E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsëri gënjen

Nga Mero Baze

Inspektorati i Lartë i Kontrollit të Pasurive, shmangu komentet e tij rreth dy fakteve të rëndësishme. E para pranoi që ka kontrolluar dosjen e blerjes së shtëpisë së Lulëzim Bashës dhe nuk u shpreh për pasaportën me të cilën Basha ka blerë këtë shtëpi, dhe së dyti nuk u shpreh rreth faktit që Lulëzim Basha ka deklaruar shitjen e shtëpisë së tij në Holandë në vitin 2007 dhe ka likuiduar kredinë bankare në shumën rreth 200 mijë euro, ndërkohë që dokumentet flasin se ai e ka shitur realisht shtëpinë në vitin 2008. Me sa u pa në reagimin e Inspektoratit, ai nuk është marrë fare me dosjen Basha përveç verifikimit formal në vitin e parë të hapjes së dosjes.

Sa i përket çështjes së parë, asaj të përdorimit të një pasaporte, e cila përshkruhet nga noteri si amerikane dhe nga Basha si lapsus i noterit, Inspektorati i ka të gjitha mundësitë të na sqarojë pasi ai duhet të ketë pasur në dorë dosjen e blerjes dhe përshkrimin origjinal që i është bërë pasaportës. Fakti që Inspektorati nuk foli për këtë çështje, tregon se duhet të jetë në pozitë të vështirë me zotin Basha. Duke qenë se ka marrë përsipër ta ndihmojë, ai flet vetëm për gjëra të parëndësishme.

Problemi i dytë që ka krijuar personaliteti i dyshimtë i Lulëzim Bashës ka të bëjë me vitin 2007 kur Prokuroria e Përgjithshme e gjeti fajtor dhe ngriti padi penale kundër tij për shpërdorimin për shkak të detyrës të një shumë rreth 220 milionë euro në zbatimin e projektit të rrugës Rrëshen- Kalimash. Është pikërisht ky vit, kur Basha ka pasur kaq shumë pare të buxhetit të shtetit në duar dhe i ka administruar ato duke shkelur 24 ligje të shtetit shqiptar, që Basha ka gënjyer duke deklaruar të shitur shtëpinë në Hollandë, dhe duke  shlyer para kohe një kredi, pa deklaruar të ardhurat e veta. Siç mund të merret me mend ky është një fakt i mjaftueshëm për prokurorinë që të rihapë dosjen e korrupsionit të rrugës Rrëshen- Kalimash, ndërsa është një detyrim për Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive që të hetojë pikërisht këto manovra financiare të Lulëzim Bashës.

Por me sa duket strategjia e re e Lulëzim Bashës për të mbuluar gënjeshtrat e tij, ka mbetur sqarimi i ndonjë detaji të parëndësishëm dhe zhurma rreth sqarimit. Por e vërteta është se shumë nga problemet e profilit të tij si gënjeshtar ai i ka hapur vetë me maninë për të gënjyer për gjithçka. Për shembull problemin e lënies së shtetësisë së gruas së tij, ai e ka bërë vetë problem, pasi ka gënjyer për shkaqet pse ajo ka lënë shtetësinë. Ai një herë ka thënë se e ka lënë ngaqë nuk lejohej të blihej shtëpi në Holandë me pasaportë shqiptare, pastaj del që ajo e ka blerë shtëpinë tri vjet para se të linte shtetësinë dhe është paraqitur para noterit me pasaportë shqiptare. Një herë tjetër thotë se e ka lënë shtetësinë pasi donte të lëvizte lirshëm, ndërkohë që ka pasur leje qëndrimi të përhershme në Holandë, e cila i krijon lehtësi të mjaftueshme prej vitit 2004 kur ishte vendosur sistemi i vizave Shengen për të lëvizur lirshëm në Evropë. Më tej akoma gënjen kur thotë se Holanda nuk e lejon dyshtetësinë, ndërkohë që ligji holandez, i bërë publik në faqet e Ministrisë së Jashtme holandeze i thotë qartë gjithë rastet kur njeriu në Holandë mund të ketë dy shtetësi. Zoti Basha duhet ta kuptojë një herë e mirë se nuk jemi të shqetësuar fare për shtetësinë e gruas së tij dhe aq më tepër nuk e konsiderojmë humbje kombëtare flakjen prej saj të shtetësisë shqiptare. Ne jemi të shqetësuar vetëm se një ministër i yni, një njeri që i kemi besuar paret tona dhe qeverisjen  e vendit, na gënjen pa arsye. Siç duhet ta dijë, një nga presidentët më të suksesshëm të SHBA, Bill Klinton, nuk u gjykua pse pati shkuar me Levinskin, por për tentativën e tij për të gënjyer rreth rastit në fjalë.

Po kështu Basha tashmë po vërtitet mes gënjeshtrave që prodhoi vetë rreth pasaportës me të cilën ka blerë shtëpinë. Nëse ai e ka blerë me një pasaportë shqiptare dhe e ka shkruar aty amerikane, ai ka bërë një akt të rëndë falsifikimi dhe duhet të shkojë para drejtësisë. Nëse e ka bërë me ndonjë pasaportë speciale amerikane, nga ato që mund të jepen për misione të veçanta, apo ndonjë pasaportë të UNMIK, është mirë ta thotë të vërtetën se ajo e dëmton më pak se gënjeshtrat që thotë përditë.

Duke ju rikthyer dhe një herë një prej skandaleve më të rënda të dosjes së tij, asaj të mos përputhjes së origjinës së 200 mijë eurove me të cilat ka shlyer kredinë në vitin 2007, ngul këmbë që ILDKP duhet të të bëjë një hetim të sajin për këtë, ndërsa prokuroria duhet ta marrë në konsideratë si një provë të re për të rihapur gjykimin e dosjes së mbyllur për procedura, Rrëshen- Kalimash. Zoti Basha ka plot kohë deri më 8 majë të dalë një ditë dhe ti sqarojë gjithë këto gënjeshtra. Ne presim deri në datën 8 maj. Pastaj flasin qytetarët, ata që për Bashën janë të parët për ti gënjyer.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›