E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja për pronën, vritet 39-vjeçari

20/05/2009  Ngjarja në Plazhin e Durrësit. Viktima Agron Bodeli, në kërkim Gani Kapiti

DURRES- Një ditë pasi Bashkia e Durrësit ka hapur sezonin turistik, rëra e bregdetit të Plazhit është përgjakur si pasojë e një konflikti të lindur disa muaj më parë. Shtetasi Agron Bodelli është qëlluar me çifte në kokë brenda kantierit të ndërtimit ku kishte hedhur themelet për ndërtimin e një pallati të lartë buzë deti. Policia ka akuzuar për këtë ngjarje të rëndë shtetasin Gani Kapiti, 50 vjeç, dhe e ka shpallur në kërkim, ndërkohë që në polici janë shoqëruar disa pjesëtarë të familjes dhe nipër të Kapitit për të dëshmuar për ngjarjen. Sherri që pasoi në mesditën e djeshme me vrasjen në breg të rërës të shtetasit Agron Bodelli ka filluar pas kundërshtimit të shtetasit Gani Kapiti pronar i lokalit “Drenica”, në lagjen numër 13 në Plazh.

Krimi

Ngjarja e rëndë me pasojë vdekjen e shtetasit Agron Bodelli ka ndodhur në sektorin “Apolonia” në Plazhin e Durrësit. Policia ka deklaruar se 39-vjeçari, Bodelli i lindur dhe banues në Shijak ka qenë në kantierin ku po ndërtonte pallatin në kohën që është qëlluar me armë zjarri. Disa fishekë çifteje dyshe e kanë goditur në kokë, ndërsa viktima nuk ka mundur të rezistojë më shumë sesa 2 orë nga koha e vrasjes. Ngjarja është parë nga dhjetëra banorë, kalimtarë e pushues në rërën e plazhit, pasi pallati në ndërtim e sipër dhe “Drenica” janë në buzë të rërës. Krismat kanë shkaktuar panik tek pushuesit, të cilët pasi kanë dëgjuar të shtënat kanë parë një njeri që i gjakosur ka dalë nga kantieri dhe është rrëzuar në mes të trotuarit të rrugës Ura e Dajnalit-Plepa. Viktima është dërguar me urgjencë në sallën e pranimit të urgjencave dhe mjekët Ben Murati e Anton Ndoji e kanë futur në sallën e operimit, por gjithçka ka qenë e pamundur për ta mbajtur në jetë 39-vjeçarin. Sipas kirurgut Ndoji, viktima i kishte marrë të gjitha plumbat në kokë dhe se kafka ishte shqyer si në pjesën e pasme edhe në pjesën anësore duke e deformuar plotësisht kokën. Edhe pse reanimatori Arben Banushi dhe dy kirurgët kanë bërë të gjitha përpjekjet shtetasi Agron Bodelli ka vdekur rreth orës 16.20. Policia është shprehur se ka identifikuar autorin dhe se ai është 50-vjeçari Gani Kapiti. Viktima ka dy hotele në Plazhin e Durrësit, por të dy këto lokale, njëri 7-katësh dhe tjetri 5-katësh gjenden në anën e majtë të rrugës së Plazhit. Pikërisht për të pasur edhe një hotel buzë deti, shtetasi Agron Bodelli ka mundur të sigurojë lejen e ndërtimit dhe lejen për shesh ndërtimi një sipërfaqe toke ngjitur me lokalin “Drenica”. Një vendim i tillë ka sjellë reagimin e pronarit të “Drenicës”, i cili ka hyrë në konflikt me viktimën e djeshme shijakasin Bodelli.

Shtetasi Gani Kapiti në fillim të muajit prill 2009, pikërisht në kohën që Agron Bodelli kishte nisur të hapte themelet ngjitur me lokalin “Drenica” për të ndërtuar pallatin disakatësh, ka bërë kallëzim penal.

Konflikti për ndërtimet

Autori denoncoi Vangjush Dakon

Policia e Durrësit ka pranuar se palët kanë qenë në konflikt, ndërsa Kapiti ka denoncuar edhe kryetarin e bashkisë Vangjush Dako. Kreu i bashkisë Dako më datë 14 prill 2009 ka mohuar se ndaj tij është bërë një kallëzim në Prokurori në cilësinë e kryetarit të KRRT-së lidhur me dhënien e lejes për ndërtimin në rërë të pallatit të 39-vjeçarit Godelli. Edhe pse palët ishin në konflikt sipërmarrësit kanë vijuar të punojnë duke deklaruar se ata kishin marrë leje sheshi ndërtimi dhe leje ndërtimi në KRRT-në e Bashkisë së Durrësit. Sipas disa pohimeve jozyrtare, Prokuroria e Durrësit ka pranuar denoncimin e shtetasit Gani Kapiti, ndërsa pas vrasjes së djeshme të shtetasit Agron Bodelli mësohet se është sekuestruar dosja përkatëse e pronës së dhënë viktimës për ndërtimin e pallatit si dhe i gjithë dokumentacioni që ka shtyrë komisionin të ofrojë leje ndërtimi e leje sheshi ndërtimi. Nga ana tjetër Prokuroria mësohet se ka bllokuar edhe dosjen përkatëse në hipoteke nga ku pritet të mësohen detaje lidhur me pronësinë e tokës, e cila është në brendësi të vijës së rërës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›