Freedom House: Me afrimin e zgjedhjeve, gjendja e lirive do përkeqësohet
Organizata Freedom House nxori dje raportin vjetor për të drejtat politike dhe liritë civile nëpër botë, ku thotë se liria ka pësuar sprapsje për të tretin vit radhazi në vitin 2008, në pjesën më të madhe të botës. Në raportin e këtij viti Shqipëria klasifikohet si vend pjesërisht i lirë, ndërsa Kosova si vend jo i lirë. Kolegia Isabela Çoçoli bisedoi me analistin Taylor Roelens, i cili ka ndjekur zhvillimet në Shqipëri dhe përgatiti materialin në vazhdim.
Analisti Taylor Roelens, i cili mbulon Shqipërinë, thotë se gjendja e lirive në vend nuk ndryshoi shumë në 2008 dhe në raport me vendet e tjera të rajonit është e dobët. Veçanërisht disa projektligje të miratuara nga fundit i vitit, thotë ai, do të ndikojnë negativisht në përshkrimin e gjendjes në Shqipëri edhe në raportin e organizatës Freedom House për vitin 2009.
“Një nga këto është ligji i ri zgjedhor që do të zbatohet këtë vit për herë të parë. Një tjetër ishte ligji i pastërtisë së figurave dhe i treti, ligji për Prokurorinë e Përgjithshme, i cili parashikon shtimin e kompetencave për Ministrinë e Drejtësisë për të kontrolluar dhe shqyrtuar veprimtarinë e Prokurorit të Përgjithshëm”.
Taylor Roelens thotë se rezultatet më të dobëta në pikë, Shqipëria i ka në fushat e korrupsionit, të transparencës dhe të funksionimit të shtetit ligjor, që përfshin edhe pavarësinë e gjyqësorit dhe zbatimin e ligjit. Edhe në fushën e lirisë në medies, thotë zoti Roelens, gjendja lë shumë për të dëshiruar.
“Rezultati është gjithashtu i ulët për sa i përket lirisë së shtypit. Kjo ka të bëjë me përzierjen e interesave të fuqishme të biznesit, të politikës dhe të medies, që pengojnë zhvillimin progresiv të mjeteve të pavarura të informimit”.
Në këtë kontekst, Taylor Roelens përmend kërcënimet dhe sulmet ndaj medies, si dhe denigrimin që i bëhet medies nga politika.
“Shpesh kryeministri e denigron medien dhe e akuzon atë për lidhje me krimin e organizuar, pa i mbështetur këto akuza në të dhëna faktike. Pra, ekziston një atmosferë e përgjithshme armiqësore ndaj kritikave të medies”.
Viti 2008, thotë zoti Roelens, ishte i mbushur me një sërë zhvillimesh negative në Shqipëri, duke filluar në muajin mars me shpërthimin në një objekt për çmontimin e municionit në Gërdec, ku gjetën vdekjen 26 vetë dhe u bë shkak për zhvendosjen e mijëra të tjerëve nga shtëpitë e tyre. Po në atë muaj, thotë ai, doli se Shqipëria ishte pikë tranziti për dërgimin e municioneve kineze në Afganistan nëpërmjet një kontraktuesi amerikan. Një nga dëshmitarët kryesorë në këtë skandal më vonë gjeti vdekjen në aksident automobilistik. Megjithëse hetimet nuk rezultuan në krim kundër jetës së dëshmitarit, rasti ka ngritur shumë pikëpyetje për shtetin ligjor në Shqipëri, thotë Taylor Roelens. Me afrimin e zgjedhjeve, thotë analisti i organizatës Freedom House, gjendja e lirive kryesore në Shqipëri ka shumë mundësi të përkeqësohet.
Raporti me titull “Freedom in the World 2009”, analizon gjendjen e të gjitha 193 vendeve dhe 16 territoreve strategjike në botë dhe i klasifikon ato në tri kategori, të lira, pjesërisht të lira dhe jo të lira, bazuar në qëndrimin e tyre ndaj lirive themelore.