Përplasje mes deputetëve të PDU-së dhe kreut të PBDNJ-së

Nderimi i viktimave të masakrës greke ndaj çamëve ka ndezur debatin në Kuvend mes deputetëve të PDU-së dhe përfaqësuesit politik të minoritetit grek në Parlament. Gjatë kohës kur kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, kërkoi që deputetët të mbanin një minutë heshtje për të nderuar viktimave e gjenocidit grek ndaj çamëve, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, nuk është ngritur më këmbë, ndërkohë që ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, është larguar nga salla e Parlamentit. Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, në fund të fjalës së tij tha se “ju kërkoj të mbajmë një minutë heshtje, në nderim të viktimave të pafajshme, të asaj utopie si ajo e ‘shtetit etnik të pastër’, që një burrë i madh, Presidenti Havel, e ka quajtur më të rrezikshme se komunizmi”. Në këtë çast, të gjithë parlamentarët në sallën e Kuvendit janë ngritur më këmbë, por vetëm një deputet nuk lëvizi nga karrigia e tij. Ky ishte kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Menjëherë e ka marrë fjalën deputeti Dashamir Tahiri, i cili kritikoi ashpër qëndrimin e Vangjel Dules, pasi ky i fundit nuk u ngrit më këmbë kur Parlamenti mbajti një minutë heshtje në nderim të viktimave të gjenocidit ndaj popullsisë çame. Tahiri në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit, vuri gishtin e fajtorit në adresë të kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, se po fyen çdo ndjenjë normale njerëzore për të nderuar viktimat e një veprimi çnjerëzor. “Parlamenti mbajti një minutë heshtje për përkujtimoren e masakrës ndaj çamëve. Por ti nuk u ngrite në këmbë, por ja ku po ta them unë, të mësoj unë si mbahet zia, ty këlysh i Zervës”, tha Tahiri. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Vangjel Dules, që nga vendi u shpreh i indinjuar më shumë për faktin se Kryetarja e Parlamentit nuk pati mundësi të reagonte. Gjatë atij momenti, seanca drejtohej nga nënkryetari Nasip Naço, për shkak se Kryetarja e Kuvendit kishte një takim me eurodeputetin Jozeph Daul dhe nuk ndodhej në sallë. Duke mos u ngritur nga vendi, Dule e justifikoi sjelljen e tij si një veprim personal. “Kur bëhen kërcënime të tilla, këtu menjëherë mblidhen truprojat. Nuk e di pse zonja Topalli nuk reagon kur nga podiumi bëhen kërcënime reale. Ja ku po e them, se kur ngrihem unë e për çfarë ngrihem e flas në podium, është çështje individuale. Dhe kjo që bërë ti sot, është kërcënim i hapur ndaj meje. Qëndrimi im është pjesë e zgjedhjes dhe bindjeve të mia dhe këtë nuk mund ta diskutoj me askënd”, tha Dule. Debati do të vazhdonte më tej, pasi dy deputetët e PDU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, kanë kërkuar që të marrin të drejtën e fjalës, por përplasja dhe replikat mes PDU-së dhe PBDNJ-së e detyruan drejtuesin e Kuvendit, Nasip Naço, të ndërpresë për pak minuta punimet e Kuvendit. Seanca ka filluar menjëherë pas pesë minutash dhe të drejtën e fjalës e ka marrë deputeti Shpëtim Idrizi, i cili me diplomaci është shprehur se “popullsia çame, që ka ditur për 65 vjet ta mbajë dhimbjen dhe pas asaj masakre që është bërë mbi këtë popullsi, sigurisht është aq dinjitoze dhe bujare që të kërkojë mirëkuptimin tuaj dhe të mos kërcënojë askënd”.
#