Perplasja fizike mes efektive te policise dhe civileve

Efektiv të skuadrës së operacioneve speciale janë përfshirë në një grindje me grushta dhe mjete të forta, e cila ka shkaktuar dy të plagosur, njëri prej të cilëve në gjëndje të rëndë.
Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites kur dy efektivë të skuadrës speciale të policisë së Tiranës ishin duke lëvizur me automjetin e tyre tip BMË.
Gjatë lëvizjes mjeti i tyre është fërkuar me autobusin që transporton punëtorët e një kompanie pijesh freskuese me targa të Tiranës TR 3720 F.
Nga mjetet mësohet se janë shkëmbyer fjalë fyese dhe të shara. Automjeti BMË ka ndjekur autobusin deri në sheshin para ish-kafe Flora ku ai po zbarkonte pasagjerët.
Efektivët e operacioneve speciale kanë dalë nga mjeti i tyre dhe kanë nisur të debatojnë dhe të përfshihen në konfrontim fizik me shoferin e autobusit dhe persona të tjera që gjendeshin me të.
Nga grindja janë thyer thuajse të gjithë xhamat e autobusit. Në këto momente kanë ndërhyrë edhe shoferi dhe fatorino i autobusit të linjës Kamëz-Tiranë me targa AA 855 BN, që ndodhej aty për të ndarë sherrit, pa e ditur se do të bëhej palë në sherr.
Shoferi i autobusit të Kamzës ka marrë plagë të rënda nga goditjet në kokë, ndërsa në këtë moment kanë mbërritur dhe shërbimet e Komisariatit numër 3 të Policisë së Tiranës.
U është dashur të kalonin disa minuta që policët e komisariatit të mësonin që kishin të bënin edhe me kolegët e tyre të operacioneve speciale.
Policia shoqëroi të gjitha palët, ndërsa pritej të ngrihej akuzë ndaj një efektivi të operacioneve speciale dhe drejtuesit të autobusit të kompanisë së pijeve freskuese.