E Diel, 1 Nëntor 2026

Procedurat për ta marrë pensionin brenda afatit



Laureta Rryçi

Çdo person që është në prag të plotësimit të kushteve për përfitimin e pensionit të pleqërisë, duhet të paraqitet pranë organeve të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit të tij për të plotësuar kërkesën paraprake për caktimin e pensionit, duke dorëzuar dhe një listë të caktuar dokumentacionesh që kërkohen. Kjo procedurë duhet të kryhet 12 muaj para se personit t’i lindë e drejta ligjore e marrjes së pensionit të pleqërisë. Specialistë nga Drejtoria e Kontributeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore sqarojnë se ky hark kohor u është vënë në dispozicion aplikuesve për pension, në mënyrë që ata të përgatitin dokumentacionin që kërkohet, si dhe të kenë të dokumentuara vitet e punës që kanë kryer, që mund të mos jenë vetëm në një rreth të caktuar. Sikurse personat që zotërojnë dokumentet e pensionit, të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe ata që nuk i disponojnë dokumentet verifikuese. Për këtë arsye, çdo i interesuar, për të dalë në pension, duhet të paraqitet pranë vendbanimit të tij për të plotësuar një formular, që është kërkesa paraprake për caktimin e pensionit, në të cilin duhet të deklarojnë të dhënat e tyre personale, periudhat e tyre të sigurimeve (historikun e punës) etj.
Aplikimi
Për të nisur zyrtarisht procesin e aplikimit për përfitimin e pensionit, personat që gjenden pranë përfitimit të kësaj pagese kanë të drejtë që të aplikojnë në agjencitë lokale të sigurimeve shoqërore një vit para arritjes së moshës për pension. Fillimisht ata duhet të plotësojnë një kërkesë paraprake për caktimin e pensionit. Pas depozitimit të kërkesës, çdo i interesuar në prag të daljes në pension duhet të dorëzojë në agjencinë përkatëse rajonale të sigurimeve shoqërore një fotokopje të librezës së punës, si dhe të deklarojë historikun e punës. Specialistët e pensioneve shpjegojnë se zbatimi i kësaj procedure është me rëndësi jo vetëm për personin e interesuar për pension, por edhe për administratën e sigurimeve shoqërore. Paraqitja e librezës së punës dhe deklarimi i historikut të punës do të vlejnë për të kryer verifikimin në kohë të historikut të punës. Sipas ekspertëve, në mjaft raste puna që ka kryer një person është në qendra të ndryshme të punës, në shumë raste edhe në qytete apo fshatra të ndryshme të Shqipërisë. Duke mbajtur parasysh faktin se afati i caktimit të pensionit 45 ditë pas pranimit të kërkesës dhe dokumenteve për pension, një aplikim i tillë 12 muaj përpara mbushjes së moshës do të ndihmonte si aplikuesit për të plotësuar dokumentacionin në kohë, ashtu edhe strukturave të ISSH-së për të kryer verifikimin brenda kësaj periudhe njëvjeçare.
Dokumentacioni
Ushtrimi i së drejtës për të paraqitur kërkesë paraprake për pension nga 1-12 muaj para mbushjes së moshës është i një rëndësie të veçantë dhe me efekte pozitive në të dyja këndvështrimet edhe për administratën e Sigurimeve Shoqërore, e cila fiton kohë për të caktuar pensionet, nga ana tjetër, edhe për pretendentët për pension, të cilët e përfitojnë menjëherë pensionin pas mbushjes së moshës. Duke iu rikthyer edhe njëherë faktit se dokumentacioni i vjetërsisë në punë ka nevojë të verifikohet në burim e në origjinë, pra të bëhen akt-verifikime të regjistrave themeltarë, të borderove etj., verifikime që duhet të kryhen në rrethe të ndryshme, atje ku është dokumentacioni, me qëllim që të koordinohen, të monitorohen, të mos vonohen verifikimet, është krijuar një post i ri pune, që është ai i Inspektorit të Përgjithshëm Koordinues. Afati i përgjithshëm i caktimit të pensionit është i grafikuar, i shkallëzuar me ditë pune në secilën hallkë të procedurës së caktimit të pensionit te secili inspektor. Ndërkaq, çdo aplikues duhet të kërkojë pajisjen me një mandat, ku njoftohet data e tij e aplikimit. Kurse aplikimi do të pranohet i firmosur nga vetë aplikuesi.

