E Shtunë, 31 Tetor 2026

Voskopojë, aty afër Vithkuqit...

Ditën që Kuvendi i Shqipërisë do të miratonte në Komisionin e Mbrojtjes edhe katër poligone të reja për asgjësimin e municioneve, më datën 16 qershor, i gjithë Shtabi i Brigadës së Logjistikës, me në krye gjeneral brigade Xhemal Gjunkshin, ndaj të gdhirë u nisën drejt Voskopojës - thoshte destinacioni. Të gjitha njësitë e brigadës kishin detyrat e tyre të përcaktuara, secili nga këndi i tij sa i takon procesit të asgjësimit të municioneve. Përtej detyrës për të parë nga afër dhe për të ndihmuar njerëzit atje, ndoshta ky udhëtim i gjatë i të gjithë stafit të komandës kishte edhe një qëllim tjetër, jo më pak fisnik; njëlloj “kompaktësimi” - nëse shprehemi me termat operacionalë - i këtij stafi të krijuar dhe emëruar rishtas në Brigadën Logjistike. Në këto lloj udhëtime pune bisedohen e pse jo konkludohet për disa probleme larg rutinës së përditshme, matanë komunikimit të ftohtë shkresor, i cili në kohën e sotme përbën një “bela” më vete...

Kufijtë e Komunës së Voskopojës mbarojnë diku në lartësinë 1800 metra mbi nivelin e detit, “aty” përballë me Vithkuqin. Pikërisht aty majëmalesh, që me rrethin e tyre kanë krijuar një Val të vërtetë, si në një amfiteatër gjigant jetojnë dhe punojnë 14 burra, ushtarakë dhe ish-ushtarakë, ata që fatin e jetës së tyre e lidhën me specialitetin e xhenios. Kuptohet, ata nuk kryejnë punime bujqësore, e as mbarështojnë bagëti atje në majë të maleve. është zgjedhur ai vend pikërisht për të qenë larg njerëzve dhe kafshëve, për të mos rrezikuar jetët e tyre, madje për të mos shqetësuar as me zhurmën e shpërthimeve. Pavarësisht se organet e pushtetit vendor na thonë që në fillimet e kësaj pune, jehona e gjëmimeve ndihej deri në qytetin e Korçës. Që aty ku është ngritur poligoni, duket mali i Gjergjevicës ende i mbuluar me dëborë. Fishkëllima e barit që kërruset nga era e fortë e malit, të sjell në vesh një shushurimë nanuritëse. Kurse era tenton të shkulë një stendë që qëndron aty qysh ditën kur u ngrit poligoni. Rreth 50 metra poshtë stendës shikon kratere të hapura, të cilat kanë thellësinë deri në 20 metra dhe diametër 30 metra. Janë krateret e krijuara nga shpërthimi i fundit që është kryer. Kur arritëm ne, po vendoseshin buzë kraterit arka të reja mbushur me municion, të cilat do të hapeshin para nesh për të nxjerrë predhat e radhës që do të asgjësoheshin...

Dua të shihemi në sy...

Gjatë gjithë asaj dite, gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi nuk la rast pa biseduar me efektivin që asgjëson municione në Voskopojë. Në bisedat me ta, gjenerali ishte njëherazi koleg dhe epror, komandant e vëlla, shok i mirë dhe kundërshtues i tyre në bisedë. Ata, me në krye toger Markeljan Kodra, janë të gjithë njerëz të atij “zanati”, xhenierë, zanat të cilin unë me njohuritë modeste që kam nga xhenio, e kam quajtur dikur në një shkrim: të bekuar dhe të mallkuar njëkohësisht. Prandaj, gjenerali u drejtohet atyre: “Jemi në dijeni të problemeve me të cilat juve u duhet të përballeni, kemi arritur të zgjidhim pjesën më të madhe të tyre. Në këto përpjekje unë kam mbështetjen e plotë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe të ministrit të Mbrojtjes, prandaj ju premtoj se edhe ato pak gjëra që ende nuk janë zgjidhur, do të zgjidhen. Por nga ju ne kërkojmë të jeni vazhdimisht të disiplinuar, të jeni vazhdimisht të kujdesshëm. Ju e dini mirë se çfarë u duhet të kaloni në duart tuaja. Janë me qindra tonë municione, të cilat në çdo gram të tyre janë njëlloj të rrezikshme, kërkojnë të njëjtën vëmendje, të njëjtin kujdes, ato nuk lejojnë dhe as falin mendjelehtësinë, as të japin “rast tjetër” nëse gabon një herë. Prandaj ju bëj thirrje dhe deri sa të përfundojë ky proces, nga ana ime do të keni të njëjtën thirrje, të njëjtën kërkesë, që të mund të shihemi në sy me njëri-tjetrin, gjatë gjithë jetës. Edhe pse jeni specialistë dhe jeni trajnuar e kualifikuar në këtë proces, ju lutem, kurrë mos mendoni se rreziku u zhduk. Kurrë mos thoni brenda vetes suaj: Ia kemi marrë dorën kësaj pune, asnjëherë mos kaloni në eufori, kurrë mos i lëshoni nervat në punë, pasi ato duhet të jenë njëlloj të tendosura, njëlloj të freskëta, si në minutat e para të fillimit të saj, ashtu edhe në plasjen e fundit që realizoni në mbylljen e ditës së punës...

