Përplaset treni me autobusin: vdesin 6 fëmijë shkolle
Një tragjedi e vërtetë ka ndodhur në alpet franceze pasditen e djeshme. Një tren ka goditur një autobus shkolle në afërsi të kufirit me Zvicrën, duke marrë jetën e 6 fëmijëve. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të një pikëkalimi pranë qytetit të Alinges në rajonin francez të Haute-Savoire. Veç të vdekurve, rreth 30 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur në përplasje. Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, u ka dërguar ngushëllimet e tij familjeve të viktimave, ndërkohë që ka nisur menjëherë hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë. "Të gjithë ne veçse mund të shpresojmë që të ketë sa më pak viktima dhe të plagosurit të shërohen", ka deklaruar Presidenti francez, Sarkozi. Treni po udhëtonte ndërmjet qyteteve të Evianit dhe Thoron-les-Brains në momentin kur u ndesh me autobusin. Në të ndodheshin 50 fëmijë dhe 6 të rritur. Sipas një zyrtari të rajonit, katër nga fëmijët në autobus ishin të dëmtuar rëndë. Për sa i përket trenit të pasagjerëve, ai nuk kishte pësuar asnjë dëm. Gjithë hetimet do të përqendrohen në shpejtësinë e trenit dhe të autobusit në momentin e përplasjes. Ky aksident, ku kanë humbur jetën shumë fëmijë, i ka tronditur shumë francezët, të pamësuar me aksidente të tilla të rënda.