E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse Valentina Duka?

Bota universitare në mbarë Shqipërinë, pret të nesërmen të zgjedhë elitën e saj udhëheqëse në të gjitha nivelet e përfaqësimit. Është një moment me rëndësi thelbësore që do t'i paraprijë perspektivës së arsimit të lartë, cilësisë së mësimit në auditorë dhe, më gjerë, serisë së studimeve tona me atë seriozitet që ka kultura tradicionale e arsimit europian. Kandidatët kanë pasur kohë t'i shfaqin dhe ballafaqojnë platformat e tyre publikisht para auditorëve, kolegëve dhe shtypit, duke qenë krejt të vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe, vullnetin e angazhuar qytetar dhe sfidën që i pret. Ajo që e ka shoqëruar kryefund procesin e prezantimit dhe filozofisë së kandidatëve, ka qenë një klimë e qetë e respektit të ndërsjellë dhe sinqeritetit njerëzor midis kandidatëve; një dukuri thuajse e harruar në vendin tonë, në vigjilje zgjedhjesh.
Natyrisht, në qendër të vëmendjes së zgjedhjeve të përgjithshme universitare janë vënë kandidatët për rektor të UT-së e, para së gjithash: Valentina Duka dhe Dhori Kule. Në akord me formatin intelektual të kandiduesve dhe përshtat misionit të tyre iluminist, nuk kemi pasur deri më tash asnjë grimë demarshesh banale, çka e distancon prerazi botën akademike-universitare nga peizazhi me napalm flakëritës i zgjedhjeve politike në Shqipëri.
Thashë deri tash, por aspak nuk është e vërtetë se shiringat e zellit që vijnë nga jashtë, prej politikës, nuk janë përpjekur të bëjnë injeksionet e tyre helmatisëse në trupin e shëndetshëm të luajalitetit akademik. Simptomat kanë qenë të qarta dhe, si gjithmonë, të paduruar me zellin e tepërt, ka pasur në ndonjë gazetë kasnecë që vijnë jashtë botës universitare dhe të cilët janë munduar t'i japin procesit karakter paramanipulativ, duke krijuar kolpo të rreme virtuale. E, si gjithmonë, trashë dhe pa fantazi, i kanë rënë të njëjtës daulleje të prishur, siç është moda e dalëboje e sondazheve, duke harruar se të sondazhuar dalin kësisoj vetëm penat që i shpikin këto sondazhe. Sondazhe. Sondazhe. Sondazhe. Sidomos në vendin tonë konjukturëpakët! Prandaj ky shqetësimi im ka të bëjë me falsitetin e përllogaritur të fushatave anonime që mbledhin opinione, ku leh qen e del tym; është ky falsitet që ka meritën e reagimit tim; është ky falsitet që rreh t'i bëjë një nder krejt të panevojshëm një kandidati të shumënderuar. Pas krijimit të një situate të tillë të padrejtë në prag të votimeve, përpos arsyeve të mia logjike - gjithsesi aspak indiferent për perspektivën dhe sfidat që e presin Universitetin e Tiranës - dëshiroj një vëmendje shtesë për kandidaten Valentina Duka, edhe pse për të asnjë gazetë "nuk u kujtua" të porosisë sondazhe.
Njëra nga përparësitë e znj.Duka (që ndikon thelbësisht në gjykimin tim), është kontributi i saj real në krijimtarinë intelektuale - (shkencat e historiografisë dhe metodologjisë shkencore historike), librat e saj të shumtë për ndriçimin e aspekteve të manipuluara nga historiografia komuniste dhe, sidomos, libri i saj i fundit, një studim kapital mbi historinë e Shqipërisë në periudhën 1920-2000. Duke pasur një ndjeshmëri profesionale, znj.Duka përcakton kahjen e studimeve tona në rekonstruktimin e kësaj shkence, të lidhur ngushtë me mitet e ngulitura nga ideologjia komuniste dhe sqarimin e logjikës sonë faktografike në raport me të Vërtetën - një ndër psikozat tona më të vështira kolektive.
Përparësia e dytë, sipas meje, qëndron në përvojën e gjatë, energjitë dhe aftësitë e menaxhimit administrativ të znj.Duka, të dëshmuara në modernizimin e sistemit arsimor-universitar gjatë periudhës 1994-1997, kur ajo drejtoi Fakultetin Filologjik dhe ishte z/v rektore e Universitetit të Tiranës.
Përparësia e tretë, që e bën akoma më solid gjykimin tim, ka të bëjë me faktin e lumtur që znj.Duka vjen nga shkencat humanitare, e ka këtë ndjeshmëri dhe, sigurisht, do të stimulojë aktivitetin studimor në këto shkenca aq të prapambetura e plot paragjykime në një kontekst bashkëkohor kombëtar e ndërkombëtar, të cilat, siç dihet, kanë pësuar një dhunim të përshkallëzuar nga diktatura gjer në dezintegrimin e vetëdijes civile. Unë mendoj se kandidatja, përveç modeleve më të suksesshme të sistemeve universitare europiane, lehtësimit dhe harmonizimit të të drejtave të studentëve dhe pedagogëve, është edhe një garantuese e sigurt e profilit europian që duhet të ketë Universiteti i Tiranës, duke vazhduar reformat cilësore të arritura nga paraardhësi i saj.
Padyshim që sfidat e Universitetit të Tiranës janë të shumta e të natyrave të ndryshme; ato nuk mund t'i kufizojmë brenda një kornize të reduktuar problematike! Padyshim që nevojat e sistemit tonë të arsimit të lartë, në të gjitha shkencat, kërkojnë një transformim elastik në kritere, koncept dhe mentalitet! Dhe krejt e padyshimtë, është se këto reforma shumëplanëshe do mund t'i përballonin dhe disa prej kandidatëve të shumënderuar, me profesionalizëm e përkushtim të lartë!
Por arsyet që parashtrova janë të një rëndësie vendimtare, me një domethënie gjithëshoqërore për kontekstin e sotëm shqiptar dhe universitar, gjykuar edhe nga diskurset e nxehta publike me të cilat po përballemi, duke mos e pasur të mjaftueshëm kontributin intelektual, gjykimin e kthjellët dhe neutralitetin shkencor të katedrave universitare. Prandaj, duke gjykuar si nga ana racionale, po aq dhe intuitivisht, votuesit do ta bëjnë zgjedhjen e tyre dhe znj.Valentina Duka është njëra nga mundësitë fatlume të kësaj zgjedhjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›