ACR letër minatorëve: Do plotësojmë kushtet tuaja
Kompania ACR ka pranuar më në fund që të plotësojë kushtet e minatorëve që janë ngujuar në minierën e Bulqizës prej disa javësh, duke protestuar për pagat e ulëta dhe kushtet e punës. Administratori i ACR u ka dërguar sot në mesditë një letër minatorëve, ku u bën me dije se kompania pranon kushtet e tyre për rritje page në masën 20 për qind dhe për përmirësimin e kushteve të punës.
Ndërkohë, ACR ka bërë dhe një herë të ditur se nuk pranon që marrëveshja të firmoset nga kreu i sindikatës së minatorëve, Kol Nikolla, duke lënë tashmë në dorën e minatorëve vendimin për të pranuar ose jo këtë marrëveshje të ofruar sipas ultimatumit që kishin vendosur minatorët.
ACR bën të ditur se në këtë letër, e cila mban firmën e administratorit Giga Bedineishvil dhe vulën e kompanisë, garantohget rritja e pagës në masën 20%, përmirësimi i kushteve të punës, si dhe mundësia e transparencës në realizimin e investimeve. Më tej kompania ka ftuar të gjithë minatorët dhe punonjësit e tjerë të kompanisë që të rikthehen në punë, me qëllim rimëkëmbjen e minierës, duke filluar nga dita e nesërme në orën 07.00.
Mëngjesin e sotëm situata në Bulqizë ka qenë e tensionuar, pasi minatorët nuk pranuan ftesën për negociata të kompanisë ACR, pa qenë i pranishëm kreu i Sindikatës, Kolë Nikolla.
