Bumçi: Ftojmë opozitën ta votojë në seancë
Deputeti i PD-së Aldo Bumçi i kërkoi dje opozitës të jetë e pranishme në seancën plenare të së enjtes për të votuar rezolutën e PD-së për heqjen e vizave drejtuar BE-së. “Sot Komisioni i Integrimit të Parlamentit të Shqipërisë mori në shqyrtim rezolutën në mbështetje të procesit të liberalizimit të vizave, që do të miratohet ditën e enjte. Ne prisnim që deputetët e opozitës, të cilët kanë ardhur në Kuvend, kanë depozituar edhe emrat në komisionet përkatëse, të vinin në Komisionin e Integrimit. Pavarësisht nga ky fakt, që nuk erdhën sot në shqyrtimin e rezolutës, ne u bëjmë thirrje, ne ftojmë opozitën që të jetë e pranishme ditën e enjte në seancë plenare, ku do të miratohet rezoluta për procesin e liberalizimit të vizave. Ky nuk është një proces politik, nuk është një çështje politike, por është një çështje jetike për të gjithë qytetarët shqiptarë, qofshin këta të majtë, të djathtë, pa parti”, u shpreh Bumçi.