E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria borxh bizneseve

Qeveria dhe komunat janë borxhlinjtë më të mëdhenj të bizneseve kosovare. Të gjitha kompanitë që janë në marrëdhënie kontraktuale me këto institucione, kanë probleme me realizimin e pagesave me muaj e vite. Ata s`guxojnë as të ankohen për shkak se diskriminohen në tenderët e tjerë. Nga Ismail Gashi më 16 gusht 2011 në ora 08:54

Drejtuesit e Qeverisë përditë deklarojnë se si po punojnë për të mirën e biznesit kosovar dhe lehtësimet e tyre në treg. Në anën tjetër, vetë qeveria qendrore dhe ato lokale i godasin vazhdimisht bizneset duke mos ua dhënë paratë e veta kur futen në marrëdhënie kontraktuale me ta.
Pagesat ua vonojnë me muaj, ndodh edhe me vite. Madje edhe i kërcënojnë ata nëse ankohen. Këto vonesa edhe po i detyrojnë kompanitë vendore të hyjnë në kredi dhe të zvogëlojnë numrin e punëtorëve.

Kryetari i Shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, Nazmi Bytyçi tregon për Express se të gjitha bizneset që kanë këto probleme me Qeverinë kanë ngritur këtë shqetësim në takimin e fundit të komunitetit të biznesit me ministrin e Financave, Bedri Hamza.

“Deri tani vonesat kanë qenë evidente. Në takimin e fundit kemi marrë premtimin nga ministri Hamza, se këto vonesa nuk do të zgjasin më shumë se tridhjetë ditë”, thotë Bytyçi. Sipas tij, bizneset kanë pasur probleme dhe këto vonesa shpesh i kanë detyruar bizneset që të futen në kredi me norma të larta interesi.

“Vonesat e pagesave i kanë detyruar bizneset të marrin kredi të pafavorshme, por ka ndodhur që edhe kanë falimentuar”.

Të gjitha kompanitë kanë probleme, por ato nuk i bëjnë publike nga frika se do të diskriminohen në tenderët e tjerë. Këto, tregon ai, i kanë paraqitur në një takim me ministrin Bedri Hamza.

“Takimi me ministrin ka rezultuar i suksesshëm dhe ne besojmë se ky problem do të tejkalohet, jo vetëm për kompanitë që furnizojnë institucionet, por edhe për ato ndërtimore, për të gjitha bizneset në përgjithësi që kanë një kontratë pune me shtetin”, thotë Bytyçi.

Me probleme të ngjashme bizneset ballafaqohen si në nivelin qendror, po ashtu edhe në pushtetin lokal. Ka shumë prej pronarëve të bizneseve që nuk preferojnë të flasin publikisht, nga frika e sanksioneve.

“Bile me komunat kemi vonesa edhe më të mëdha. Nëse një ministri i vonon pagesat për gjashtë muaj, komunat i vonojnë pagesat me vite”, thotë në kushte anonimiteti, njëri prej tyre. Ai ka preferuar të mbetet anonim, nga frika se do të shantazhohet me likuidimin e pagesës nga komuna dhe ministria që ai ka furnizuar.

Nga frika e mospagesës, ai nuk ka pranuar të bëjë transparente as institucionet që ai ka furnizuar me derivate.

“Ekzistenca e bizneseve, sidomos neve që bëjmë furnizime po vështirësohet çdo ditë. E keqja është se edhe nëse ankohemi, le që nuk i alokojnë mjetet me kohë, por qëllimisht i zvarrisin ato në pafundësi”, thotë ai.

Ky problem ka marrë përmasa shqetësuese për biznesin në përgjithësi. Akoma më keq janë duke pësuar nënkontraktorët.

“Përveç që nuk paguhemi për punën që kemi bërë, ne kemi problem edhe me informacionin. Kontraktori kryesor që ka marrë punë na mashtron vazhdimisht që komuna nuk i ka alokuar mjetet”, thotë një prodhues i materialeve ndërtimore në Malishevë.

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka inkurajuar bizneset që të mos hezitojnë të kërkojnë të drejtat e tyre, sepse sipas tij, nuk ekziston asnjë arsye që ato të vonohen më shumë se tridhjetë ditë. Hamza thotë se një nga nenet e marrëveshjes së fundit të Qeverisë me FMN`në, është që të eliminohen vonesat e pagesave.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›