E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/ Brezi i ri i lidershipit kinez po shfaqet gjithnjë e më shumë në publik

22-08-2011 / Gazeta 55

Lidershipi i ri i Kinës, që pritet të marrë në dorë fatet e vendit në vitin 2013, ka nisur ndërkohë që të shfaqet në role të ndryshme drejtuese, duke drejtuar takime dhe ngjarje të profilit të lartë, që janë në vëmendje të mediave vendase dhe atyre ndërkombëtare.
Tre liderët kryesorë të vendit, zëvendëspresidenti Xi Jinping, zëvendëskryeministri Li Keqiang dhe Zhou Yongkang, shefi i Byrosë Politike dhe anëtar i Komitetit Qendror, kanë marrë pjesë në tre veprimtari shumë të rëndësishme dhe të dukshme javën e kaluar. Hu Jintao, së bashku e Kryeministrin Wen Jibao, pritet që të dalin në pension pas Kongresit të partisë në dhjetorin e vitit të ardhshëm dhe pritet që të marrin fuqi Presidenti i ri, Kryeministri dhe nëntë anëtarë të Byrosë Politike. Ata do të marrin në dorë frenat e drejtimit të vendit më 2013. Xi konsiderohet nga të gjithë si pasardhësi i Presidentit, Hu Jintao, pas kongresit të ardhshëm të partisë dhe gjatë vizitës aktuale të zëvendëspresidentit amerikan, Biden në Pekin, ai ishte në pozicionin e të zotit të shtëpisë, duke dhënë edhe për mediat një profil të personit të tij shumë misterioz për të gjithë. Rreth tij ka pasur dhe ka shumë pak informacione. Xi gjatë takimit me Biden, i cili ishte i shoqëruar nga një numër i madh biznesmenësh dhe zyrtarësh të lartë, jo vetëm që drejtoi të gjitha bisedimet me Biden, por e shoqëroi amerikanin gjatë gjithë vizitës edhe jashtë Pekinit dhe shkëmbeu me homologun edhe idetë dhe vizionin e tij për Kinën, duke qenë se pritet që të jetë lideri i vendit për dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Zyrtarët amerikanë që morën pjesë në takimet me Biden ishin të befasuar nga ai. Ajo çka u ra në sy është se Xi nuk foli me letër dhe kishte një ide shumë të qartë për atë që donte të arrinte në vendin e tij, ishte shumë strategjik në mënyrën e komunikimit e të veprimit, kishte shumë besim në vetvete dhe zotëronte një marrëdhënie respekti e kolegjialiteti edhe me kolegët. Ndërkohë që Xi ka shoqëruar Biden, zëvendëskryeministri i vendit Li ka bërë një vizitë të profilit të lartë në Hong-Kong, duke u dhënë të gjithëve mundësi që të spekulojnë mbi një zëvendësim të shpejtë nga ana e tij të kryeministrit të vendit që është i sëmurë. Ndërkaq, nga ana e tij, Zhou Yongkang, një nga nëntë anëtarët e Byrosë Politike, bëri një vizitë me shumë publicitet në Nepal ku u përpoq të konfirmonte influencën e Kinës në mbretërinë e Himalajeve, duke propozuar projekte të reja që shkaktuan vëmendje edhe në Indi. Edhe ai pritet që të marrë një post shumë të rëndësishëm në Byronë Politike.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›