard lirie është shumë herë më i madh. Këtë nuk e kënaq koka ime dhe e gazetës sime, edhe pse, siç ka thënë dikur Genc Ruli, kur gjykohej për drurin e arrës, “nuk jemi të gatshëm t’ia ofrojmë në tepsi”. Këtë nuk e kënaq asgjë që është e pasigurt. Dhe liria për të është një sistem i pasigurt, është një betejë ku mund të humbësh, ndaj Sali Berisha nuk është i qetë. Atë e shqetëson liria për të menduar, liria për të shkruar, liria për të guxuar dhe liria për ta mundur. Ndaj asnjë kufomë veç kufomës së lirisë nuk e qetëson. Atë s’ia japim dot.