Edi Rama në Strasburg, takon të majtët evropianë
Kryetari socialist Edi Rama udhëtoi dje drejt Strasburgut për të nisur sot një turr takimesh me drejtues të së majtës evropiane në Parlamentin Evropian. Rama pritet të takohet me kryetarin e deputetëve të majtë Martin Shultz, nënkryetarin e grupit të deputetëve të majtë Hannes Svoboda dhe zëvendëspresidentin e Parlamentit, Libor Rucek. Në qendër të takimeve do të jetë situata aktuale politike në Shqipëri, pas hyrjes së opozitës në Kuvend dhe bërjes së betimit. Në takimet e fundit që Rama zhvilloi në mesin e muajit të kaluar, kreu i Socialistëve Shqiptarë u angazhua për futjen e deputetëve të tij në Parlament, për t’i hapur rrugë ngritjes së komisionit hetimor parlamentar. Kjo vizitë e Ramës bëhet vetëm një javë para votimit të projektligjit të PS për hapjen e kutive në Kuvend. Pritet që Rama të kërkojë ndërhyrjen dhe mbështetjen e evropianëve të majtë për miratimin e këtij projektligji me votat e maxhorancës, ndryshe socialistët shqiptarë do t’i kthehen protestave në rrugë. Shultz dhe Svoboda në deklaratat e fundit të tyre pas takimeve me Ramën rreth një muaj më parë, kanë mbështetur hetimin e plotë të zgjedhjeve, edhe hapjen e kutive. Ndërsa Libor Rucek është shprehur se “mund të ishte një zgjidhje edhe hapja e disa kutive në çdo zonë”.