Rreziku, arbitri i kësaj “loje”...

Mbi krateret ku bëhet asgjësimi i municioneve, larg në një qafë mali, diku aty pranë stendës së ngritur, qëndron një tavolinë e mbushur me dokumente përsipër. Nëse e kufizon shikimin vetëm mbi të dhe “harron” se ku ndodhesh, mendon: Edhe sikur të ishte ky poligon diku në rrethinat e Tiranës, çfarë dokumentesh mund të kishte më tepër? është një dosje e madhe, e cila në faqen e parë çelet me “Inventarin e dosjes”. Janë të radhitura në këtë dosje të gjitha ligjet e shtetit, urdhra të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, urdhra të ministrit të Mbrojtjes, kuptohet që nuk mund të mungojë aty instruktazhi i ekipit, i cili kryhet rregullisht, me të njëjtin seriozitet, çdo ditë. Në anën përmbajtjesore të fjalës, ajo tavolinë majëmalesh, është një zyrë e kompletuar, njëlloj sikur të ishte në godinën e Batalionit të Xhenios, apo në Ministrinë e Mbrojtjes. Sepse, kush i bën zyrat, muret? Jo zyrat i bëjnë njerëzit dhe të shkruarat, e njerëzit dhe të shkruarat janë atje, në qafën e atij mali...

Njëra nga skuadrat e kësaj “loje”, ajo që ka njerëzit për lojtarë, ka për detyrë të zbërthejë, të kontrollojë arkat e mbyllura 30-40 vite më parë (për hir të së vërtetës të siguruara mirë), të marrë me mend se ç’ka ndodhur në këto vite atje brenda në arkë, brenda në tunel, kushedi në ç’skaj të Shqipërisë. Këta “lojtarë”, me anën e hekurit me buzë të mprehta këpusin shiritin metalik që kaq vite mban arkën e mbyllur, pastaj me anë të një pince të thjeshtë hapin dorezën (gjithashtu metalike) dhe... para syve të tyre shpaloset pamja jo e papritur. Predha me të gjithë madhështinë dhe makabritetin e saj. Pastaj hiqet kapaku i predhës dhe aty dëgjohet “teshtitja” e parë, një lloj gulçimi i rëndë e i frikshëm, dalja e ajrit të mbetur për kushedi sa vite aty brenda, gulçim që për veshët e pastërvitur të civilëve ka zhurmën e një të shtëne. Kështu vazhdojnë dhe hapen e zbërthehen të gjitha arkat, të gjitha predhat. Pasi ekipi realizoi mbushjen e pesë kratereve me municion, të gjithë ne që kishim vajtur atje, do të duhej të largoheshim me këmbë, rreth 5 kilometra, distanca e sigurisë. U larguan të gjitha mjetet, traktorë, buldozerë, makina që transportonin municionet. Teksa largohesha bashkë me vargun e gjatë të njerëzve, ktheja kokën pas... Aty në mes të poligonit, në fushën mes maleve, mbetën përballë vetëm dy “palët” historikisht të njohura. Ngelën aty, vetëm dy “palë”: xhenierët dhe municionet. Dy palë që sa të jetë jeta do të jenë njëherazi aleatë dhe armiq për vdekje të njëri-tjetrit, dy palë që edhe pse e njohin mirë njëra-tjetrën, vazhdojnë në luftën e përditshme qysh kur njeriu shpiku barutin të jenë të rreshtuara në front përballë në një luftë për jetë a vdekje. Aty, në atë Val të stërmadh kishin mbetur vetëm ata 14 veta dhe disa tonë municione. Ishte përballja e radhës, “loja e radhës”, një “lojë” që zhvillohet me rregulla makabre. Një lojë e çuditshme, në të cilën “njëra skuadër” nuk flet, nuk mendon, nuk ndien. Ajo vetëm vepron, vepron tmerrshëm, me një “kollitje” të rëndë, kollitje që hedh përpjetë mushkëritë dhe zemrën e gjithë atyre maleve, kollë, ushtima e së cilës dëgjohet larg... Bashkë me ne aty ku ndodhemi të grumbulluar në distancën e sigurisë, është edhe kryetari i Komunës së Voskopojës, Nexhip Bacelli, të cilin e gjetëm në poligon kur arritëm. Biseda me të rrjedh natyrshëm, duke na treguar për marrëdhëniet që janë ndërtuar mes ekipit të asgjësimit të municioneve dhe komunitetit të qytezës së vogël turistike. “Asnjëherë nuk patëm probleme me këta njerëz, thotë ai. Prandaj ne i kemi mbështetur dhe do t’i mbështesim ata vazhdimisht. Ata jetojnë dhe punojnë në kushte të vështira dhe shumë larg familjeve të tyre, të cilat i shikojnë vetëm një herë në javë. Këtë mendojmë ne vendasit, kryesisht ne të komunës që vijmë rregullisht këtu. Njerëz me disiplinë të hekurt, që nisen drejtim malit herët në mëngjes dhe vijnë poshtë në qytet pasdite vonë. E njëjta punë çdo ditë”. Pasdite vonë, buzë mbrëmjes ne marrim rrugën e kthimit për në Tiranë, me kujtesën të mbushur plot me sekuenca të pashlyeshme të asaj përballjeje makabre, por gjithsesi të domosdoshme...

EGLANTINA MUKA, PANO HALLKO

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›