E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziqet e centraleve atomike

Instalimet bërthamore si objektiva të sulmeve ushtarake? Daullet e luftës, me sa duket, po bien gjithnjë e më fort. Udhëheqësit perëndimorë kanë deklaruar vazhdimisht se nuk përjashtojnë asnjë variant për të frenuar ambiciet bërthamore të Iranit. Kurse, në mes të nëntorit 2007, gazeta londineze "Sandi Tajms" (Sunday Times) njoftoi se Izraeli ka vënë sistemin e mbrojtjes përreth reaktorit të vet bërthamor në Dimona, në "nivelin e kuq" të gatishmërisë luftarake 30 herë, ndërkohë është rritur shqetësimi se Siria do të hakmerrej për sulmin e Izraelit, në shtator, mbi një objekt të dyshuar bërthamor në Siri.
Droja e Izraelit reflekton historinë unikale të rajonit. Qysh nga Lufta II Botërore, vetëm në Lindjen e Mesme kanë ndodhur goditje për të ndërprerë veprimtaritë bërthamore: Iraku është goditur nga Irani (1980), Izraeli (1981) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (1991, 2003), ndërkohë që Iraku bombardoi Iranin (1984-'87) dhe Izraelin (1991). Por sulmet asnjëherë nuk kanë sjellë pasoja thelbësore radiologjike, sepse uzinat që ishin në ndërtim e sipër, mbanin sasi të papërfillshme materiali bërthamor, kishin zhvendosur elementet radioaktive para sulmit ose sepse sulmuesi nuk kishte goditur në shenjë.
Megjithatë, një sulm i suksesshëm mbi Dimonën do të ishte çështje tjetër. Kështu, duke marrë parasysh kërcënimin e çlirimit të produkteve radioaktive, a do të kapërcejë rreziqet shfrytëzimi i mëtejshëm i uzinës?
Dimona është unikale. Është Uzina më e madhe Bërthamore e rajonit dhe prodhuesi i vetëm i materialeve për armatime atomike. Qysh nga koha kur ajo hyri në shfrytëzim, në mesin e viteve 1960, ka prodhuar elemente për 200 njësi armësh bërthamore. I pari kryeministër i Izraelit, David Ben Gurion, ka përuruar ndërmarrjen për të kompensuar cënueshmërinë strategjike të Izraelit - një ushtri e sapoformuar - si dhe mungesën e dëshirës së Perëndimit për të hyrë në një aleancë zyrtare për të mbrojtur shtetin hebre.
Dimona nuk është Çernobil. Ajo prodhon vetëm rreth 5 për qind të energjisë të këtij reaktori sovjetik të dështuar. Gjithsesi, uzina - së bashku me karburantin bërthamor që shpenzohet prej vetë asaj, plutonin e ekstraktuar dhe mbeturinat e përpunimit të karburantit bërthamor - paraqesin rrezikshmëri shumë të madhe radiologjike, të cilën mund ta shpërhapte në mjedis një goditje ushtarake.
Zyrtarët izraelitë e pranojnë në heshtje rrezikun. Autoritetet kanë shpërndarë tableta të jodurit të potasit në qytetet fqinje të Jerhamit, Dimonës dhe Aruarit. Joduri i potasit bllokon përthithjen tiroidike të iodit radioaktiv, një rrezik i parakohshëm, si rezultat i çlirimit të produkteve bërthamore. Por kjo gjë nuk shmangë pasojat serioze për shëndetin nga elementet e tjera radioaktive. Dhe në varësi nga moti dhe shkarkimi i produkteve bërthamore, pasojat radioaktive, ka gjasa, të mos mbeten të lokalizuara.
Ndotja e lehtë dhe pikat e nxehta mund të kenë ndikim në qendrat urbane izraelite, palestineze dhe jordaneze, të cilat ndodhen në njëfarë largësie. Përveç efekteve në shëndet, ndotja mund të terrorizonte popullsitë e prekura, duke i detyruar njerëzit drejt një arratie të përkohshme dhe zhvendosjeje të përhershme. Do të vijonin dhe pasoja ekonomike serioze afatgjata.
