E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panairi i 12-të i librit, tkurret numri i botimeve

TIRANE-Panairi i 12-të i librit "Tirana 2009", do të mbahet më 12-16 nëntor në Pallatin e Kongreseve, ku do të marrin pjesë më shumë se 100 subjekte botuese nga të gjitha hapësirat shqiptare. Gjatë një konference për shtyp, kryetari i Shoqatës së Botuesve shqiptarë, Petrit Ymeri bëri me dije se këtë vit është premtuar mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës. Duke e konsideruar si ngjarjen më të rëndësishme kulturore të përvitshme, siç është bërë traditë tanimë, organizatorët mendojnë edhe për një shkrimtar, i cili është i ftuari i nderit i këtij manifestimi të librit shqip. Këtë vit në panair do të jetë i pranishëm një ndër shkrimtarët më të njohur italianë, Frederico Moccia, i cili paraprakisht ka konfirmuar praninë e tij përgjatë ditëve të panairit dhe është përkthyer në shqip nga shtëpia botuese "Dituria". I pyetur për titujt e rinj në këtë panair, kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri pohoi se doemos që numri i titujve të rinj gjatë një viti është tkurrur, e për pasojë edhe titujt e rinj në stenda do të jenë më pak se vitet e shkuara. Kjo sipas tij ka ndodhur për shkak të krizës ekonomike që e ka prekur librin shqip, sepse ka rënë numri i lexuesve, çka reflektohet në shitjen e librave në libraritë e Shqipërisë. Nuk ka ende një kalendar të saktë të promovimeve dhe takimeve me shkrimtarët që do të mbahen gjatë panairit, por secili prej botuesve do të promovojë veprat më të rëndësishme, kryesisht botime të reja, dhe në stendat e tyre do të jenë të pranishëm shkrimtarët më të rëndësishëm shqiptarë që ata botojnë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›