Topi: Për pronat po flasin ata që po i grabisin, për dosjet ata që i kanë shërbyer komunizmit
Presidenti, Bamir Topi, ka deklaruar dje se ata njerëz që grabisin pronat, flasin për kthimin e tyre dhe ata që kanë qenë të lidhur me komunizmin, flasin për ligjin e dosjeve dhe lustracionin.
Presidenti i ka kthyer kështu përgjigje kryeministrit, Sali Berisha, i cili prej kohësh e akuzonte atë si të lidhur me komunizmin për shkak të dekorimit të një prokurori të asaj kohe. Topi tha dje se ai e ka kthyer atë dekoratë dhe ka kërkuar falje për të, por deklaroi se ai ishte një gabim dhe asgjë më shumë. Deklaratat e Topit u bënë gjatë një takimi me shoqatën “Pronësi me drejtësi”.
“Në këndvështrimin tim dhe nga informacionet që marr, ende abuzohet shumë me pronat. Kam bërë thirrje të herëpashershme, thirrje publike në takime zyrtare, me persona që mbulojnë institucione të rëndësishme në funksion të zbatimit të ligjit, çështja është mjaft komplekse. Shqetësimin tuaj unë e shoh mjaft të natyrshëm.
Edhe unë mendoj që ju nuk duhet të ndaloni thjesht me takimin me presidentin. Presidenti do të bëjë punën e vet brenda linjave kushtetuese. Jemi këtu dhe të gjithë zgjohemi në mëngjes me një ndjeshmëri për të parë titujt e gazetave. Shikoni me kujdes, sepse aty projektohen interesat, edhe politike, edhe private! Është e papranueshme, që ky problem shumë i rëndësishëm mos të trajtohet në linjë të pastër e të sinqertë nga të gjithë njësoj dhe është akoma më e papranueshme, sepse jetojmë në Shqipëri dhe pozicioni të lejon të marrësh shumë informacione që njerëz, të cilët i kanë zgjatur shumë duart nëpër pronat shtetërore dhe pronat e të tjerëve, flasin për parimet dhe për legjitimitetin e pronës. Është e papranueshme, është paradoks i vërtetë”, - tha Topi.
“Është e njëjta histori: çështja e pronës, e tha bukur zoti Mulleti, është analoge me çështjen e dosjeve të lustracionit. Shumë njerëz janë persekutuar gjatë regjimit komunist edhe për pronat e tyre dhe merr në konsideratë që ata që kanë pasur më shumë prona janë persekutuar më shumë. I morën pronën, i futën në burg, i internuan, pra janë gjëra që lidhen, gjëra që lidhen në mënyrë reale, por edhe psikologjike. Dhe akoma kjo psikologji vazhdon të projektohet fatkeqësisht edhe në vitin 2009, kur bëhet fjalë për interesa për prona, sepse dëgjojmë edhe fjalë që ata që kanë më shumë prona kanë mundësi që të bëjnë më shumë politikë. Që të bësh politikë, natyrisht kërkohet që të kesh një potencial ekonomik, kështu dëgjohen fjalët, nuk po them ndonjë gjë që nuk besoj ta keni dëgjuar edhe ju. Por gjëja më e papranueshme është kur deformohet realiteti, kur njerëz që njihen me gisht si zaptues pronash sjellin nën akuzë pikërisht njerëzit dhe kontingjentin e njerëzve, që janë më të ndershëm. Keni parë kur them që çështja e pronave shumë e ngjashme me çështjen e dosjeve të lustracionit. Njerëz që mund të kenë qenë të lidhur në një mijë mënyra me regjimin, ngrihen dhe akuzojnë të tjerë që s’kanë pasur asnjë lloj lidhjeje me regjimin. Pra, kësaj shoqërie duhet t’i kthehet morali! Gjashtë muaj është sulmuar presidenti për çështjen e një dekorate, që s’kishte të bënte me vullnetin e presidentit, një çështje totalisht sipërfaqësore, një dekorim totalisht i kthyer e i marrë në konsideratë për peshën e moralit kundrejt të përndjekurve politikë. Një procedurë e anuluar, e kthyer dhe sot fatmirësisht, edhe karshi kësaj çështjeje, jemi totalisht të pastër.
Kështu që ambienti nuk duhet të intoksikohet, nuk duhet të ndotet”, - vijoi presidenti.
Ai shfaqi dhe dyshimin se deklaratat e tij në këtë takim do deformohen. “Edhe nesër do dalin të flasin prapë. Edhe nesër do të dalin nëpër gazeta, do të dalin, do të mundohen ta deformojnë frymën e këtij takimi. Nuk ka rëndësi! E rëndësishme është që ne të ruajmë komunikimin me publikun për të ndërtuar shtetin e së drejtës, pastaj gjykimin e bën publiku”, - u shpreh presidenti.
Të përndjekurit-Topit: Rezerva për ligjin e dosjeve
Të përndjekurit politikë i kanë deklaruar presidentit rezervat për ligjin e lustracionit. Gjatë një takimi me kreun e shtetit, drejtuesit e Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë: kryetari i shoqatës, Adem Allçi, Sekretari i Përgjithshëm, Besim Ndregjoni dhe kryetari i Këshillit Kombëtar i Shoqatës Antikomuniste të Shqipërisë, Tomor Aliko i thanë presidentit se janë përjashtuar nga ky ligj pikërisht zyrtarët e lartë politikë të asaj kohe. Ata shprehën rezervat e tyre lidhur me nenin 4 të ligjit, i cili, sipas tyre, ka përjashtuar nga papajtueshmëritë e funksioneve publike kategori të tjera funksionarësh të lartë si ministrat, drejtuesit e institucioneve të tjera të larta politike apo shtetërore, sekretarët e partisë dhe zyrtarët e lartë të aparatit të Komitetit Qendror.
Drejtuesit e dy Shoqatave u shprehën për nevojën e zgjerimit të hapësirës së ligjit për pastërtinë e figurës së funksionarëve të administratës publike edhe për bashkëpunëtorët e agjenturave të huaja.
“Presidenti Topi, pasi i dëgjoi me shumë vëmendje shqetësimet e drejtuesve të dy shoqatave, i falënderoi për mendimet dhe i siguroi për mbështetjen dhe përkrahjen e Tij të plotë institucionale dhe njerëzore për këtë shtresë në drejtim të integrimit të saj në mbarë spektrin politik dhe shoqëror të vendit”, - thuhet në një njoftim të Presidencës.
Tashmë afati për të dekretuar ligjin e dosjeve është në limitin e tij, ndërsa presidenti duket se ka shtuar shanset për të mos dekretuar këtë ligj. Shumë ekspertë të huaj janë shprehur së fundmi në lidhje me këtë çështje, duke e kundërshtuar hapur ligjin e miratuar nga mazhoranca.