E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mblidhni faturat, do të rimbursojmë taksat



nertila maho

çdo qytetar do t'i nënshtrohet deklarimit të të ardhurave dhe shpenzimeve personale në fund të çdo viti, duke bërë kështu transparente gjendjen e tij financiare për tatimorët. Vendimi është miratuar dje në mbledhjen e Qeverisë, çka i shton Ministrisë së Financave detyrimin që t'i kthejë qytetarëve në fund të vitit, taksat e tepërta që kanë paguar. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se kjo praktikë vendoset në përputhje me kërkesat e praktikës evropiane dhe Komisionit Evropian. "Ky dokument, që do ta quaja dokumenti i transparencës universale për të ardhurat e qytetarëve, i shton shumë detyrimet e Ministrisë së Financave dhe financave të vendit në tërësi ndaj qytetarëve. Mbi bazën e tij, ato do të detyrohen t'u paguajnë qytetarëve në fund të vitit, të gjitha taksat e tepërta që kanë paguar, pasi qytetarët paguajnë taksa në çdo gjë që blejnë", tha kreu i Qeverisë. I pyetur dje për këto ndryshime të ligjit për procedurat tatimore, deputeti Shefedin Shehu tha për gazetën se kjo është një praktikë që aplikohet në shumë vende të botës. "Kjo është një skemë e re e tatimit mbi të ardhurat personale, që pak a shumë është e njëjtë si deklarimi që bën biznesi. Njëkohësisht këtu do të ketë edhe zbritje të shpenzimeve për disa kategori, siç mund të jenë shpenzime të Arsimit, Shëndetësisë që janë më të zakonshmet, por edhe të tjera të cilat do diskutohen në proces", tha Shehu. Ndërkohë nëse i referohemi si shembull deklarimit personal që bëhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai është i përcaktuar qartë. Deklarata përfshin të ardhurat personale, zbritje të shpenzimeve, dhe më pas tatimin mbi të ardhurat që ndryshon në përqindje, sipas shumës së deklaruar. Te termi "zbritje shpenzimesh" njihen pagesat te doktori, pagesa për sigurimin shëndetësor, recetat e ilaçeve dhe insulinës, taksat që i paguhen shtetit, taksat për pronën, dhe kontribute bamirësie. Të gjitha faturat e shpenzimeve mblidhen në total dhe nga kjo shumë zbritet shuma e taksave që është paguar për secilën. Në vendin tonë, kjo procedurë pritet të fillojë në fund të 2011-ës. Ajo që mbetet për t'u parë është përcaktimi se cilat do të jenë kategoritë që do të njihen si shpenzime për tatimpaguesit.
Pagat dhe pensionet
Qeveria i qëndron "besnike" premtimit elektoral për rritje të pagave dhe pensioneve. Edhe dje Kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Qeverisë u shpreh se do të ketë rritje të pagave dhe pensioneve. "Qytetarët shqiptarë duhet ta kenë shumë të qartë zotimin para tyre. Sa të na votojnë, do të kenë rritje rrogash dhe pensionesh. Kjo është një kontratë të cilës ne i qëndrojmë", u shpreh Berisha. Në shifra konkrete nga ana e Ministrisë së Punës është konfirmuar se paga minimale do të rritet me 10% ndërsa ato më të larta më pak. Kurse për pensionet, ministri Ksera disa kohë më parë u shpreh se ato do të rriten në nivelet e 7% për qytetin dhe 15% për fshatin.

7 per qind
Pritet që të rriten pensionet e qytetit, sipas deklaratave që ka bërë ministri Spiro Ksera. Ndërkohë që pensionet e fshatit pritet të rriten me 15%

10 per qind
pritet të rritet paga minimale për qytetarët. Ndërkohë që rritja e pagës maksimale do të jetë më e ulët. Kjo është lakuar shpesh nga Qeveria

Avokat tatimor për ankesat e biznesit

Rritet mbikëqyrja për sistemin tatimor. Ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore, që u miratua dje përmes një vendimi në mbledhjen e Qeverisë, i hap rrugë krijimit të dy institucioneve të reja. Avokati i Tatimpaguesve dhe Këshilli Konsultativ për Biznesin do të vëzhgojnë funksionimin total të sistemit tatimor. "Avokati i Tatimpaguesve, që do të jetë i vendosur në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ka për mision e detyrë të mbrojë të drejtat e tatimpaguesve nga arbitraritetet e tatimmbledhësve. Po kështu, edhe Këshilli Konsultativ Tatimor, që është jashtëzakonisht i rëndësishëm në procesin e funksionimit të sistemit tatimor, të modernizimit të tij dhe rritjes së transparencës, do të shqyrtojë veprimtarinë tërësore, funksionimin e këtij sistemi, transparencën që ky sistem përdor në raport me tatimpaguesit", tha Kryeministri. Ai theksoi se nisma për ngritjen e këtyre dy institucioneve është marrë pas konsultimeve të gjera me grupet e interesit, duke theksuar se kjo kulturë konsultimesh do të vijojë për çdo vendim të Qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›