Rama me punonjësit e mirëmbajtjes: Të rrisim cilësinë e punës për qytetarët
Rritja e cilësisë së punës në mirëmbajtjen e infrastrukturës së qytetit të Tiranës ka qenë dje në fokus të diskutimit të kreut të Bashkisë së Tiranës Edi Rama. Gjatë një takimi me stafin e punonjësve të Ndërmarrjes "Punëtorët e Qytetit Nr.2", kryebashkiaku ka përgëzuar këta punonjës për impenjimin e deritanishëm. Nga ana tjetër duke theksuar faktin që Tirana është një qytet që rritet përditë dhe ku kërkesat rriten gjithashtu ai vuri në dukje faktin që kësaj strukture i rritet edhe përgjegjësia. "Dua t'ju përgëzoj, sepse falë punës suaj, ne sot kemi një qytet shumë më të mirëmbajtur në të gjithë infrastrukturën e vet dhe investimet e bëra me taksat e qytetarëve janë shumë më të garantuara sepse mirëmbahen, por njëkohësisht dua t'ju kërkoj që kjo punë të bëhet edhe më intensive dhe që cilësia e punës në njësinë e kohës të rritet akoma më shumë" u shpreh Rama. Ai theksoi se qytetarët duhet të marrin një shërbim më të mirë pasi janë pikërisht ata që paguajnë edhe taksat.