E Diel, 1 Nëntor 2026

Degradimi i shoqërisë, “e vetmja rrugë” shpëtimi i mëkatarëve

25-04-2011 / Nga Luan Myftiu

“Ai që mjekon krahët e skifterit, ka përgjegjësí për kthetrat e tij” - Hygo

Po shohim të përsëriten skemat e djeshme çnjerëzore të mbijetesës së tiranisë komuniste. Ashtu si dje diktatura, edhe neobllokmenët po tentojnë t’i lidhin njerëzit pas qerres së tyre, duke u mbjellë psikologjinë konfliktuale dhe duke u caktuar alternatívë zgjedhore largimin me çdo kusht nga skena politike të kundërshtarëve, pra, “armiqve imagjinarë”.
Komunizmi i poshtëronte viktimat për t’u hequr të drejtën morale t’i kundërviheshin. Se Turpi - thotë populli - është më i rëndë nga kordha. Se dihet që vesi është në luftë të papajtueshme me virtytin. Prandaj diktatura, më parë se t’i asgjësonte fizikisht, përpiqej t’i depersonalizonte kundërshtarët. Kurse antikomunistët tentoi t’i shndërronte në njerëz të përulur, servilë e të përbuzur. Tërë kohën tentoi t’i lidhte njerëzit pas qerres duke i armiqësuar me njërí-tjetrin. Jo më kot e kanë përcaktuar “demokracínë popullore” si “kopaçen e popullit për popullin”. Prandaj dhe uniteti “partí-popull” u ngrit mbi devizën “Të gjithë kundër të gjithëve!”. Krijuesit e “Botës së Re” synuan shkatërrimin e personalitetit të çdo individi. Të gjithë tiranët kanë frikë nga dinjiteti i njeriut. Po tani ? Taní asnjë nga deputetët socialistë nuk guxon të mos i bindet Ramës. Ashtu si Enver tiranit, edhe Ramës i vret sytë shkëlqimi i çdo aftësie, që nuk i shërben lavdisë së tij. Dhe dihet tashmë qëndrimi i tij ndaj “mendimit ndryshe”. Mjerë kush u zbulon djajve të kuq synimet e veta demokratizuese.  I afti në diktaturë detyrohej t’i shërbente të paaftit. A nuk po i ndryshon Rama strukturat e P.S.-së me njerëz, që hedhin vallen sipas daulles së tij ? Kur në diktaturë flijimi drejt hiçit u proklamua si kuptim i jetës, Rama u klith socialistëve se ai, vetë Rama, “Njëshi” është “rruga e vetme” e shpëtimit. Vetëm me gënjeshtrat, shpifjet dhe trillimet e neobllokmenëve  njerëzit do të arrijnë parajsën e ëndërruar. Ashtu si në diktaturë, sipas donkishotizmit të Ramës, të gjithë duhet ta pranojnë mjerimin si lumturí nga frika se mos bien më keq. Dhe, meqë s’kanë alternativë të tyre, u shpallin socialistëve të ndershëm “armiq”, me një mijë e një të zeza në shpinë. Po ringjallet, pra, mentaliteti enverist se vetëm mbi njerëz të inkriminuar bëhet i gjithpushtetshëm sistemi i i gënjeshtrës. Hetuesitë komuniste ishin punishtet e përpunimit të fajësive të paqena, fabrikat e shkatërrimit të dinjitetit njerëzor, katakombet e krijimit të bashkëfajësíve të detyruara. Kurse gjyqet etyre ishin ca komedí groteske, ku montohej terrori nëpërmjet dënimit barbár të pafajsísë. Ashtu si komunizmi edhe neobllokmenët po zbatojnë metodën e poshtërímit pa cak të kundërshtarit politik si metodën kryesore të krijimit të atij kapitali të ndyrë moral, prapa të cilit të fshihen synimet banale të marrjes së pushtetit me çdo kusht. Kur diktatura komuniste dënonte edhe fëmijët për “krimet” imagjinare të prindërve, Rama me neobllokmenët politizon edhe fushatën e zgjedhjeve vendore, aq sa në vend të premtimeve bën thirrje për përmbysje pushteti të paligjshëm. (!) Të gjithë duhej ta miratonin raprezaljen komuniste duke mallkuar fatin, që kishin lindur në një familje, që diktatura s’e shihte me sy të mirë, kurse neobllokmenët tallen sot me viktimat e diktaturës duke i trajtuar si të denjë për t’u mëshiruar.          
Ashtu si hetuesit komunistë, që kishin bërë shkollë të posaçme për të montuar nga hiçi akuza false, apo të detyronin të pafajshmit të pranonin fajësí të paqena, neobllokmenët po bëjnë kaun me viç dhe lopën me “kopil”, duke trilluar një mijë e një hajdutërira, që i kanë bërë vetë. 
Depersonalizimi i shoqërísë ka qenë një nga krimet e pafalshme të diktaturës komuniste, e cila, duke tentuar të bënte fajtore shoqërínë, fshinte gjurmët e masakrës së saj apokaliptike. Dhe sot ithtarët e saj këndojnë refrenin “Janë bërë ca gabime!”, apo “Ashtu ishin ligjet!”. Megjithatë, akuza se gjoja “viktimat paskan marrë më qafë njëra-tjetrën!”, mbetet lejtmotivi, mbrojtja e tyre kryesore. Mirëpo, meqë këto nuk ua beson kush, përpiqen t’i pëshpëritin nën zë me anë të disa naivëve. Megjithatë, gjithmonë mbeten të zhgënjyer. Viktimat e diktaturës, bilé dhe shumë nga ata që nuk mundën të ruanin dinjitetin nën torturat çnjerëzore, e njohin mirë dinakërinë dhe etjen e pashuar për shpifje vëllavrasëse të hienave të diktaturës. Ndaj nuk mund të gjesh sot një ish-të përndjekur, që të hedhë baltë mbi bashkëvuajtësit e tij e t’u shërbejë kështu xhelatëve, të cilët, prapa akuzave të tilla duan të “justifikojnë” poshtërsitë e tyre. Megjithatë, neobllokmenët përsërí vazhdojnë të poshtërojnë deri në kufijtë e absurdit   kundërshtarët e tyre politikë. Prandaj shfrytëzojnë çdo lloj pakënaqësíe të ditës për të ngritur një “uragan”, me të cilin të bindin këdo se “e vetmja rrugë” shpëtimi është nënshtrimi pa kushte ndaj ambicies së këtyre mëkatarëve të rinj. Të gjorët ! Parandjenja e humbjes u vë në lëvizjen imagjinatën e sëmurë. Atë të akuzave false dhe shpifjeve monstruoze ! Të çoroditur, përpiqen të krijojnë rreziqe imagjinare. Vjedhje imagjinare votash. Manipulime listash zgjedhore. Po përgatisin, pra, alibí të reja për të dalë sa më pak të dëmtuar nga kjo valë qytetëruese, europiane, që ka pushtuar sot gjithë Shqipërínë, madje dhe mendjet e shumë socialistëve të ndershëm. Rama me neobllokmenët po tentojnë ta paraqitin elektoratin shqiptar si një lypsar, që duhet të presë të bien kocka nga qielli, kur të triumfojë “rruga e vetme”. Të presë, pra, ta mëshirojnë bijtë e atyre, që nuk e lanë të shihte një ditë të bardhë! Mirëpo, siç po duken qartë bathët, humbjen  e tyre nuk ka alibí që ta shpëtojë.    

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›