Mozaiku i thyer

Së pari erdhi Mikhail Gorbachevi, i cili e lëvizi Bashkimin Sovjetik drejtë reformave. Më pas, në gusht të vitit 1991, një përpjekje për puç, e mbuluar në mënyrë të mjerë, përpjekje kjo e personave të ngathët dhe herë pas herë të dehur, hapi plasaritjen, e cila nuk mund të mbyllej më.
Disa pjesë të perandorisë ranë dhe u morën nga uji. Shumë pak kohë më vonë, u shemb edhe pjesa tjetër e konstruktit.
Triumfalistët në Perëndim e shikuan dezintegrimin e Bashkimit Sovjetik si një triumf të pashmangshëm të demokracisë, madje edhe si “përfundim të historisë”. Të tjerët, siç e vlerësoi më vonë udhëheqësi rus, Vladimir Putin, e vajtuan atë si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit”.
Copat e Bashkimit Sovjetik gjenden diku në mes të këtyre dy ekstremeve-një lëmsh I shteteve, të cilat e përbëjnë një të gjashtën e territorit të botës, të cilat dallojnë shumë mes vete dhe të cilat përballen me ardhmëri, të cilat shtrihen nga premtuese, e deri te ato trazuese. Kryengritjet islamike rrezikojnë të shpërthejnë në luftëra, ndërsa zgjidhja për dy konflikte të ngrira nuk duket askund në horizont.
Lëmshi shtrihet prej një prej shteteve më të varfra të Evropës, Moldavia, e deri te Rusia, me një numër të madh të magnatëve me pasuri të madhe. Disa shtete janë demokraci të vërteta, të tjerat janë jo-bindëse apo kopje cinike; Turkmenia është diktaturë, e të njëjta në thelb janë edhe Bjellorusia dhe Uzbekistani. Sipas vlerësimeve të Freedom House, tri prej 15 ish-republikave sovjetike konsiderohen të lira, shtatë nuk konsiderohen sit ë lira, ndërsa pesë të tjera gjenden diku në mes.
Rusia është në mesin e vendeve jo të lira, duke mbetur prapa gjatë dekadës së fundit. Si republika më e madhe ish-sovjetike, me burime të shumta natyrore dhe si republika e vetme me arsenal bërthamor, shtegu të cilin e zgjedh Rusia është çështje e brengës së botës-dhe ky shteg nuk është aspak i qartë.
Në vitet e para pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, skena politike e Rusisë dukej e hapur, pasi që në arenë hynë reformatorët, oportunistët dhe nacionalistët. Në vitin 1996, gara për president ishte aq e ashpër, me ç’rast u desh të zhvillohet edhe rrethi i dytë i zgjedhjeve, në të cilin Boris Yeltsin fitoi 53 për qind të votave.
Por Rusia e Putinit, edhe pse nominalisht demokraci, po mbanë nën kontroll çfarëdo politike të vërtetë opozitare.
Presidenti Dimitri Medvedev në vazhdimësi ka folur për nevojën për reforma, por si një president i dobët, i cili u zgjodh vetëm pasi që Putini në vitin 2008 nuk kishte të drejtë të kandidojë për një mandate të tretë, fjalët e tij pothuajse nuk kanë kurrfarë ndikimi. Putin, aktualisht kryeministër, pritet që vitin e ardhshëm të kandidojë sërish për president dhe pothuajse me siguri se do të ngadhënjejë. Kjo do të forconte sistemin e ashtuquajtur të demokracisë së menaxhuar, për të cilin shumë vëzhgues besojnë se mund të rezultojë me një katastrofë.
Rusia po vuan gjithashtu edhe nga kryengritjet islamike në Kaukaz.
Kazakistani, si shtet më i vogël se Rusia, por megjithatë me territory më të madh se e gjithë Evropa, gjithashtu ka lulëzuar, falë rezervave të gazit dhe burimeve natyrore. Dhe mundësia që ky vend të shndërrohet në demokraci, është edhe më e dyshimtë se ajo e Rusisë.
Edhe Kirgizia fqinje mbetet një brengë, për shkak të armiqësisë mes grupeve të shumta etnike, armiqësi kjo e cila shpërtheu vitin e kaluar, me ç’rast u vranë me qindra njerëz.
Në ekstremin tjetër të përvojës post-sovjetike gjenden Estonia, Letonia dhe Lituania. Si republikat e para të cilat u larguan, pas dezintegrimit të Bashkimit Sovjetik, këto tri shtete të vogla ecën me vendosmëri drejtë Perëndimin, me ç’rast që të tria u anëtarësuan në BE dhe NATO.