Formula e Veriut
Serbët që jetojnë në Kosovë nuk po rehatohen kurrsesi. Tash e kanë lënë anash urën e Mitrovicës dhe pikat kufitare në Veri dhe janë kapur për një urë tjetër, që nisi të ndërtohet të hënën në fshatin Prilluzhë të Vushtrrisë. Njësoj si bashkëkombasit e tyre në Mitrovicë, ata zgjodhën që ndërtimin e urës ta kundërshtojnë me anë të bllokimit të rrugës aty.
Kështu, sapo eskavatorët filluan punën, në kohën kur nisi vënia e gurthemelit, disa banorë të Prilluzhës bllokuan rrugën. E krejt ky kundërshtim ka një arsyetim. Banorët serbë të kësaj ane iu frikësohen problemeve që, sipas tyre, mund t’ua sjellë ura. Kështu të paktën thonë Zoran Rakic, kryetar i Komunës paralele të Vushtrrisë. Sipas tij, ndërtimi i urës do ta rritë trafikun dhe qarkullimin në fshat, duke iu shkaktuar probleme serbëve.
“I kemi thënë Buhlerit se, nëse dëshiron që Prilluzha të mbetet në Kosovë, kjo urë nuk bën të ndërtohet. Nëse ndërtohet kjo urë, do të prishet paqja edhe ashtu e brishtë që e kemi”, ka thënë Rakic.
Edhe përkundër faktit se nga ndërtimi i urës do të përfitojnë hiç më pak se 15 mijë banorë të 12 fshatrave përreth, kjo nuk u intereson fort serbëve. Ata thonë se do të vazhdojnë bllokimin e rrugës edhe ditëve të ardhshme.
“Protesta do të mbahet çdo ditë deri në arritjen e një zgjidhjeje”, ka thënë Rakic.
Por pavarësisht kundërshtimeve, serbët prilluzhas nuk është se i dhanë shumë zor mbrojtjes së kërkesës së tyre. Protesta zgjati pak dhe të gjithë u shpërndanë brenda një kohe të shkurtër. Kështu, punëtorët e kompanisë “Rukolli”, e cila është duke kryer punimet e urës, vazhduan punën normalisht. Ata thonë se nuk i kanë parë serbët derisa kanë protestuar, pasi kanë nisur punën në anën tjetër të lumit Sitnicë, mbi të cilin do të ndërtohet ura. Por, thonë që gjatë kohës kur është vënë gurthemeli dhe kanë filluar punën, ata kanë qenë të mbrojtur nga Policia e Kosovës.
Njëri ndër punëtorët e kompanisë “Rukolli” thotë se e di që ura të cilën do ta ndërtojë edhe ai, është problematike, por ka marrë premtimin nga policia se bashkë me kolegët do të jenë të siguruar.
Komuna: Çështje politike
“Në kohën kur serbët kanë protestuar, kemi qenë nën mbrojtjen e policisë. Por, sapo ata janë shpërndarë, e kemi vazhduar punën normalisht. Punën që e kemi marrë përsipër do ta kryejmë, pavarësisht problemeve që kanë banorët serbë”, ka theksuar ai.
Por, protesta e së hënës nuk ishte kundërshtimi i vetëm i serbëve. Ka një muaj që ata janë duke krijuar probleme rreth urës. Madje, kur udhëheqësit e fshatit janë ftuar për takim nga krerët e Komunës së Vushtrrisë, për të diskutuar rreth projektit, ata nuk kanë marrë pjesë fare në mbledhje.
Sipas Bajram Mulakut, kryetar i Komunës së Vushtrrisë, banorët serbë të Prilluzhës janë pajtuar me çdo projekt që Komuna ka pasur për fshatin e tyre. Por, kur ka ardhur puna për urën, nuk i kanë shkuar në takim.
“Rreth shqyrtimit të këtij projekti, ndërmjetësues mes Komunës dhe udhëheqësve të fshatit ka qenë edhe KFOR-i. Para projektit për ndërtimin e urës, serbët kanë pranuar të bisedojnë për të gjitha projektet”, ka thënë Mulaku për Express.
“Pastaj janë deklaruar kinse nuk i kemi ftuar në takim. Por, sidoqoftë, ne do të vazhdojmë punën, pavarësisht kundërshtimeve”.
E, gjatë bisedave të tjera që kishte me udhëheqësit e fshatit Prilluzhë, Mulaku thotë se përveç arsyetimit se askush nuk i ka ftuar në takim, i është thënë se banorët serbë dyshojnë edhe në siguri. “Unë iu kam garantuar siguri edhe pas ndërtimit të urës. Por nuk është puna te siguria, ky kundërshtim i tyre është çështje politike”, ka theksuar ai.
“Por, po e them prapë se, pavarësisht problemeve, punimet në urë do të vazhdojnë”, është shprehur i vendosur Mulaku.
Sipas tij, i gjithë projekti i ndërtimit të urës, Komunës do t’i kushtojë mbi 380 mijë euro. “Banorët e fshatrave përreth urës do të kenë mundësi të kalojnë mbi të brenda tre muajve”.
Kryetari i Komunës, Mulaku, është kujdesur edhe për punëtorët e kompanisë që ka marrë përsipër ndërtimin e urës që lidh fshatrat shqiptare përreth, me magjistralen Prishtinë-Mitrovicë. Sipas tij, punëtorët do të jenë nën përkujdesjen e Policisë së Kosovës, derisa të përfundojnë punimet. Ura do të jetë e gjatë 110 metra, kurse gjerësia e saj, duke përfshirë edhe trotuaret, arrin në 7 metra.
Protesta, sipas policisë
Sipas Besim Hotiti, zëdhënës i policisë për rajonin e Mitrovicës, në kohën kur ka nisur vënia e gurthemelit, rreth 100 banorë serbë janë tubuar në vendin e ngjarjes, në fshatin Prilluzhë, afër lumit Sitnicë. Hoti ka thënë se nuk mund të bëhet fjalë për kundërshtime të mëdha, por banorët serbë kanë mbajtur një protestë “pasive”.
Strukturat paralele
Të hënën në Prilluzhë janë parë edhe përfaqësues të strukturave paralele të kësaj komune. Pasi përfaqësues të fshatit kanë biseduar me komandantin e KFOR-it, Erhard Buhler, kryetari i Komunës paralele të Vushtrrisë, Zoran Rakic, ka thënë se gjenerali nuk dinte për problemet që shkakton ndërtimi i urës. “I kemi thënë se nëse duan që Prilluzha të mbetet në Kosovë, kjo urë nuk duhet të ndërtohet. Nëse ura ndërtohet, do të shkatërrohet qetësia që kemi”, ka thënë ai. Rakic, sipas mediave serbe, është “kryetar i Komunës së Vuçitërnës”, kurse gazetarëve iu është prezantuar si kryetar i fshatit Prilluzhë.