E Diel, 1 Nëntor 2026

Përse i duhet media Edi Ramës

Drejtori i Ora News, Alfred Peza, hapi një debat lidhur me përdorimin e medias nga ana e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe ishte e natyrshme që kjo deklaratë të diskutohej në hollin e gazetarëve, që shpeshherë janë gjendur personalisht nën trysninë e presioneve të tij. Ky debat është shtruar herë pas here edhe nga gazetarë të tjerë, më së shumti për shkak të sjelljes vulgare të kryebashkiakut Rama me gazetarët, por nuk ka pasur ndikimin e duhur për shkak të bllokimit të debatit nga mekanizma që tejkalojnë sms-të e përmendura nga zoti Peza. Ky debat konkret ka nevojë edhe për një qasje teorizuese, e cila do të na ndihmonte për t’i shkuar në thelb këtij modeli raportesh mes medias dhe politikës dhe nënshtrimin në të shumtën e rasteve të gazetarëve ndaj modelit Rama. Së pari, duhet trajtuar modeli Rama si politikan dhe raporti që ai ka ndërtuar me median, e po ashtu modeli Berisha në politikë dhe raporti i tij me median. Së dyti, pozicionimi i medias ndaj këtyre modeleve dhe instrumentet e kontrollit mbi median.

Fillimisht, duhet të pohojmë se mendimi bashkëkohor konstaton se politika dhe media janë një simbiozë e pandashme që ushqejnë njëra-tjetrën. Si të tilla, ato janë në një bashkudhëtim të pandashëm në përpjekje të përhershme për të dominuar marrëdhënien e krijuar për shkak të vetë natyrës komunikuese që ka shoqëria e sotme. Politika kërkon të përcjellë mesazhe, ndërsa media është instrumenti me anë të të cilit këto mesazhe receptohen nga ana e publikut – elektorat në kuptimin politik. Nëse më parë mesazhet receptoheshin në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëpërmjet një komunikimi të drejtpërdrejtë, sot kjo është e pamundur. Bota e sotme ka një tjetër dinamikë komunikimi dhe politika është e kyçur brenda ekranit televiziv apo e stampuar në fletët e bardha të gazetës. Me një rol të tillë ndërmjetësimi, media është dhe do të jetë gjithnjë “shkopi magjik” që politika kërkon ta ketë në dorë. Problemi është se si në një vend të lirë krijohen marrëdhëniet e politikës me median dhe këtu hyjmë në një fushë tjetër që ka të bëjë me teknikat e PR-së, të cilat janë të shumëllojshme.

Përgjithësisht, modelet e politikanëve që bartin legjitimitet historik, nuk e ndiejnë domosdoshmërinë e përdorimit të medias për të rritur kapitalin politik. Përkundër kësaj, media bëhet shumë e rëndësishme për aktorë politikë të cilët e ndërtojnë karrierën jo për shkak të ndonjë legjitimiteti të caktuar apo për shkak të ndonjë kontributi doktrinor në një pikë të caktuar të historisë së një vendi. Këtu ndahen modelet Rama dhe Berisha në raportin e tyre me median. Edi Rama ka lindur si politikan brenda ekranit televiziv. Historia politike e zotit Rama karakterizohet nga makiazhi mediatik, më shumë se kontributi real në angazhimin politik. Ai nuk se legjitimohet nga aktet e kryera në lëvizjet e viteve ‘90, siç mund të thuhet për Sali Berishën dhe Fatos Nanon. Për më tepër, ligjërimi politik i zotit Rama është i zhveshur nga substanca e nevojshme që lypset për të ndërtuar një mesazh politik.

Edi Rama, si lider i së majtës, nuk ka arritur në asnjë moment të artikulohet si i tillë, duke mos hedhur në tregun politik asnjë ide apo tezë që të jetë e tij. A mund të quhet lider një njeri të cilit i mungojnë këto dy komponentë: legjitimiteti historik dhe tezat politike!? Pak e vështirë për t’u pranuar. Edi Rama ka konsideruar si ofertë politike punët publike që janë bërë në Bashkinë e Tiranës. E drejtë, por me diçka të tillë mund të identifikohet një drejtor rrugësh, jo një lider politik. E vetmja tezë e hedhur nga zoti Rama, e mbështetur nga Erion Veliaj dhe e zgjatuar nga disa versione femërore të Erionit që bredhin kohët e fundit studio më studio, është politika e re përtej të majtës dhe të djathtës. Kjo ide është masakër në vetvete. Është totalitariane dhe e përshtatshme për populistin Hugo Çavez, jo për një kryetar partie që kërkon të bëhet Kryeministër brenda rregullave të sistemit demokratik. Thënë këto, analiza të çon në përfundimin se Edi Rama është një tullumbace mediatike e fabrikuar nga media, pa të cilat ai është “asgjë”. Ndaj dhe zoti Rama është i detyruar të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme për të prodhuar mesazhe politike, duke ushtruar presione nga më të ndryshmet mbi median, përfshi këtu dhunën verbale dhe shantazhet ekonomike me anë të keqpërdorimit të funksionit të kryetarit të bashkisë më të madhe në vend.

Përkundër modelit të Edi Ramës, modeli Berisha apo dhe Nano, kanë nevojë për median, por nuk janë prodhim i medias. Ata mbartin legjitimitet të fortë historik për shkak të kontributit politik të tyre në 20 vitet e fundit dhe janë autorë të formësimit të sistemit pluralist në Shqipëri. Pavarësisht të metave të treguara në këtë angazhim, Berisha dhe Nano janë pozicionuar politikisht, duke u munduar të artikulojnë doktrina politike. Nëse ata mund të jetojnë pa median, arsyeja është historia. Nëse Rama nuk mund të jetojë pa median, arsyeja është po prapë historia.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›