E Shtunë, 31 Tetor 2026

D’Anuncio dhe shkollat letrare italiane

25-04-2011 / Nga Ilirian Dahri

D’Anuncio ndoshta është ndër të vetmit shkrimtarë italianë që ka qenë shumë i kujdesshëm me publikun e tij. Nuk është rastësi që ai ka qenë  ndër të parët që është marrë me fuqinë e fjalës së tij, duke e parë këtë në të gjitha aspektet e  përhapjes së letërsisë, mjafton të kujtojmë marrëdhëniet e tij me teatrin, kinemanë por edhe me politikën. Gjithashtu, është i pari që ka dëshmuar një raport qendror në letërsinë dhe artin Italian mes krijimtarsië dhe shoqërisë së masave, mes mënyrës së të shprehurit dhe massmedia-ve
Ky do të ishte edhe thelbi i lëvizjes futuriste, i cili i kundërvihej praktikës tradicionale të së shprehurit por  që në të njëjtën kohë kundërshton të gjithë organizimin e ekzistencës. Arti  në futurizëm nuk merret më me paraqitjen e botës por me shkatërrimin e saj. Babëzia intelektuale, e sipërfaqshme deri në provokim, bën që D’Anuncio të ngrihet sipër çdo lloj eksperience, me një vullnet të vazhdueshëm për të eksperimentuar dhe ndryshuar. Shpeshherë, shkrimtari vihet në qendër të, të gjitha polemikave dhe në qendër të, të gjitha situatave, me një projekt ekzibicionizmi, për të qenë në pikën kur historia ngjizet, lind dhe transformohet (kujtojmë këtu aventurat e tij ushtarake). Gjithmonë aktiv, me një etje të madhe drejt aktualitetit, D’Anuncio është një rast unik i shkrimtarit poliedrik, që shkruan në të gjitha zhanret letrare, dhe merret me oratorinë, me skenografinë dhe që shkruan ditare.
Por qendra e vërtetë e D’Anuncios, është rifreskimi dhe eksperimentimi sidomos në burimet gjuhësore. Kjo është një karakteristikë e shkrimtarit që e vendos atë në qëndrën e letërsisë italiane. Kujtojmë, sa shkrimtarë u influencuan pas kësaj, humbjen e temës në poezinë e D’Anuncios nëpërmjet një gjuhe gjithmonë të re dhe të përpunuar.
Por vlera e risisë dhe projektimi drejt të ardhmes nuk vihet re vetëm tek poezia, por duket qartë edhe në veprat teatrore. Me D’Anuncion realizohet revolucioni letrar që gërshetohet me pështjellimin e pikave të referimit dhe me atë paqartësi qëllimesh që zotërojnë të gjithë letërsinë italiane të asaj kohe.
Paralelisht me propozimet e tij pozitive, shfaqen qartë edhe efektet e propozimeve negative të rebelimit, mjafton të kujtojmë romanin “Triumfi i vdekjes” të vitit 1893, libër ky që do të jetë model për prozatorët e ardhshëm. Nuk duhen harruar edhe shkrimet e fundit të D’Anuncios, sidomos kujtimet e tij, në romanin “Dashnori i dytë i Lukrecia Butit” e vitit 1929, një roman që kundërshton realen, e mohon, për të magjepsur dhe hipnotizuar. Përmendëm se letërsia D’Anunciane do të influenconte një sërë shkrimtarësh të tjerë. Njëri prej tyre ishte padyshim Aldo Palaceski. Edhe Palaceski mohon të kaluarën për të tashmen dhe projekton letërsinë e tij si mohim por në të njëjtën kohë zgjedh dy elementë të rinj që nuk gjenden në veprën e D’Anuncios. Ironinë dhe fantazinë. Në ketë linjë shkruhen romanet e para të Palaceskit, të këtij shkrimtari thellësisht emblematik. Vlen të përmendim “Kodin e Perelës” të vitit 1911 roman që tregon shuarjen ose vagëllimin e botës në ritmin e shfrenuar të imagjinares.
Përballë këtyre eksperiencave plot vitalitet mund të duket shumë i vogël kontributi i poezisë dialektore dhe i poezisë krepuskolare (të vagëllimit) të asaj kohe, të bazuar në ngjarje epike apo në zbulimin e Amerikës. Pak më e motivuar mund të jetë shkolla krepuskolare e shkrimtarëve të Piemontes (Gocano, Oxilia, Valini), por ndoshta edhe ajo e Romës (me përfaqësues Martini, Koracini). Për shumë poetë, shkolla krepuskolare mund të konsiderohet si një pikë tranziti. Ata eksplorojnë dhe eksperimentojnë. Ky përcaktim, (u quajtën krepuskularë nga shkrimtari sicilian Borxheze), zë një klimë poetike të përgjithshme të atij fillimshekulli. Nuk do të ishte e saktë të përcaktohej si fundi i një epoke, por si fillimi i një ideje të re në poezi dhe kritikë.
Vagëllimtarët sjellin diçka të re, sjellin “gjëra të mira por me një shje të keqe”. Shpeshherë ekzagjerojnë në banalitetin dhe ironinë e tyre. Gjithsesi japin grahmat e fundit të një epoke por edhe lindjen e një epoke të re. Edhe pse të gjithë këta prozatorë dhe poetë janë e kundërta e D’Anuncios, shpeshherë në polemikë me vitalizmin e tij, në të njëjtën kohë të tërhequr prej tij si prej një force të pashpjegueshme.
Gabriele D’Anuncio u lind në Peskara, më 12 mars 1863 . Studimet i kryen në Prato. Bashkëpunon me gazetat letrare të kohës. Në vitin 1881, transferohet në Romë për të vazhduar Fakultetin e Letërsisë të cilin nuk arrin ta përfundojë për shkak të një jete plot aventura por  bëhet figura më e rëndësishme e jetës kulturore të Romës.  Në fund të luftës, udhëheq betejën për aneksimin e Istrias dhe të Dalmacisë. Gjatë fashizmit tërhiqet nga jeta aktive dhe nderohet si një hero kombëtar duke jetuar në vetmi deri në momentin e vdekjes, më 1 mars 1938.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›