Pse nevojitet kërkesa paraprake për caktimin e pensionit
Kërkesa parapake për plotësimin e dokumenteve për caktimin e pensionit ndahet në disa pjesë. E para, përmbledh të dhënat mbi gjendjen civile të aplikuesit, ku deklarohen të gjitha gjeneralitetet dhe vendbanimet e tij deri në çastin e përftimit. Këto të dhëna plotësohen duke pasur parasysh regjistrimet e bëra në gjendjet civile. Pjesa e dytë përmban kërkesën, në të cilën detajohet se ç’lloj pensioni kërkohet të përfitohet. Më pas vijohet me pjesën e tretë, e cila përbëhet nga tabelat përkatëse, në të cilat evidentohen periudhat e sigurimeve në vite. Përbri secilit subjekt të punësuar duhet të citohen detyrat e bëra nga aplikuesi nga data e fillimit të punës deri në kohën e ndërrimit të vendit të punës. Po e njëjta procedurë ndiqet dhe në tabelën tjetër përkatëse: punësimet në kooperativat bujqësore me shpërblim në ditë pune, apo punësimet e bëra në subjektet private. Gjithashtu në këtë kërkesë duhet të detajohen dhe rastet e të vetëpunësuarve në aktivitetet bujqësore. Më pas bëhet dhe deklarimi i sigurimeve vullnetare të derdhura në afatet kohore përkatëse. Po ashtu duhet të deklarohet nëse aplikanti është trajtuar me përfitime afatshkurta nga sigurimet shoqërore pas 1 janarit të 1994, si dhe vitet kur është kryer shërbimi ushtarak. Në fund të pjesës së tretë të kërkesës paraprake, çdo aplikues duhet të shënoj me shenjën “X” dokumentet që disponon për të vërtetuar të dhënat e deklaruara në pjesën e parë dhe të dytë të saj.

Çfarë të dhënash përmban kërkesa për caktimin e pensionit
Pas plotësimit të kërkesës paraprake për caktimin e pensionit, çdo aplikues që kërkon ta ligjërojë këtë përfitim duhet të plotësojë një formular të dytë, që është kërkesa për caktimin e pensionit. Kjo e fundit është vendimtare për caktimin e çfarëdolloj përfitimi që përfshihet në skemën e sigurimeve shoqërore, duke filluar që nga pensioni i pleqërisë, ai familjar, pensioni i invaliditetit etj. Kërkesa për caktimin e pensionit përbëhet nga tri pjesë kryesore, në të cilat çdo apilkues duhet të deklarojë të dhëna të sakta. Në pjesën e parë të kërkesës për caktimin e pensionit (të dhënat mbi gjendjen civile) aplikuesi duhet të deklarojë të dhënat e tij mbi gjendjen civile, të gjitha gjeneralitetet dhe vendbanimet e tij deri në çastin e përftimit. Këto të dhëna plotësohen duke pasur parasysh regjistrimet e bëra në gjendjet civile. Në pjesën e dytë, (kërkesa) aplikuesi duhet të deklarojë se çfarë pensioni kërkon, pleqërie, familjar, invaliditeti, apo pension pleqërie si nënë me shumë fëmijë. Gjithashtu në të njëjtën pjesë, aplikuesi duhet të saktësojë kompensimet që kërkon, që janë për energjinë elektrike, për bufen, për personat në ngarkim. Po ashtu, në pjesën e dytë të kërkesës për caktimin e pensionit, aplikuesi duhet të deklarojë se çfarë shtesash mbi pension kërkon. Kështu ai duhet të përzgjedh nëse kërkon shtesa mbi pension për fëmijë në ngarkim të invalidit ose për përkujdesje ndaj invalidit. Së fundi, në pjesën e dytë të kërkesës, duhet të përcaktohet edhe vendi ku do të tërhiqet kësti mujor i pensionit që do të caktohet. Aplikuesi ka të drejtë të zgjedh nëse dëshiron ta marri në pension nëpërmjet zyrave postare ose në bankë. Më pas vijohet me pjesën e tretë të kërkesës për caktimin e pensionit, që është periudhat e sigurimit, e cila përbëhet nga tabelat përkatëse, në të cilat evidentohen periudhat e sigurimeve në vite. Përbri secilit subjekt të punësuar duhet të citohen detyrat e bëra nga aplikuesi nga data e fillimit të punës deri në kohën e ndërrimit të vendit të punës. Po e njëjta procedurë ndiqet dhe në tabelën tjetër përkatëse: punësimet në kooperativat bujqësore me shpërblim në ditë pune, apo punësimet e bëra në subjektet private. Gjithashtu në këtë pjesë duhet të detajohen dhe rastet e të vetëpunësuarve në aktivitetet bujqësore. Më pas bëhet dhe deklarimi i sigurimeve vullnetare të derdhura në afatet kohore përkatëse. Më tej duhet të deklarohet nëse aplikanti është trajtuar me përfitime afatshkurta nga sigurimet shoqërore pas 1 janarit të 1994, si dhe vitet kur është kryer shërbimi ushtarak. Në fund të pjesës së tretë të kërkesës për caktimin e pensionit, çdo aplikues duhet të shënojë me shenjën “X” dokumentet që disponon për të vërtetuar të dhënat e deklaruara në pjesën e parë dhe të dytë të saj.

