Argjinaturat dhe rezervuarët pa mbrojtje, rrezikohen nga dëmtimet
Drejtori i Bordit të Kullimit kërkon që të merren masa për ruajtjen e investimeve të bëra në argjinatura dhe rezervuarë, rrezikojnë të dëmtohen. Kërkesa në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile
Shkodër-Investimet e bëra në argjinaturat mbrojtëse të rrethit të Shkodrës si dhe dy rezervuarët që ndodhen këtu, janë të pambrojtur nga dëmtimet e ndryshme që mund t’u bëhen, ndërsa bordi i kullimit e ka të pamundur ta mbulojë me punonjës ruajtjen e tyre. Kjo është theksuar në mbledhjen e shtabit të emergjencave civile të prefekturës Shkodër, nga drejtori i bordit të kullimit, Rudolf Rasha. Ai ka pohuar se janë 60km argjinatura dhe dy rezervuarë që nuk kanë roje, ndërsa duhet të jetë pushteti vendor, nga ato kalojnë, që t’i sigurojë këto objekte.
Rasha ka kërkuar materializim të bashkëpunimit me të gjitha njësitë e qeverisjes vendore ku ndodhen këto objekte, pasi deri tani asgjë nuk është bërë. Një tjetër problem i shtruar nga drejtori i bordit të kullimit ka qenë dhe ai i ndërhyrjes në dy objekte të rëndësishme, siç është kanali i Vilunit dhe përfundimi i argjinaturës Pentar-Pulaj. Sipas Rashës, zona ka nevoja të shumta, por dy janë të domosdoshme. “Përfundimi i argjinaturës Pentar- Pulaj sipas modelit të argjinaturës së Dajçit, që do të shpëtojë pjesën e Pentarit në Dajç dhe plazhin e Velipojës nga përmbytjet, duke e garantuar 100%. Problemi tjetër është pjesa e dytë e lumit Buna, që duhet të kalojë nëpër kanalin e Vilunit. Ndoshta, ndoshta në Shkodër bëhet ndonjë objekt i parakohshëm, përpara kësaj nevoje për këtë kanal për t’u shndërruar në degë të dytë të lumit Buna”, tha ai. Sipas tij, qeveria shqiptare, në buxhetin e vitit 2012, nuk e ka parashikuar kanalin e Vilunit. “Qeveria duhet të ketë një fond rezervë të sajin dhe të kërkohet që punimet në kanalin e Vilunit të fillojnë këtë vit”, ka thënë Rasha. Shtabi i emergjencave civile i drejtuar nga prefektja Voltana Ademi ka analizuar situatën në qark, sidomos në zonat malore ku dëbora është e pranishme prej disa ditësh. Është pohuar se, ndonëse ka pasur rrëshqitje dherash dhe dëborë e ngricë, situata është nën kontroll dhe nuk paraqet probleme.