"Miss Skrapari" karrem për vrasjen e Marsel Sotirin
Banda e Durrësit
Ish- oficeri i SHKB-së rrëfeu dje se vajza me inicialet V.J, ishte rrëmbyer në '98, por policia nuk i mori kallëzim së motrës
"Motra e të rrëmbyerës ma solli një mik. Më tha se motrën ia kishte marrë grupi i Spitallës. Dyshonte se ishte vrarë"
TIRANË- Seanca gjyqësore në ngarkim të 16 të pandehurve të "bandës" së Durrësit vazhdoi dje me pyetjen e katër dëshmitarëve të akuzës, që dhanë detaje për vrasjen e Marsel Sotirit dhe "rrëmbimin" e një femre me inicialet V.J., tashmë me statusin Bashkëpunëtors së Drejtësisë.
Ajo, sipas prokurorisë, ishte përdorur si "karrem" nga të pandehurit e "bandës" për të nxjerr në pritë Marsel Sotirin e vrarë në nëntor 1998 në zonën e plazhit të Durrësit. I pari dëshmoi par gjykatës qe Albert Strati, ish-oficer i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, aktualisht inspektor i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit. Ai tregoi se e motra e të "rrëmbyerës" V.J, i kishte kërkuar ndihmë për gjetjen e saj, pasi policia nuk i merrte kallëzimin mbi zhdukjen. "Kam takuar shtetasen G.J. e motra e V.J..
Ajo erdhi me rekomandimin e një mikut tim për zhdukjen e motrës dhe se policia nuk i merrte denoncimin mbi humbjen e saj. Ajo më tha se motrën ia kishte marrë grupi kriminal i Spitallës dhe dyshonte se e kishin vrarë. Unë bëra kërkimet e mia dhe pyeta kolegët rreth këtij grupi.
Nga kërkimet mësova se V.J. kishte qenë mis Skrapari dhe se ishte përdorur nga ky grup kriminal (banda e Durrësit) për nxjerrjen në pritë dhe vrasjen e Marsel Sotirit,- mësohet të ketë thënë Strati para prokurorisë gjatë hetimit. Dje këto detaje nuk i kujtoheshin. Gjithashtu, ish-oficeri i SHKB-së Strati, i kujtoi gjykatës edhe takimin mes motrës së të "rrëmbyerës" dhe bisedat që kishin bërë.
"Kam qenë në detyrë inspektor i SHIR sot me emrin SHKB, pranë Drejtorisë së Policisë së Durrësit ku më erdhi një vajzë me emrin G.J. me origjinë nga Skrapari, e cila u paraqit për të bërë një kallëzim për disa shtetas.
Më tha se kishte ardhur disa herë në drejtorinë e policisë për të bërë kallëzim por nuk ia kishin marrë policët"-tha Strati. Sipas tij, vajza në takim akuzonte Klodian Saliun dhe Indrit Taullajn për rrëmbimin e motrës, për të cilën dyshonte se ia kishin vrarë.
"Vajza donte të bënte denoncim pasi nuk ishte e sigurt nëse e kishte motrën V.J. gjallë. I thashë të shkonim te shefi i krimeve për të bërë denoncimin pasi unë nuk isha kompetent për marrjen e kallëzimit. E lamë të vinte pas disa orësh për të bërë kallëzim, pasi pas disa orësh kishte një takim me N. K, e Indrit Taullajn për të biseduar mbi motrën,- tha oficeri.
Sipas tij, Pas takimit ajo ishte kthyer sërish në Drejtorinë e Policisë, duke i thënë se ishte bërë pishman që donte të bënte kallëzim penal ndaj këtyre dy shtetasve pasi ata ishin djem të mirë dhe motra ishte gjallë. Në seancë nuk munguan debatet mes kryesuesit të pesëshes gjykuese Gurali Brahimllari dhe avokatit Vangjel Muzina që tashmë debat i zakonshëm tashmë në seancat e procesit.
Gjyqtari Brahimllari pas tërheqjes së vëmendjes për të disatën herë, i ka bërë me dije avokatit Vangjel Muzina që nëse bën pyetje jashtë objektit të gjykimit dhe jo logjike siç i ka bërë më parë, do i dërgoi Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës së Avokatisë një shkresë duke iu kërkuar marrjen e masës disiplinore ndaj tij.
Krushku i Berishës, dijeni për vrasjen e Sotirit
Detaje për vrasjen e Marsel Sotirit, të ndodhur në nëntor 1998 nga "banda" e Durrësit dhap para Gjykatës së edhe dëshmitari i tjetër prokurorisë, 81 vjeçari Xhemal Ago që kishte lidhje krushqie me të pandehurin Lulzim Berisha.
Por, deklarimet e plakut para gjykatës për ngjarjen e vrasjes së Sotirit fare pranë banesës së vajzës së tij, u kundërshtuan nga prokurori, që kërkoi administrimin në dosje të deklarimeve të tij të dhëna gjatë hetimit me 21 janar 2007. "Gjatë kohës që burri i vajzës sime qe në Itali, shkoja shpesh herë për vizitë. Isha një pasdite kur aty erdhi Luljeta Berisha, motra e Lulzim Berishës dhe gruaja e tij me emrin Bona. Kur u futëm brenda më përshëndetën "si je gjysh".
Erdhi dhe djali im Aureli. Nuk e di erdhi me ato apo vetëm. Luljeta më kërkoi nder që të qëndronte aty, se do ikte në Itali dhe më pas në Amerikë. Më vonë mora vesh se në shtëpi kishte qenë Lul Berisha me ca shokë dhe as Bona as Luljeta nuk kishin ikur në Itali. Të nesërmen pas kësaj ngjarjeje mora vesh se kishte ndodhur një vrasje pranë banesës së vajzës sime"-mësohet të ketë deklaruar i moshuari para hetuesve të prokurorisë.
Pronari: Vrasja pranë lokalit tim
"Në vitin 1994 kam hapur një lokal të vogël pranë lagjes ku banoj, lagja e çamëve në plazh. Lokali është larg nga shtëpia rreth 100 m. Oraret janë të ndryshme kur e mbaj hapur, pasi në verë e mbaj deri në orën 12:00 të natës. Ishte gusht i vitit 1999, kur pranë lokalit tim dëgjova të shtëna armësh. Ndodhte për herë të parë,- nisi rrëfimin e tij dëshmitari Skënder Meka dje në seancë.
Më tej ai pohoi: Isha duke shërbyer në ato momente dhe dola jashtë. Nuk pashë njeri. Pas 15 minutash erdjo policia, dhe më tha se ka ndodhur një vrasje. Disa metra tutje avllisë së lokalit ndodhej makina ku ishte i vrari. Nuk mora vesh gjë se kush ishte vrarë. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30 të mbrëmjes.
Ishte makinë e vogël ajo ku u gjet i vrari dhe gjendej 50 metra larg lokalit"- tha Meka që kishte ndryshuar emrin nga Skënder në Sandër për arsye të dokumenteve në Greqi. Ndryshimi i emrit solli debate mes prokurorit dhe drejtuesit të seancës.