Vendosim me referendum

Lideri i Partisë Përparimtare të Serbisë (SNS), Tomislav Nikolic, është politikani i parë serb që shprehet i sigurt se Beogradi do të përballet me zgjedhjen mes Kosovës dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai ka thënë se është çështje kohe kur zgjedhja BE ose Kosovë do t’i paraqitet Serbisë.
SNS’ja është rivali kryesor i Partisë Demokratike të Boris Tadicit.
Nikolic ka thënë për mediat serbe se për këtë ultimatum eventual të BE’së në formën ose Kosova, ose Evropa, duhet të deklarohen qytetarët në referendum.
“Për këtë duhet të vendosin qytetarët e Serbisë. Për ne politikanët do të jetë mirë qoftë apo mos qoftë Kosova në përbërje të Serbisë”, ka thënë Nikolic në një intervistë për të përditshmen “Blic”.
Ai ka shtuar se për çfarëdo planifikimi të ndryshimit të organizimit territorial apo shtetëror, duhet mbështetja e dy të tretave të deputetëve në Kuvend, e cila këtë çështje pastaj do të kalonte në referendum.
“Ne politikanët mund të themi: ‘Çka na ndien për BE, Kosova mund të jetë vetëm autonome. Ai që flet kështu nuk e ka seriozisht të merret me politikë. Gjithashtu, nuk ka asnjë politikan, i cili do të heqë dorë nga Kosova e të vazhdoj të merret me këtë punë”, ka thënë ai.
Nikoliq thotë se politika ‘edhe BE’ja, edhe Kosova’ duhet të vazhdohet deri në fund, sepse kjo është obligim nga Kushtetuta e Serbisë.
Në lidhje me marrëveshjen me KFOR’in, Nikolic ka thënë se me këtë është “kufizuar malli për qytetarët e Serbisë dhe se nuk është e vërtetë që 3.5 tonë të mallrave komerciale do të kalojnë punktin”.
“Më kanë thënë disa njerëz nga Veriu i Kosovës se kamionit i cili i kishte dy tonë i kanë lejuar të transportojë vetëm një ton”, ka thënë ai, duke shtuar se Serbia me këtë marrëveshje “ka lëshuar pe ndaj kërkesave të Prishtinës dhe këtë Beogradi e ka paraqitur si marrëveshje të mirë”.
Ndaj qëndrimit befasues të liderit të SNS’së, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë (DSS), Vojislav Kostunica. Sipas tij, referendumi në të cilin do të vendosej për Kosovën, ose BE’në, do të ishte kundërkushtetues, kundërligjor dhe jolegal.
“Nuk munden qytetarët që të shprehen në referendum për dorëzimin e Kosovës. Kushdo që dëshiron që Kosovën t’ua dorëzojë shqiptarëve, duhet më parë të ndryshojë Kushtetutën e Serbisë dhe jo të shkojë në referendum të kundërligjshëm për të zgjedhur ndërmjet BE’së dhe Kosovës., ka thënë Koshtunica në një deklaratë për mediat.
Ai vlerëson se politika më e mirë është ajo e cila është në harmoni dhe rrjedh nga Kushtetuta e Serbisë, ndërsa Kushtetuta është decidive se Kosova është pjesë përbërëse dhe patjetërsueshme e Serbisë.
Kostunica thotë se Brukseli qysh më 2008, kur shumica e vendeve të BE’së e kanë njohur pavarësinë jolegale të Kosovës, e ka vënë Serbinë para zgjedhjes ose Kosovën, ose BE’në.
Kundër Borkos
Tomislav Nikolic është i pakënaqur që delegacioni serb në dialogun me Kosovën udhëhiqet nga Borko Stefanovic. Ai thotë se ekipi serb është dashur të udhëhiqet nga kryeministri Mirko Cvetkovic ose presidenti Boris Tadic. “Për mua, Borko Stefanovic është njeri anonim. Ai nuk është negociator, i cili duhet të bisedojë për fatin e Kosovës. Këtë duhet ta bëjë Kryetari i Qeverisë ose ai ta autorizojë presidentin e shtetit që ta bëjë këtë në vend të tij. Bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinë janë bërë keq dhe është dashur që në fillim të bisedohet për statusin e Kosovës, e jo për pullat postare, për telekomunikacionin, vulat doganore. Me këtë është përforcuar shteti shqiptar, kryeqytet i të cilit është Prishtina”, ka thënë ai.