E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autobombë pranë ambasadës daneze në Islamabad: 6 viktima

Gjashtë persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë janë plagosur pas shpërthimit të një autobombe në afërsi të ambasadës daneze në kryeqytetin pakistanez, Islamabad. Mes të vdekurve është edhe një punonjës i ambasadës. Menjëherë pas këtij akti, që ka tronditur rëndë gjithë punonjësit e ambasadës, Kryeministri i Danimarkës, Rasmunsen, e quajti një akt të tillë "kriminal" dhe deklaroi se një veprim i tillë i dhunshëm dhe i dënueshëm nuk do t‘i ndryshojë politikat daneze. Nuk dihet ende se kush i kreu sulmet, ndërkohë që grupi më i madh i armatosur pakistanez ka deklaruar pushim zjarri. Disa ambasada të Danimarkës në vende të ndryshme të botës janë kërcënuar rëndë që pas publikimeve të karikaturave të profetit Muhamed në një gazetë daneze në muajin shkurt. Sipas islamikëve, këto karikatura ishin tallëse për profetin e tyre dhe si pasojë të papranueshme dhe të patolerueshme. Kur ato u publikuan për herë të parë në vitin 2005, reaksioni i një pjese fanatike myslimanësh ishte i madh dhe pati reagime në shumë vende të botës. Madje edhe liderë të Al Kaedës i denoncuan këto publikime në videot e tyre. Danimarka ka gjithashtu edhe 700 trupa që luftojnë talebanët në zonën më të rrezikshme në jug të Afganistanit. Për sa i përket Kryeministrit Ramunsen, ai e konsideroi këtë si një sulm kundër Danimarkës, duke shtuar se vendi i tij nuk do të ndryshonte politikën e jashtme për shkak të një sulmi terrorist. Menjëherë pas shpërthimit, ambasada norvegjeze u mbyll deri në një afat të papërcaktuar, ndërsa ajo daneze u bëri thirrje të gjithë qytetarëve danezë që për një farë kohe të shmangin udhëtimet në Pakistan.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›