Dokumentet për pension

Për pension pleqërie
Mosha
Certifikatë lindjeje me fotografi
Certifikatë e gjendjes familjare
Certifikate martese (vetëm për kërkueset femra)
Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës, apo vdekjes së tyre provohet me certifikatë të veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje.
Fotografi për librezën e pensionit
Periudha e sigurimit dhe lloji i punës:
Libreza e punës
Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj
Vërtetim për periudhën e sigurimit të lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare si dhe të siguruarit sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave
Vërtetim gjykate për njohje vjetërsie në punë
Vërtetim i vjetërsisë në punë në kooperativë bujqësore për ish-anëtarët e saj para vitit 1992
Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak
Për personat që përfitojnë nga Ligji Nr.7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”:
Dëshmi penaliteti
Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik
Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë
Të ardhurat
Vërtetim page sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës, sipas formularit të miratuar
Vërtetim i pagës mesatare neto për 10 vitet e fundit të punës
Pasqyra e printuar e pagave referuese, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.561, datë 12.8.2005

Për pension invaliditeti
Certifikatë lindjeje me fotografi
Certifikatë e gjendjes familjare
Vërtetim i periudhës së sigurimit (është i njëjtë si për pensionin e pleqërisë)
Vërtetim për profesionin apo natyrën e punës (për punëmarrësin)
Dokument mjekësor për gjendjen shëndetësore (para fillimit te punësimit)
Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU, për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak
Vërtetim për pagesën e paaftësisë për punë shkaktuar nga aksidenti në punë/sëmundje profesionale ose sëmundje të përgjithshme (për punëmarrësin)
Fletë-drejtimi për në KMCAP nga institucioni shëndetësor me shtretër, fletë dalje nga spitali dhe ekzaminimet e dokumente të tjera
Vërtetim i mesatares së bazës së vlerësueshme nga 1.1.1994 deri në ditën e lënies së punës
Procesverbal i aksidentit në punë
Vërtetim nga organet e Prokurorisë ose Gjykatës, për rastet kur kërkohet të përfitohet nga Dekreti Nr.758, datë 1.4.1994 “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”
Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët

Për pension familjar
Certifikatë e gjendjes familjare
Certifikatë vdekjeje e të siguruarit (ku të jetë shënuar dhe shkaku i vdekjes) si te pensionet e invaliditetit
Koha e sigurimit apo vjetërsia në punë dhe lloji i saj vërtetohet me të njëjtat dokumente si në rastin e pensionit të pleqërisë
Vërtetim i pagës së personit që ka vdekur (kur i ndjeri kishte apo i takonte pension pleqërie ose kur i ndjeri kishte apo i takonte pension invaliditeti)
Vërtetim i vazhdimit të shkollës për jetimët që kanë mbushur moshën ligjore për t’u punësuar ose vetëpunësuar
Vendim i KMCAP-it për paaftësinë në punë të personave të familjes në ngarkim të të siguruarit të vdekur, kur ata janë në moshë pune
Vërtetim i organeve të pushtetit lokal që në ngarkim të të vdekurit ishte një i/e ve, që mban një fëmijë deri në moshën 8 vjeç, i cili ishte në ngarkim të të vdekurit
Procesverbal që provon faktin e vdekjes nga aksidenti në punë, si dhe vendim i KMCAP, kur vdekja është shkaktuar nga sëmundje profesionale
Vërtetim i organeve të pushtetit lokal, që prindërit, prindërit e prindërve nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë dhe jetonin në të njëjtën familje me atë që ka vdekur, jo më pak se një vit para vdekjes
Për të marrë këtë përfitim, personi duhet të bëjë kërkesë me shkrim pranë ALSSH-së, ku të deklarojë se nuk është ekonomikisht aktiv (i punësuar ose i vetëpunësuar)
Jetimi që ka moshën ligjore për t’u punësuar ose vetëpunësuar, kur nuk vazhdon shkollën dhe është
nën 18 vjeç (kur banon në qytet) dhe nën 16 vjeç (kur banon në fshat), në kërkesën për pension deklaron se nuk është i punësuar ose i vetëpunësuar si dhe paraqet vërtetim nga Zyra e Punës
Vërtetim nga organet e prokurorisë ose gjykatës, për rastet kur kërkohet të përfitohet nga Dekreti nr. 758, datë 1.4.1994 “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”
Vërtetim nga ministria përkatëse për humbjen e jetës së pilotit në përmbushje të detyrës gjatë fluturimit

Për pension të posaçëm shtetëror ose shtesë pensioni të posaçëm shtetëror:
Certifikatë personale me fotografi
Certifikatë e gjendjes familjare
Vendim i Këshillit të Ministrave për caktimin e këtij pensioni apo shtesës

5 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›