E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplaset makina e funeralit, vdes drejtuesi

Makina kishte shkuar që të merrte trupin e një të vdekuri por gjatë rrugës Shkodër- Lezhë është përplasur me kamionin


SHKODËR- Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur dje rreth orës 20.00 në rrugën nacionale Lezhë- Shkodër, në kthesën e Beltojës. Si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën shtetasi, Gjon Shulka, vjeç 45 banues në komunën Velipojë të Qarkut të Shkodrës. Katër automjete janë përfshirë në këtë aksident ku humbi jetën drejtuesi i makinës me targa "TR 6074 M", e cila shërben për agjenci funeralesh.

Drejtuesi i automjetit, po udhëtonte nga Shkodra në drejtim të Tiranës për transportimin e një trupi të pajetë për në banesën e fundit por fatkeqësisht ka gjetur vdekjen si pasojë e përplasjes me Kamionin tip Saurrel, me targa "SH 1736D". Sipas dëshmitarëve në vëndin e ngjarjes, drejtuesit i kamionit tip Saurrel, ishte drejtuar nga qyteti i Shkodrës, e pikërisht në vendin e quajtur kthesa e Beltojës, fillimisht ka evituar përplasjen me një automjet, tip Benz ML fuoristradë me targa të huaja. Në tentativë për ti shpëtuar, përplasjes, drejtuesi i Saurrelit, nuk ka mundur të shmangë përplasjen, me automjetin e funeraleve, të cilin e ka përplasur në murin mbrojtës, të rrugës, ku si pasojë e kësaj përplasjeje ka humbur jetën dhe shtetasi Gjon Shulka. Por epopeja e përplasjeve nuk mbaron me kaq.

Pasi ka aksidentuar për vdekje shtetasin Shulka, automjeti tip kamion, është përplasur dhe me një automjet tip Fiat Punto me targa të huaja, e cila po udhëtonte nga Shkodra në drejtim te Lezhës, por fatmirësisht, si pasojë e përplasjes nuk ka pasur viktima të tjera vetëm dëme materiale. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë uniformat e policisë së Shkodrës, të cilët kanë bërë të mundur shoqërimin në ambientet e komisariatit drejtuesin k Kamionit tip Saurrel me targa "SH 1736 D", shtetasin Fartbardh Boshti 35 vjeç, banues në lagjen "Qafë Kala" në Shkodër. Efektivë të policisë së Shkodrës, kanë kryer veprimet e duhura hetimore për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti tragjik, nga ku humbi jetën shtetasi, Gjon Shulka 45 vjeç.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›