E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pi helm, rëndë nëna e 3 fëmijëve

20/05/2009  Shkak, divorci dhe gjendja ekonomike

DURRES- Divorci dhe gjendja e vështirë ekonomike për të mbajtur fëmijët ka shtyrë drejt vetëvrasjes një nënë të re. Shtetasja Rozeta K., 28 vjeçe, ka konsumuar një sasi medikamentesh duke kaluar në këtë mënyrë në gjendje shumë të rëndë. Gruaja, nënë e tre fëmijëve, disa muaj më parë është divorcuar duke rënduar më tej gjendjen ekonomike të familjes. 28-vjeçarja është shtetase e komunitetit rom dhe ajo është dërguar në gjendje shumë të rëndë në spitalin e Durrësit. Mjekët pasi kanë parë gjendjen me pak shpresë të të vetëhelmuarës e kanë nisur për trajtim të kualifikuar në pavijonin e intoksikacioneve në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ajo po mbahet nën kujdes intensiv mjekësor për të mundësuar daljen e saj nga gjendja e rrezikut. Grupi hetimor e ka pasur të pamundur të mësojë për llojin e helmit që ka konsumuar viktima, pasi në shtëpi gjatë kontrollit nuk i është gjetur asnjë lloj medikamenti. Ndërkohë 3 fëmijët e saj ende nuk dihet nën kujdesin e kujt do të jenë, pasi dhe babai i ka braktisur muaj më parë. Rastet e vetëhelmimeve janë shtuar së tepërmi ku në të shumtën e rasteve viktima janë gra në gjendje të vështirë ekonomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›