Gjatë shumë dekadave, Izraeli ia ka dalë të përballojë këtë rrezik me ndihmën e një mbrojtjeje kundërajrore të efektshme dhe nënvlerësimit të aftësisë së armiqve të tij, për të dhënë goditje në Dimona. Në maj të 1984-ës, pasi kisha shkruar një libër mbi pasojat e sulmeve ushtarake mbi objekte bërthamore, një oficer i kundërzbulimit të Izraelit erdhi në Kaliforni për të më pyetur mbi cënueshmërinë e reaktorit dhe mbi një central elektrik bërthamor të planifikuar. Oficeri nënvlerësoi rrezikun, duke argumentuar se kurrfarë forcash ajrore arabe nuk e kanë mposhtur dhe nuk do ta mposhtin dot, asnjëherë, mbrojtjen kundërajrore të Izraelit.
Në atë kohë, historia çuditërisht konfirmoi mendimin tim. Ndonëse një aeroplan zbulimi egjiptian fluturoi afër Dimonës më 1965-ën dhe 1967-ën, pa incidente, gjatë luftës së 1967-ës, Izraeli goditi një nga avionët e vet gjuajtës "Mirazh" (Mirage), kur ai u shmang nga kursi mbi objekt. Më 1973-in mbrojtësit e Dimonës rrëzuan një avion libian civil linje, që nuk kishte respektuar korridorin ajror dhe që fluturonte mbi reaktor, në këtë rast vdiqën 108 veta.
Por Lufta e Gjirit Persik më 1991-in trazoi atë prehje që Izraeli kishte fituar nga e kaluara. Raketat irakiane "Skad" (Scud) bombarduan Tel Avivin dhe njëra prej tyre, për pak sa nuk ra në Dimonë. Bombardimi nga Hezbollahu i Izraelit të veriut më 2006-ën, demonstroi më tutje cënueshmërinë e vendit përballë sulmit me raketa. Dhe ndonëse mbrojtja kundër raketë e Izraelit "Errou" (Arrow), e cila tani rrethon Dimonën, ka mundësi të jetë më superiore se sistemi "Petriot" (Patriot) që dështoi më 1991-in, raketat më të reja siriane "Skad" dhe raketat iraniane "Shahab-3" paraqesin një problem më serioz se predhat e Sadamit.
Dimona ka prodhuar të gjithë plutonin, për të cilin ka nevojë Izraeli në caqe të arsyeshme, kurse reaktori - një nga më të vjetrit në botë - ka pasur disa defekte të parëndësishme dhe konsum të dukshëm, gjë që rrit kërcënimin e aksidenteve edhe më serioze. Kështu, nëse Izraeli nuk mund të garantojë mbrojtjen e uzinës nga sulmet, do t'i duhet ta mbyllë.
Nëse e bën këtë, Izraeli gjithashtu mund të ketë përfitime politike. Mund të deklaronte se mbyllja demonstron angazhimin e tij për të ulur tensionet bërthamore rajonale, njëkohësisht duke dërguar një mesazh urtësie në ndërtimin e reaktorëve në rajonin më të paqëndrueshëm të botës.
Vërtet, afër një duzinë vendesh të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut kanë ndërmend të ndërtojnë centrale elektrike bërthamore. Duke pasur parasysh historinë kur instalimet atomike janë zgjedhur si objektiva ushtarakë për t'u goditur, planifikuesit duhet të shqyrtojnë nëse ka kuptim t'u paraqesësh kundërshtarëve objektivë radiologjikë, shumë më mëdhenj se Dimona. Sa kohë që Lindja e Mesme nuk zgjidh mosmarrëveshjet e veta politike, ka gjasa, jo.
*Bennett Ramberg ka shërbyer në Byronë e Çështjeve Politike-Ushtarake në administratën e Xhorxh Ejxh Dabëllju Bushit (George H.W.Bush). Është autori i disa librave mbi Sigurinë Ndërkombëtare.
Përktheu: Vladimir Mustaqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›