"Ka strehuar të arrestuarit ‘terroristë‘ në anije-burg"
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përdorin "burgjet lundrues" për të mbajtur të arrestuarit në emër të luftës kundër terrorizmit. Sipas disa juristëve të të drejtave të njeriut, ka pasur gjithashtu tentativa për të fshehur numrin real të të burgosurve dhe vendndodhjen e tyre. Detaje në lidhje me anijet ku mbahen të burgosurit, si dhe vendet në zona të ndryshme të globit ku mendohet se janë strehuar të arrestuarit, janë grumbulluar dhe sistemuar, ndërkohë që është intensifikuar debati për çështjen në fjalë në të dyja anët e Atlantikut. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është vënë nën presion për të ofruar listën e plotë të personave të arrestuar, si dhe vendosjen e tyre. Informacionet në lidhje me ekzistencën e anijeve-burg kanë dalë nga një numër i madh burimesh, përfshi deklarata të ushtrisë amerikane, Këshillit të Evropës dhe pretendimeve se që nga viti 2006, kur Bush deklaroi se praktikat e deriatëhershme nuk do të përdoreshin më, ka pasur edhe 200 raste të reja burgosjesh të dyshimta. Shqetësimi më i madh aktualisht ka të bëjë me pyetjet që janë ngritur ndaj informacioneve për përdorimin e anijeve si burgje lundruese dhe kërkohet ndërmarrja e hetimeve në Britaninë e Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas një hetimi të ndërmarrë nga një grup i të drejtave të njeriut, Shtetet e Bashkuara mund të kenë përdorur rreth 17 anije si "burgje lundrues" që nga viti 2001. Të burgosurit merren në pyetje në bordin e anijeve dhe më pas dërgohen në vende të tjera të fshehta. Sipas hetimeve, anijet kanë lundruar në territoret përreth territoreve britanike të Diego Garcias në oqeanin Indian, që është përdorur edhe si bazë ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Grupi amerikan i të drejtave të njeriut, "Reprieve", deklaron se zgjedhja e anijeve nga ana e autoriteteve amerikane është bërë në mënyrë që kjo shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut të kryhej sa më larg që të ishte e mundur nga sytë e medias dhe juristëve. Ajo çka ky grupim synon është që të burgosurit fantazma të zbulohen dhe t‘u ofrohet e gjithë ndihma që kanë të drejtë të kenë në raste të tilla. "Me miratimin e saj, qeveria amerikane mban aktualisht të ndaluar 26 mijë persona që nuk janë gjykuar dhe që ndodhen në vende të fshehta. Sipas këtyre informatave, rreth 80 mijë persona janë përfshirë në këtë operacion që nga viti 2001. Grupi i të drejtave të njeriut i ka bërë thirrje qeverisë amerikane që ajo të publikojë menjëherë emrat e personave që mbahen në vende të fshehta dhe këtë duhet ta bëjë si shenjë të dedikimit të saj ndaj respektimit të të drejtave të njeriut. Sipas tyre, duhet të jepen edhe për secilin informacione në lidhje me fatin e tyre. Ndërkohë, britanikët kanë reaguar menjëherë. Zëdhënësi i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit britanik, Edward Davery, deklaroi se nëse administrata e Bushit po i përdor territoret britanike për veprime të paligjshme, atëherë besimi mes dy vendeve do të pësojë një çarje të madhe.