Përplasje në PD
Ferid Agani i është përgjigjur akuzave të vartësit të tij partiak, Amir Ahmeti, i cili ka akuzuar Kryetarin e Partisë së Drejtësisë se nuk po angazhohet për zbatimin e programit partiak.
Madje, deputeti i PD’së në Kuvendin e Kosovës, Ahmeti ka kërcënuar se do të largohet nga koalicioni qeverisës nëse deri në vjeshtë nuk realizohen kërkesat për miratimin e Ligjit për arsimin parauniversitar, ku do të përfshihej mësimi fetar nëpër shkollat e mesme publike, lejimi i bartjes së shamive nëpër institucione publike dhe shfuqizimi i udhëzimit administrativ që nuk lejon bartjen e simboleve fetare nëpër ambientet publike.
Agani ka thënë për Express se qëndrimet e Ahmetit janë individuale dhe demokratike, derisa ka konfirmuar se do të vazhdojë angazhimin në përmbushjen pjesëve të programit të Partisë së Drejtësisë.
“Natyrisht se realizimi i këtyre dy objektivave strategjike të PD’së paraqesin preokupim për çdo anëtar të PD’së dhe më së shumti për mua që jam njëri prej themeluesve dhe kryetar i kësaj partie, i cili si të tilla edhe i ka konceptuar dhe qe dymbëdhjetë vjet është përpjekur në realizimin e tyre me konsekuencë të skajshme”, ka thënë Agani.
Duke thënë se respekton çdo mendim ndryshe në Parti, Agani ka thënë se për dalje nga koalicioni vendosin organet drejtuese të PD’së, e jo një individ.
“Sa i përket daljes nga Koalicioni qeverisës, kjo definitivisht nuk është çështje e disa individëve, por ekskluzivisht e organeve qendrore drejtuese të Partisë. Partia e Drejtësisë është e njohur si parti me procese më të avancuara demokratike në skenën politike të vendit, prandaj jam i bindur se këto organe do të jenë, si edhe më parë në situata të ngjashme, të afta për të gjetur përgjigjet më të mira që do të sigurojnë realizimin e synimeve politike të elektoratit të PD’së”, ka shtuar Agani.
Megjithëkëtë, Ministri i Shëndetësisë beson në mirëkuptimin e partnerëve të mëdhenj të koalicionit në përmbushjen e kërkesave që dalin nga programi i PD’së.
“Unë pres që në periudhën e ardhshme, partnerët e koalicionit qeverisës do të tregojnë ndjeshmëri të shtuar për pritjet e PD’së, veçanërisht sa i përket mbështetjes së kërkesës për zbatimin e lëndës së edukatës fetare dhe morale në shkolla, si dhe lejimin e bartjes së mbulesës nga vajzat besimtare në to”.
Ndryshe, Nënkryetari i PD’së, Amir Ahmeti thotë se u është drejtuar strukturave të partisë me një letër ku kërkon të ngrihet zëri në Parlament, Qeveri dhe institucione të tjera për zbatimin e kërkesave të tyre, në të kundërtën ka paralajmëruar largim nga koalicioni.
Ai ka thënë se kërcënimi për të braktisur koalicionin është personal, megjithëse shpreson në mbështetjen edhe të dy deputetëve nga partia.
Partia e Drejtësisë përfaqësohet në Kuvend me tre deputetetë, pasi në zgjedhjet e fundit parlamentare ka bërë koalicion me AKR’në e Behgjet Pacollit.
Miku i Pacollit, Ferid Agani ka thënë se nuk është në dijeni për një letër të tillë të Ahmetit.
“Unë dhe organet qendrore të partisë nuk kemi marrë asnjë letër formale nga z. Ahmeti përkitazi me këtë çështje, së paku jo deri më tani. Unë jam i qetë me veten time se, ashtu si edhe në ditët e para kur kam marrë pjesë në themelimin e PD’së, ashtu edhe sot si kryetar i saj, kur PD’ja është faktorizuar si asnjëherë më parë në skenën politike të vendit me tre deputetë në Kuvend dhe një ministër në Qeverinë e vendit, jam duke e dhënë maksimumin brenda mundësive të mia psiko-fizike”, ka deklaruar Agani
Ndryshe, deputeti Ahmeti ka dhënë sqarime për kërkesat e tij dhe letrën që ua ka dërguar zyrtarëve të PD’së.
“Është e vërtetë ajo që i kam dërguar letër Kryetarit, Këshillit Drejtues, Kryesisë. Letra ka qenë individuale, personale e imja. Kuptohet që ka një përkrahje për ato kërkesa, sepse janë kërkesa legjitime. Por, unë personalisht kam biseduar me Kryetarin qe pesë-gjashtë muaj. Këto kërkesa janë në programin tonë dhe deri më tani nuk kemi asnjë rezultat”, ka treguar Ahmeti.
Përplasjet publike në Partinë e Drejtësisë kanë filluar krahas shpalljes së zgjedhjeve të brendshme partiake. Në nëntor, kjo parti do të votojë për Kryesinë dhe Kryetarin.
Mundësinë për të garuar për kreun e PD’së e ka lënë të hapur edhe Nënkryetari aktual, Amir Ahmeti.
“Ka edhe kandidatë të tjerë, por ka mundësi edhe ajo (kandidimi për Kryetar të PD’së)”, ka thënë Ahmeti.
“Kjo varet krejt prej takimeve nëpër forumet e partive, anëtarët e degëve, anëtarët e Këshillit Drejtues. Qysh po reflekton e tëra kjo, dhe nëse kemi përmirësim, atëherë s’kemi nevojë të ndërrojmë Kryetarin. Por, nëse s`kemi ndryshim, atëherë vërtet çka po na nevojitet një Kryetar që nuk e zbaton programin e partisë së vet”, ka shtuar ai.
Konkurrencën për kreun e PD’së, Ferid Agani thotë se e mirëpret.
“Sa i përket kandidimit eventual të z. Ahmetit për Kryetar të PD’së, unë vetëm do të mirëprisja një veprim të këtillë, sepse jam i bindur se do të shtojë cilësinë e proceseve demokratike brenda partisë”, ka deklaruar ai.
Partia e Drejtësisë është themeluar në shtator të vitit 1999 dhe ka qenë e përfaqësuar me një deputetet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e para nacionale.
Tash është në koalicion me Partinë e Behgjet Pacollit dhe pjesë e Qeverisë së Hashim Thaçit. Në marrëveshjen për ndërtimin e Qeverisë nuk janë specifikuar kërkesat e PD’së.