Përse hesht Ilir Meta për SHISH?
Lëvizja Socialiste për Integrim ka heshtur për marrjen e Shërbimit Informativ nga Sali Berisha. Duke qenë pjesë e koalicionit qeveritar, do të ishte normale ta mbështeste, por duke parë historinë e mëparshme të qëndrimeve të saj ndaj SHISH, do të ishte normale ta kundërshtonte. Në tentativat e herëpashershme të Berishës për ta marrë Shërbimin Informativ përmes ndryshimit të ligjit, qeveria e SHBA ka gjetur tek Ilir Meta një partner të saj dhe ka mundur të bllokojë ndryshimet. Rasti i fundit ishte në vitin 2010, kur për shkak të votës së Ilir Metës dhe Paulin Sterkajt, ndryshimet e ligjit u bllokuan. Tani që Berisha këtë çështje e zgjidhi përmes presidentit kukull, Ilir Meta po hesht. Edhe pse ambasada amerikane e shprehu qartë shqetësimin për kohën dhe arsyet e këtij ndryshimi, nuk ka ndonjë reagim nga LSI.
Një ditë pas ndryshimit, ambasadori i SHBA shkoi në një takim në Bashkinë e Tiranës me Lulëzim Bashën, njeriun, i cili ka një aleancë politike të qartë me Ilir Metën brenda koalicionit në pushtet. Pas takimit, ambasadori nuk bëri komente për ndryshimet në SHISH, por është e qartë se ai e ka përçuar mesazhin tek Berisha përmes Bashës, me të cilin mban të hapur komunikimin dhe që është personi kyç në aleancën Meta- Berisha. Emërimi i Visho Ajazit në krye të SHISH është një sukses i gardës së vjetër të PD-së, dhe një person shumë konfidencial i Berishës, i cili i jep atij qetësinë e duhur për gjithë çfarë Shërbimi ka depozituar kundër tij këto 15 vjet.
Pozita e Ilir Metës në këtë rast është shumë e sikletshme, pasi ai jo vetëm që ka dalë keq nga vota e dhënë për Bujar Nishanin, por në finale vota e tij ka rezultuar dhe një investim antiamerikan i partisë së tij. Ai as ka mundur ta kundërshtojë, biles as ta komentojë këtë emërim, duke treguar qartazi se ka probleme me lirinë e tij për të kundërshtuar tani e tutje Berishën dhe për veprime të tilla arrogante për poste të rëndësishme shtetërore, të cilat bëhen sikur të jetë një bahçe private e Berishës.
Duke mos u konsultuar me SHBA, e cila ka interesa strategjike në SHISH, dhe duke injoruar standardet e NATO-s për një kryetar shërbimi, Berisha nga ana tjetër ka dërguar një mesazh kërcënues edhe për LSI dhe njerëzit e lëkundur në anën e tij, për të ardhmen e tyre. Tani e tutje ata do të jenë nën vëzhgimin zyrtar të Berishës me një institucion të cilin ka dhënë prova se di ta përdorë pa asnjë pikë mëshire për interesa të pushtetit të tij. Tashmë SHISH mund ti çojë në tavolinë Sali Berishës si Ilir Meta ka përdorur Genc Pollon kundër tij në vitet 2000, si Fatos Nano ka përdorur Genc Rulin, si Nano dhe Meta kanë përdorur Arben Imamin, si ka raportuar Ferdinand Xhaferi kundër tij, si kanë qenë të sigurt se Berisha nuk bënte dot ndryshimet në SHISH se nuk e lejonte SHBA, etj. Pra, Berisha ka tashmë në dorë gjithë të shkuarën e atyre që ka në kabinet si njerëz të dyshuar, plus gjithçka që Meta ka bërë dhe mund të guxojë të bëjë kundër tij.
Kjo duket se e ka stepur Ilir Metën pasi e ka gjetur të papërgatitur dhe mund të jetë duke përgatitur kundërpërgjigjen me institucionin e fundit që Berisha pret të marrë në nëntor, Prokurorinë e Përgjithshme. Duke qenë se çifti Meta- Basha është një çift problematik për drejtësinë shqiptare dhe në çdo rast mund tu rihapë çështjet që kanë mbyllur, Ilir Meta duket se kërkon ta shesë shtrenjtë heshtjen e tij për SHISH me marrjen e Prokurorisë së Përgjithshme. Në përpjekje për të lehtësuar imazhin e Berishës si njeri që i merr të gjitha, Meta duket se po gjobit Berishën për ti marrë kryeprokurorin në shenjë luajaliteti për të vazhduar bashkë deri në zgjedhje.
E gjithë çfarë mund të ndodhë është që Berisha të detyrohet tia japë, por kjo nuk shpëton asgjë nga demokracia shqiptare, përveçse zbut frikërat e Ilir Metës dhe Lulëzim Bashës nga ndonjë hakmarrje brenda llojit ndaj tyre. Çmimi që Ilir Meta i ka vënë heshtjes së tij për SHISH, në të gjitha rastet ngelet një çështje pazari brenda llojit dhe një goditje reale që u jepet iluzioneve perëndimore për Berishën. Ajo vlen vetëm nëse Berisha nuk ka nevojë më për të. Sidomos po u kujtua të flasë në qershor të 2013-ës.
