E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perplasje ne Shishtavec banoret kunder ndertimit te HEC-eve

Banorët e dy fshatrave të komunës Shishtavec në Kukës, ku po ndërtohet një hidrocentral janë përplasur me forcat e policisë për shkak të dëmtimit të kullotave të fshatit nga punimet që po kryhen në zonë. Kullotat janë në administrim të komunës e cila i ka dhënë për shfrytëzim, siç pretendojnë banorët pa marrë më parë mendimin e tyre.

Edhe pse nuk disponojnë asnjë dokument, banorët e Cernalevës dhe Orgjostit e konsiderojnë kullotën pronë të tyren, pasi prej shekujsh atë e kanë burimin e vetëm të jetesës në zonën e thellë malore.

“Ne protestojmë. Këtu luan fshati. Kjo është kullota jonë. Ka ardhur traktori dhe ka hyrë në vendin tonë. Ishte kullota e deleve”-thotë një banore.

“Kemi një problem se kanë hyrë këtu dhe na kanë zënë kullotat. Nuk na kanë rregulluar asnjë rrugë për kanalin. Na janë mbytur shumë dele, shumë bagëtëi. Të na japin diçka, ndonjë rrugë se na kanë bllokuar. Ne nga kjo kullotë jetojmë këtu”-thotë një tjetër.

“Nuk i njohim këta njerëz. Kanë ardhur pa biseduar me njerëzit e fshatit. Ne jemi analfabetë, por ne mbrojmë tokën tonë, sepse këtu jetojmë. Ne nuk na e ka dhënë këtë vend shteti, por e kemi prej vitesh. Nuk kemi ku të shkojmë”-shprehet një tjetër banor i zonës.

Ndrësa administratori i kompanisë shprehet se disponon të gjithë dokumentacionin për të ushtruar të drejtën e shfrytëzimit të kullotave dhe rezervave ujore që sipas tij janë pa pronarë.

“Dokumentacionin juridiko-ligjor dhe teknik e kemi të gjithë të miratuar nga pushteti vendor dhe e kemi të kompletuar me lejen e ndërtimit, me leje mjedisore dhe leje përdorimi. Kemi  të gjitha kontratat e shitjes dhe blerjes së energjisë. Po ashtu kemi lidhur kontratat me kompanitë e huaja për realizimin e projektit”-thotë Kujtim Kolgjini, administrator i kompanisë.

Banorët e kësaj zone shpesh herë kanë protestuar ndaj kompanisë që po ndërton hidrocentralin. Vetëm pak ditë më parë një nga punëtorët e kantjerit u plagos pasi u godit me mjete të forta në kokë.

Konflikti mbetet i hapur mes banorëve të dy fshatarve të thellë që kullotën e trashëgojnë brez pas brezi edhe pse pa dokumentacion dhe firmës ndërtuese të hidrocentralit që disponon lejen e shfrytëzimit.

Flutura Tota                                                    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›